Jeta ime nga fëmijëria tek skenat e botës me flamurin “Kuq e Zi”. Si e morëm “Gjerdanin e artë” në 1970 në Francë mes 47 vendeve dhe 50 mijë spektatorve. “Vallja e Shqipeve” të mbërthen dhe të mbanë gjatë mes emocioneve. Mirnjohja për Ccesk Zadenë, valltarët rus Perkun e Ramazin dhe dekorimi nga Presidenti Meta.

-Në 1970 në Dizhon në Francë, mes 50 mijë spektatorëve. dhe 47 vendeve morëm “Gjerdanin e artë”

“Vallja e Shqipeve” të mbërthen, të mban gjatë mes emocioneve

Fadil Shehu

Ka pasur fëmijëri të vështirë por dhe të vrullshme. Mbi 40 vjet në skenë ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Edhe sot kur kthen kokën pas ndihet i lumtur, pasi kanë lënë vepra madhështore.

-Si e kujton fëmijërinë?

Gëzohesha në veçanti kur njerëzit dëgjonin muzikë nga gramafoni dhe ato pak vegla muzikore që ndiznin dasmën dhe njerëzit kërcenin. Kjo më bënte të pëlqeja madje të kërceja nëpër dasma. Lala kishte qejf kur më shikonte që unë kërceja kryesisht vallen e Tiranës, Devollit, Dropullit, Kukësit, Peshkopisë. Kërcimet e valleve të këtyre trevave, bënë që më pas të shkoja dhe të aktivizohesha në aktivitetet e atëhershme në shtëpinë e pionierit. Ishte viti 1952,vit i cili u krijua Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili drejtohet nga “Artist i Popullit”, Çesk Zadeja Kurrsesi nuk mund të harroj punën e shkëlqyer bërë nga dy profesorë rus, Georgi Perkun dhe Boris Ramazin, të cilët në bashkëpunim me koreografët tanë Gëzim Kaceli dhe Panajot Kanaçi, krijuan vlera të arrira profesionale dhe shpirtërore të valles shqiptare. Po në këtë periudhë u krijuan punë me vlerë, çka bëri që disa prej krijimeve tepër të bukur, të mbeten të freskët në breza dhe kujtesën e artit,ku dua të përmend këtu vallen perlë “komitët e lirisë”, të Engjëll Tërshanës.

Përse vallja që ende mbetet ndër më të bukurat e repertorit të ansamblit tonë, “Vallja e Shqipeve” të mbërthen, të mban gjatë mes emocioneve, madje thuhet se kjo valle është emblema, e mjaft valleve të tjera që ju keni kërcyer?

Është vërtetë, një kryevepër kjo valle, ideuar nga “Artist i Popullit” koreografi i shquar Panajot Kanaçi dhe unë. Doja të thosha se hijeshinë, bukurinë e kësaj valle, e ka veshur muzika e shkëlqyer e “Artist i Popullit” Pjetër Gaci. Ishte valle pranvere, gurgullimë e kristaltë, veshur me ngjyrimin e kostumeve tona të mrekullueshme.

Përse vallet tona pëlqehen anë e kënd botës?

E gjithë bota kërcen, e gjithë bota ka valle, por jo si ne shqiptarët. Ne jemi komplet ndryshe nga bota. Jemi të veçantë,sepse vallet tona vijnë nga historia,vallet tona lindin nga zemra,dhe në skenë ne u japim atyre shpirtin tonë.

A ju kujtohet se në sa skena të shteteve është shpalosur vallja shqiptare?

E rëndësishme është se Ansambli ynë ka valëvitur flamurin në mjaft kontinente e shtete. Do të veçoj skenat botërore ku në jemi vlerësuar e mirëpritur më shumë. Në Azi, Afrikë e Evropë, në Egjiptin e piramidave të lashta, Algjeri e Marok, në Kinë, Kore, Vietnam, Kamboxhia, Francë,Itali, Gjermani, Norvegji, Suedi, Finlandë, Kosovë e Greqi. Kudo kemi prekur suksesin, kudo trupa jonë është ngjitur skenave me duartrokitje dhe ka zbritur me trofe.

