Kafeneja e famshme Flora vazhdoi edhe për pak vite pas çlirimit dhe ndodhej pikërisht pranë pallatit të shkrimtarëve të njohur si Kadare dhe Agolli, por që më pas u harrua, edhe pse rruga ku ndodhej u kthye për shumë vite në “Broduej” i famshëm ku të rinjtë e Tiranës së viteve 60-të kalonin pasditet dhe ndiqnin modën duke thyer tabutë e një Shqipërie në diktaturë.

Jo shumë larg, një tjetër Kafe Flora mori jetë. Këtë herë veç kafe dhe cigare qytetarët e Tiranës do të shijonin edhe ëmbëlsirat. Madje për pastiçerinë e famshme të Tiranës është shkruar aq shumë dhe janë thurrur aq poezi për çiftet që takoheshin, dashuroheshin dhe kurorëzonin dashurinë e tyre me të ëmblën pastiçeri, sa të gjithë e kanë në mendje dhe në zemër.

Kafe Flora u kthye gjithashtu në një vend ku thyheshin tabutë, pasi femrat e bukura që ndiqnin modën dhe ishin të dëshiruarat e Tiranës mund t’i gjeje pikërisht në këtë kafene. Sërish u kthye në frymëzimin e shkrimtarëve dhe, ajo që bëri bujë ishte poezia e Xhevahir Spahiut “Kafe Flora, burra plot”, poezi që u kthye në këngë nga kompozitori Agim Krajka, e kënduar nga Lindita Theodhori në festivalin e 11-të.

Kjo këngë përveçse theu tabutë, kishte ritmin modern që rrezikoi edhe burgimin e shkrimtarit të njohur por edhe kompozitorit që u vu në shënjestrën e sigurimit të shtetit edhe prej kësaj kënge.

Ismail Kadare gjithashtu ka ngritur poezitë e tij më të njohura dhe romanin “E penguara” i frymëzuar nga Kafe Flora. Shumë tregime e romane morën pak nga kjo kafe e famshme. Aq e njohur ishte për kohën sa nëse nuk kishe shkuar në Kafe Flora dhe në pastiçerinë ngjitur saj, atëherë nuk ishe tiranas dhe nuk kishe shijuar asgjë në Tiranë.

Nga kujtime të studentëve të asaj kohe, kafe Flora ishte një copëz perëndim në Tiranën e asaj kohe. Madje për këtë dhe një tjetër kafene ndoqi të njëjtin model. Protagonisti ishte një emigrant shqiptar nga Argjentina. Pati një lloj interesi të Enver Hoxhës për kthimin e emigrantëve dhe madje emigranti nga Argjentina para se të merrej me dy kafet e famshme “Flora” dhe “Tirana” tek Muzeu Historik tako diktatorin. Madje nëse shkoje tek kafe Tirana ai të hapte derën dhe të mirëpriste. Në këto kafe ofrohej edhe frape, pije shumë perëndimore në atë kohë. Edhe pamja e këtyre lokaleve ishte shumë perëndimore. Tek kafe Tirana rrinin më shumë shkrimtarë të njohur dhe artistë.

Konica.al/Bardha Nergjoni