Elena, Nikolla dhe vajza e vogël në Tiranë, besohet në fillim të viteve ’40. Po ashtu faksimile nga vendimi i lirimit nga internimi i vitit 1953

Nga Kastriot Dervishi

Elena Beça ishte shtetase franceze. U martua me Nikolla Beçën nga Elbasani, gjatë kohës që ky i fundit jetonte në Francë ku kryente studimet e larta në drejtësi. Pavarësisht se ishte djali i Andon Beçës, Nikolla nuk u mor kurrë me politikë (i tillë ishte edhe opinioni në popull i vjelë nga organet e Mbrojtjes së Popullit). Ai kishte një dyqan në Tiranë dhe merrej vetëm me tregti. Elena la Francën dhe jetoi në Tiranë. Pas arrestimit të Nikollës më 26.1.1946 dhe dënimit të tij me 10 vjet burgim në procesin e opozitës së parë me Sami Çeribashin, Qenan Dibrën, Musine Kokalarin, etj, pavarësisht se nuk i dilte asnjë implikim apo lidhje politike, Elena jetoi në varfëri së bashku me vajzën e saj të vogël. Sikur të mos dilte kjo, ajo u internua më 6.6.1952, besohet në kampin e Tepelenës (dyshimi nga mungesa e informacionit të plotë dhe ngaqë ishte me fëmijë të vogël). Në njoftimin e datës 1.10.1953 të Ministrisë së Punëve të Brendshme për Kampin nr.5 Kamëz dhe Kampin nr.6 Tepelenë, në krye të listës së personave që liroheshin është emri i saj. Të dhënat e mëpasme mungojnë.

Burimi: 55News.al