Në një shfaqje (për herë të parë) të Ansamblit tonë në Athinë në amfiteatrin gjigant të Akropolit, Vallet tona befasuan. Të nesërmen shtypi dhe televizionet grek, komentuan gjatë këtë shfaqje. Ju kujtohet?

Nuk ka më bukur për një artist apo ansambël dinjitoz,të ekzekutoj talentin,vlerat e veta artistike,në sofrën e artit,siç ishte ajo në natyrën e Akropolit të lashtë në Athinë. Nuk mund të harroj kurrë momentet kur nisnin dhe përfundonin kërcimet e valleve tona,bukuria e artit shqiptar,aq sa tre mijë spektatorët e ndodhur në sallën jashtë në natyrë ku Athina shfaqet si në pëllëmbë të dorës, mes entuziazmit të paparë, u shoqëruan me duartrokitje e brohoritje. Ndoshta kjo surprizë e pa pritur bëri që kryeministri në atë kohë Andrea Papandreu, i pranishëm në këtë koncert, organizoi enkas në selinë e tij një takim me pjesëtarë të ansamblit tonë, i cili gjatë bisedës thotë: “ Nuk kam parë artistë që si shqiponjë fluturojnë në skenë, nuk kam parë më përpara artistë të tillë, por çuditërisht i paskemi pasur fare pranë. Nuk i kam njohur më parë Shqipërinë dhe artistët shqiptarë nuk i kam njohur. Por duke ju parë ju,duke kërcyer si fluturim,njoha shqiptarët dhe Shqipërinë. Suksese!”

Në jetën e një njeriu kush ka rëndësi?

Mendoj se të qenit njeri publik përbën krenari në vetvete, por njëkohësisht dhe shpalosje të vlerave dinjitoze njerëzore. Mbi të gjitha mendoj se artisti, duhet të ketë në çdo frymëmarrje, ndjenjën njerëzore, shpirtërore, që pa dyshim këto duhet t’i shpalosë para publikut,

 Si keni arritur që disa nga figura historike të kombit tonë të mbeten të freskët në kujtesën e spektatorit?

Ndër kërcimet më të veçanta që kam interpretuar, pa tjetër vend të veçantë zënë figurat epiko-historike. Kam pasur fatin që heronjtë shqiptarë, i kam bërë të gjallë, duke u dhënë shpirt nga shpirti im, me besueshmëri.

Si ndiheshit ju, kur ansambli ynë dhe ju merrnit trofe, dekorata, çmime të veshura në ar, dhe për çudi në Shqipëri çmimet për ju ishin “Mollë e ndaluar”?

Gjithë jetën time ia dhurova vendit tim, artit e valles shqipe,…dhe sërish kam marrë jo pak. Kudo kam ndjerë, madje dhe sot ndjej respektin e spektatorit, sepse në çdo shfaqje, në çdo skenë, në çdo interpretim kam gdhendur emrin e Shqipërisë, emrin tim. Paçka se sillja trofe ndërkombëtare, sillja medalje dhe çmime të veshura në ar…çuditërisht të tjerë dekoroheshin.

