Nga Leonard Veizi

“Këngën e Kongresit, këngën e kongresit”. Batuta është shkëputur nga filmi “Koncert në vitin ‘36” i regjisorit Saimir Kumbaro. Por sot mund të qëndronte dhe në një tjetër ligjëratë: “Flamurin e kongresit, flamurin e kongresit”. Sepse në memorien kolektive që prej kohës së shtetformimit, na mungojnë disa elementë themelor, dhe akti i pavarësisë është njëra prej tyre, fjala vjen.

Flamuri i shkarravitur dhe i keqtrajtuar gjithashtu mund të ishte një tjetër humbje e kujtesës. Por jo. Kësaj herë ia kemi hedhur paq. Ai po restaurohet nga një prej restauratorëve më të mirë në Shqipëri, Frederik Stamatit.

Frederik Stamati – restaurator

Viti 2020 përkon me vitin e 100 të Kongresit të Lushnjës. Sa për njohuri fillestare, Kongresi i Lushnjës i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920. Gjatë punimeve të tij u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe u zgjodh këshilli i lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit.  Por u zgjodh gjithashtu dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u emërua Sulejman Delvina. Kryeqytet: Tirana.

Pra ishte një Kongres shumë i rëndësishëm, po të kemi parasysh se nga nëntori i vitit 1912, kohë kur u shpall Pavarësia e deri në janarin e vitit 1920, Shqipëria lundronte në ujërat e turbullta të një kënete, herë si “Principatë kushtetuese…” e herë si provincë tokat e të cilës mund të vazhdonin t’u dhurohej fqinjëve.

Gjatë 8 viteve të para të pavarësisë Shqipëria nuk stabilizohej dot as me kryeqendrën e saj, ku ca ditë qeveria qëndroi në Vlorë, e ca ditë të tjera në Durrës. Por Kongresi i Lushnjës vendosi që administrata të shpërngulej në Tiranë. Falë këtij vendimi, Tiranën vazhdojmë ta kemi edhe sot e kësaj ditë Kryeqytet.

Kongresi i Lushnjës pati dhe flamurin e vet, një flamur i cili për një kohë të gjatë ka qëndruar i paekspozuar.

Flamurin e ka pasur atdhetari Veli Vasjari, i cili e ka çuar në ndërtesën ku bëheshin punimet e Kongresit të Lushnjës. Pas përfundimit të punimeve e mori përsëri në vitin 1928 ai e dhuroi në Muzeun Kombëtar. Më pas Muzeu Kombëtar e ruajti në fondet e veta, ndërsa me ndryshimet ai kaloi nga një institucion në tjetrin dhe ky flamur mbeti në fondin etnografik”, ka sqaruar për opinionin publik Frederik Stamati, i cili shton se prej disa muajsh qe po punon intensivisht për restaurimin e këtij flamuri.

Sipas Frederik Stamatit, “Flamuri historik i kongresit të Lushnjës u zbulua në vitin 2011 nga Ariola Prifti, e cila në atë kohë ka qenë përgjegjësja e fondit etnografik, ku ruhej flamuri”.

Padyshim, festimet me rastin e 100 vjetorit të kongresit të Lushnjës, nuk do të kishin shumë kuptim nëse në vend të flamurit origjinal do të kishim një kopje të tij, prodhim industrial apo për më keq se kaq, një flamur shqiptar por mall kinez, si ata që krijuan skandal ca vite më parë.

Frederik Stamati dhe Migena Dibra gjatë restaurimit të flamurit

Në një postim tjetër në faqen e tij në Facebook, mjeshtri restaurator shkruan: “Jemi së bashku me Migena Dibrën, punonjëse e IAKSA, e cila ka në arkivat e veta flamurin. Jemi duke punuar për trajtimin e flamurit. Është shumë rezultativ bashkëpunimi edhe me punonjës jo te laboratorit, por që kujdesen për konservimin e objekteve, që të njihen me problemet, vështirësitë, koston e ndërhyrjeve, në mënyrë që të dinë më qartësisht se çfarë ndodh me objektet gjatë ruajtjes dhe se çfarë duhet bërë”, thotë Frederik Stamati duke ekspozuar njëkohësisht edhe disa foto nga puna për restaurimin e flamurit të grirë e të copëtuar.

Si zakonisht në këto raste duam t’ia hedhim fajin shtetit, qeverisë, strukturave përgjegjëse… etj. Por në këtë rast, pavarësisht kësaj, ka dhe një aspekt që nuk ka lidhje thjesht me mirëmbajtjen nga ana e strukturave të një flamurit simbol.

Dëmtimi shumë i avancuar që shihet në foto nuk ka ardhur si rezultat i keqtrajtimit të flamurit, apo neglizhencës në ruajtje, por është pasojë e teknologjive të përdorura në shekujt e mëparshme, për të rënduar mëndafshet me kimikate e për të rritur fitimet e prodhuesve, sepse pëlhurat e mëndafshta në ato kohëra shiteshin me kile. Është trajtimi kimik i bërë nga industria e atëhershme, që çon në shkatërrimin e pëlhurës së mëndafshtë. E gjithë bota muzeale ka gjetur belanë me këta lloj mëndafshesh që degradohen vet-vetiu”, sqaron mjeshtri Stamati.

“Sado e vështirë situata, puna po ecën mirë dhe se shpejti do te keni rastin ta shikoni flamurin të ekspozuar pa probleme”, siguron restauratori i njohur.

Dhe më në fund na duhet të gëzohemi me një lajm të tillë, sepse duam apo nuk duam, veç gjuhës, është edhe flamuri ai që na bashkon si komb.

Flamuri i Kongresit të Lushnjës

Leonard Veizi/ Fjala.al/