Populli ynë është rritur me filmat e vjetër shqiptarë, madje mund të themi se edhe në jetën e përditshme përdorim shumë batuta që i kemi fiksuar prej tyre. “Rrugë të bardha” “Përrallë nga e kaluara”, “Flutura në kabinën time”, “Shote Galica”, “Kapedani” e shumë e shumë filma të tjerë mbeten ndër pasuritë më të mëdha që ne shqiptarët kemi në kinematografinë tonë. Shumë të dashur për ne janë edhe personazhet e tyre, sidomos protagonistët, të cilët mund të themi se në këto filma kanë luajtur rolin e jetës.

Shumë nga ato personazhe, por versionin e tyre modern, ne i kemi edhe aktualisht, madje i ndjekim gjatë gjithë kohës në ekranin shqiptar. Nuk po flasim aspak për aktorë, por për këngëtarë e modele të cilët në një farë mënyre na kanë ngacmuar kujtesën me një detaj, aq sa ne t’i krahasojmë për një moment me personazhet e këtyre filmave.

E mbani mend historinë e Dedës dhe Zanës në filmin “Rrugë të bardha”?

Një djalë i ri, Deda, i mbushur me entuziazmin e moshës dhe dashuri për punën, endet përgjatë linjës telefonike duke kërkuar shkëputjen.

Nga ana tjetër është edhe vajza që punon në central, Zana, e luajtur nga aktorja e njohur e cila u nda nga jeta pak muaj më parë Elida Cangonji. Pak ditë më parë, Fjolla Morina publikoi një foto në të cilën shfaqej e shtrirë në vaskën bosh, me rroba, dhe duke përdorur kokën e dushit si një telefon. Duke e parë kështu Fjolla të jep idenë e Zanës moderne, edhe pse “Dedën” me të cilin flet nuk ka dashur ta zbulojë.

“Ja ligji, ja dhe Maliqi!”- ka qenë një nga shprehjet që kushdo që ka parë “Përrallë nga e kaluara” besojmë se e mban mend. Maliqi ishte përfaqësuesi i shtetit në filmin e njohur, kryetari i komunës, i cili si të gjithë djemtë e fshatit ishte i dashuruar pas Marigosë, vajzës që ishte martuar me djalin 14-vjeçar, Gjinon. Një ngjashmëri me Maliqin, më tepër fizike, vërehet te reperi i njohur shqiptar Elinel. Edhe Elinel, njësoj si ky personazh i njohur i filmit, mban mustaqe, një detaj që menjëherë bën lidhjen mes tyre.

Shote Galica është një nga gratë më të njohura shqiptare, heroinë e popullit tonë. Ishte luftëtare e shquar e çetave kryengritëse kosovare për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të të gjitha viseve shqiptare. Një detaj karakteristik i imazhit të saj ishin dy gërshetat e gjatë, të cilët vetëm pak ditë më parë i pamë edhe tek modelja e njohur shqiptare Emina Çunmulaj. A nuk është ajo versioni i saj modern?

“Flutura në kabinën time” ka qenë një ndër filmat më të bukur shqiptarë. Të gjithë besojmë se e mbani mend historinë e dashurisë mes Tomës, djalit rebel dhe të cilësuar si i sertë nga shoqëria, por që ushqen një ndjenjë afeksioni të veçantë ndaj Fluturës, mësueses së biologjisë. E mbani mend si dukej Flutura në film?

E luajtur në mënyrën më perfekte nga aktorja Luiza Xhuvani, ajo ishte një vajzë e urtë, me flokë të shkurtër dhe mjaft e rezervuar. Pikërisht duke parë Instagram-in e Rona Nishliut bëmë lidhjen e saj me personazhin. Në një foto të publikuar, një moment këngëtarja të jep imazhin e Fluturës, mësueses. Ndoshta kjo ndikuar dhe nga look-u i ngjashëm dhe shkrepja e fotografisë pranë tabelës “Shëtitorja Sami Frashëri”.

Nuk është e vështirë të gjesh një “Kapedan”, një xha Sulo thënë më mirë, si personazhi në filmin me të njëjtin titull. Sot showbiz-i shqiptar ka shumë meshkuj me mjekër, por Landi i West Side Family na e ka bërë paksa më të thjeshtë përzgjedhjen. Në një postim të pak ditëve më parë ai e krahason veten me xha Sulon, duke marrë të njëjtin pozicion qëndrimi dhe duke përdorur të njëjtat fjalë si ai, si te ky postim. “Kush je ti moj drejtorevica?”- shkruan ai./Blitz.al/