E kush nuk i kujton trikot me rombe, kur ishim të vegjël, apo këmishat e thjeshta të baballarëve. Piet den Blanken fotograf holandez që ka vizituar Shqipërinë pas viteve 80-të, na I kujton këto detaje përmes fotove që do të vijnë tashmë në një ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar më 17 gusht.

Ekspozita fotografike quhet “The Other Side of Albanian Communism”(Ana Tjetër e Komunizmit shqiptar)dhe mbledh bashkë fotografët e famshëm holandezë, të cilët kanë dokumentuar që të gjithë periudhën para dhe gjatë revolucioneve të ndryshme në vendet e ish Bllokut Lindor. Ata kanë qenë dëshmitarë të momenteve historike, të tilla si krijimi në vitin 1980 i bashkimit polak të tregtisë, Solidarnos(Solidariteti), në Gdansk; rënia e Murit të Berlinit dhe Revolucioni në Rumani, në vitin 1989.

Gjithsesi, ata kanë kapur edhe momentet e zakonshme të përditshmërisë. Tërësia e fotove paraqet një pamje të paparashikuar dhe shumëplanëshe të Bllokut Lindor të asaj kohe. Një pjesë e veçantë e ekspozitës i dedikohet punës së foto-gazetarit Piet den Blanken, i cili ka udhëtuar nëpër Shqipëri në vitin 1986, si pjesë e grupit të “shokëve të idealit”.

Pavarësisht, ligjit që ndalonte kontaktet midis shqiptarëve dhe vizitorëve të huaj, si edhe ligjit që ndalonte realizimin e fotografive në rrugë, ai ia doli të bënte shumë fotografi të shqiptarëve dhe jetës së tyre të përditshme nën regjimin komunist. Ai I bënte këto foto në mëngjes e në mbrëmje, jashtë orarit zyrtar të vizitës që po bënte në Tiranë. Piet den Blanken është I njohur dhe për një sërë fotosh që ka realizuar në vende të ndryshme të botës./Gazeta Shqip