Memorie.al Gjatë periudhës së Monarkisë, krahas punëve të shumta në zyrë ku qëndronte mbi 14 orë në ditë, me insistimin e mjekëve të tij personal, Mbreti Zog gjente kohë edhe për të pushuar.

Ai ishte një frekuentues i rregullt i plazhit dhe pushimet verore ai i kalonte çdo vit në plazhin e Durrësit duke u akomoduar së bashku me familjen e tij dhe një pjesë të Oborrit Mbretëror te Vila e tij mbi kodrat e qytetit, të cilën ia kishin bërë dhuratë tregtarët e Tiranës dhe Durrësit në fundin e viteve ’20-të.

Ndërsa akomodimi ishte aty në Kodër-Vilë, plazhin ai e bënte aty ku sot është zona që njihet me emrin “Blloku”, e cila që në atë kohë ka qenë e mbushur me vila luksoze të qeveritarëve të asaj kohe dhe tregtarëve të shtresës së pasur ku një pjesë e vogël janë edhe sot por që e kanë humbur shkëlqimin e dikurshëm për shkak të viteve dhe ndryshimit nga ana strukturore që kanë pësuar nga pronarët e rinj.

Vajtja e Mbretit Zog në plazhin e Durrësit ishte një eveniment i veçantë dhe përbënte lajm për shtypin e kohës ku gazetat shkruanin me tituj të mëdhenj: “Mbreti Zog dhe familja e tij u nisën për në banjat e Durrësit”.

Thuhet se Mbreti Zog periudhën e plazhit nuk e kalonte thjesht duke pushuar në banjo dielli, por ai ishte mjaft aktiv dhe së bashku me njerzit që e shoqëronin, bënte stërvitje fizike duke vrapuar, duke kalëruar në ujë me kalë, apo duke vozitur në varka me lopata, si dhe ngritje shtange, etj etj.

Këto pasione dhe hobe të tij janë fiksuar në foto të ndryshme nga fotografët e oborrit Mbretëror, si Marubi, Ristani, Jakova, etj, ku disa prej tyre Memorie.al i sjell për lexuesit e saj.

Materiali është marrë me leje për publikim nga portali: Memorie.al