Kur ansambli shqiptar jepte shfaqje në skena botërore dhe befasonte me perlat që shfaqte, thuhej se “për këtë ansambël, edhe teatrot më të mëdha në botë me një mijë dhe dymijë vende janë të vogla. Duhej që ky ansambël të jap shfaqje në stadium.” Mund të them se salla të tilla që ju përmendët, janë vërtetë gjigante. Nga shfaqja në shfaqje,nga festivali në festival,çka bënte që emri i ansamblit tonë kudo në botë të rritej,duke bërë që zgjidhja më e mirë për ne të ishin stadiumet. Duke u vlerësuar nga personalitete folklorike ndërkombëtare angleze, franceze, turke, suedeze, vendet arabe dhe aziatike, si një ansambël me përmasa botërore, bëri që disa prej koncerteve tona, i kemi realizuar në stadiume me njëzetë deri pesëdhjetë mijë vende, ku do të veçoja festivalin botëror në Dizhon në Francë, ku në stadium ishin më se pesëdhjetë mijë spektatorë. Ishte viti 1970. Kemi konkurruar në festivale ndërkombëtarë me pjesëmarrjen e 47 vendeve nga e gjithë bota, duke arritur të dekorohemi me gjerdanin e artë. Të nesërmen, këtë koncert e shfaqëm në rrugët e Parisit, në Shën Elize, ku me mijëra njerëz të dalë në të dy anët e bulevardit, duartrokisnin dhe na uronin për bukuritë e valleve, kostumeve, kërcimeve tona. Ky koncert, i cili na lumturoi pa masë, mbetet ndër më të bukurit në jetën time.

Kërcimi më i fundit….ju kujtohet?

Natyrisht, kur ke përshkuar një rrugë të gjatë të suksesshme, në kujtesë ruhen mbresa e ngjarje të rëndësishme. Ndonëse sot jam 81 vjeç, i kujtoj ata që me të drejtë quhen “arkitektë” të krijimit të ansamblit tonë. Artistë që dhanë shpirtin e tyre në skenë. Kjo dashuri për artin bëri që të kërceja dhe në moshën 70 vjeçare, ndonëse nuk është pak. Shpirti dhe dashuria për vallen kanë jetuar çdo moment brenda meje. Janë këto të dyja të cilat në asnjë moment, nuk do më lenë të kërcej vallen e fundit. Kërcimi i fundit në koncerte e kam interpretuar në festivalin folklorik në Gjirokastër, aty ku bukuria e valleve, kostumeve, meloditë e trevave shqiptare, derdhin bukuritë e artit të tyre.

Me rastin e 60 vjetorit të krijimit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ju dekoroheni me çmimin më të lartë ”Nder i Kombit”. Po me këtë çmim të artë u dekoruan edhe i ndjeri Rexhep Çeliku dhe Liliana Cingu. Si u ndiet?

Ishte një mrekulli më vete, pasi në këtë përvjetor u shpërblye, u vlerësua puna dhe arti i një ansambli të tërë. U bëra me krah kur këtë çmim e merituan Rexhep Çeliku, i cili për fatin tonë të keq atë natë interpretoi për herë të fundit, atë natë ishte takimi i fundit me këtë artist të madh të artit tonë, duke ikur nga jeta vetëm pak ditë pas nga koncerti i ansamblit tonë, shfaqur me rastin e 60-vjetorit të krijimit të tij. U lumturova që këtë medalje e meritoi dhe Liliana Cingu. Një jetë në skenë. Falënderoj spektatorin për respektin treguar ndaj meje në natën e koncertit të ansamblit tonë, kur presidenti Ilir Meta, më dhuroi dekoratën. Gjithsesi më mirë vonë se Kurrë.

Cili do të ishte mesazhi juaj për artistët, spektatorin shqiptar?

Kudo që të ndodhemi, kudo ku punojmë, duhet të ndjejmë respekt për atë që bëjmë. Së bashku me partnerë e kolegë, kam derdhur djersë, duke sakrifikuar jo pak për të arritur deri këtu. Nuk e përjashtoj faktin se jo pak herë pas provave, kur kthehesha në shtëpi, kur hiqja çorapet, së bashku me to, ngjitur, gjaku i gishtërinjve të mi. Kemi bërë shumë, por ende na duhet të bëjmë edhe më shumë, pasi jemi ende larg asaj që duhet të bëjmë akoma. Të kultivojmë, të ruajmë si sytë e ballit, vallen e bukur shqiptare, sepse është piedestali i kulturës së kombit tonë. Me që e kemi këtë piedestal, të jepet shansi, fati ta ruash dhe veselitësh këtë pasuri të pashtershme. Arti është i bukur…është vetë Jeta.

Burimi: Telegraf.al