Tefta Radi ka sjell në Dita kujtimet e Aleksandër Lalos dhe Sherif Merdanit për bashkëshortin e saj, Françesk Radi.

Rrëfimet e kolegëve janë pjesë nga libri që do të dalë për publikun në muajin qershor.

Më poshtë lexoni kujtimet që ka lënë Aleksandër Lalo, përpara se të ndërronte jetë dhe Sherif Merdani për mikun e tyre Françesk Radi.

“Françesk Radi ishte një artist i jashtëzakonshëm, një artist i vërtetë. Bashkohës, kemi ndarë ëndrrat, dëshirat, thashethemet bashkë, gjithçka. Kemi shkëmbyer muhabete muzike. Unë si kompozitor dhe si mik i tij, por dhe si analist i kritikës. E kam njohur mbi 40 vite më parë që kur ishim studentë e mbetëm miq deri në fund. Kam punuar me Frankon edhe në Estradën e Shtetit në vitet ‘80 të shekullit të shkuar. E kishte shumë të vështirë të dilte si kantautor.

Kemi bërë një luftë të madhe duke thënë se Françesku nuk imiton Çelentanon. Ka mjaft njerëz zërat e të cilëve ngjajnë. Kur flet me ta në telefon vështirë të dallosh njërin prej tjetrit. Kështu ndodh edhe me Frankon. Për hir të së vërtetës ishim muzikantë e kompozitorë me prirje liberale, ndaj dhe survejoheshim. Edhe gjatë kohës që ishte në Fushë -Arrëz, takoheshim sa herë shkoja apo kthehesha nga Kukësi ku isha emëruar. Drekonim bashkë e bisedonim gjithçka.

Po, ka qenë një djalë me kolonë vertebrore, ka ruajtur gjithmonë stilin e tij, qoftë nga pikëpamja profesionale, qoftë nga ajo njerëzore. Është i papërsëritshëm në mënyrën se si ka shkruar këngët, sepse në zanatin tonë nuk ka nevojë të bësh çudi të madhe: nëse ajo që bën nuk ngjan me të tjerët, ka të bëjë me vlerat, me origjinalitetin.

Franko ruajti gjithmonë stilin e tij si nga pikpamja profesionale ashtu dhe ajo njerëzore. Eshtë shumë origjinal dhe i papërsëritshëm nga mënyra e shkrimit të këngëve. Franko ndoqi stilin e tij dhe në tematikën e këngëve, duke shprehur dufet e tij dhe revoltën në mënyrë artistike.

Temat e tij shoqëruan dhe i paraprinë kohës. Franko ka këngë të veçanta dhe këtë nuk e them si mik i tij, por si analist. Dallojnë këngët e tij! Në të gjitha kohët Françesku mbeti ai që ishte, modeli i artistit dhe njeriut, pa u qurravitur për hallet e tij , as në intervista e as publikisht.

Franko është ndër të paktët muzikantë konseguentë në krijimtarinë e tij. Nuk e ka tradhëtuar as veten dhe as fansat. Ka ardhur në ngjitje edhe pas viteve ’90. Ka ditur të ruaj bukur stilin e tij muzikor, ka ditur të ruajë harmoninë dhe të marrë me mjeshtëri motivet popullore nga të gjitha trevat dhe t’i sjellë të stilizuara si në muzikën e lehtë dhe në atë qytetare, në këngët e orkestruara me mjeshtëri prej tij.

Ishte njeri i drejtë dhe larg servilizmave. Na iku edhe një muzikant i shkëlqyer. Një zë i veçantë me të vërtetë në muzikën shqiptare, jo thjesht per kompozimet e tija, për këngët e tija, por për një nga gjërat më interesante të tija , për mesazhet që përçoi me krijimtarinë e tij.

Françesku nuk ishte si të tjerët, e kërkonte motivin, e kërkonte fabulën. Brenda kishte një duf të fshehur diku, të shprehur me shumë zanat. Një zë teper i rrallë. Asnjëherë nuk ka qënë e vërtetë se ky njeri ka imituar dikë. Kurrë s’ka qënë e vërtetë. Këto janë thashethemet e njerëzve diletantë, e njerëzve të pa formuar, e njerëzve xhelozë, egoistë.

Franko pamjen e jashtme e kishte nga natyra, djalë simpatik, me atë kitarën, stononte shumë në atë kohë kur duheshin njerëzit fix fare. Françesk Radi ishte një artist i jashtzakonshëm, një artist i vërtetë”.

Aleksandër Lalo, kompozitor

***

“Rrallë bashkohet një muzikant, një këngëtar, një kantautor me njeriun e vërtetë. Franko ishte i mrekullueshëm.

Ai nuk ishte vetëm një këngëtar, kantautor, por ishte edhe miku im i madh. Është njeriu i artit, që më ka pritur i pari pas burgut, më ka përqafuar me një dashuri dhe me mall të jashtëzakonshëm. Ishim miq e takoheshim shpesh. Diskutonim për muzikën aktuale, kujtonim rininë tonë, idhujt që kishim në atë kohë, unë Tom Xhons të cilin përpiqesha ta shqipëroja, jo ta imitoja.

Françesk Radi, miku im dhe kantautori i mrekullueshëm kishte për ideal një Çelentano dhe ay e shqipëroi aq bukur, me aq origjinalitet dhe i dha vlera vetes. Franko ka adhuruar gjithçka të Çelentanos, kitarën, zërin, tekstet, muzikën, stilin.

Nuk kishte rast që Franko gjatë netëve vallëzuese, argëtuese të mos këndonte këngët e tij. Interpretimi i këngëve të Çelentanos nuk ishte kënaqësi vetëm e Frankos, por edhe dëshira e miqve apo e spektatorëve ku ai ndodhej. I mjaftonte kitara, pasi tekstet e këngëve të Çelentanos i njihte të gjitha, për të krijuar atmosferë të paharuar, spektakolare.

Nuk mund të haroj kurrë vitin’72, kur me dy këngët e tij të famshme “ Adresa “ dhe “ Biçikleta”, ishte një surprizë e vërtetë, na befasoi të gjithëve, na vuri në garë, por ne nuk e arrinim dot. Sepse Françesku jo vetëm që këndonte mrekulli, por kishte shkollën e muzikës, kishte një kulturë muzikore, një instrumentist virtuoz dhe të garoje me të ishte shumë e vështire.

Rrallë bashkohet një muzikant, një këngëtar, një kantautor me njeriun e vërtetë. Ai ishte i mrekullueshëm. Zëri i tij ishte i ëmbël dhe i mrekullueshëm, do të jetë aktual gjatë gjithë kohës. “Muzika humbi një njeri të mrekullueshëm, shumë paqësor dhe të dashur. Humbi një artist të madh”.

Sherif Merdani, këngëtar

Burimi: GazetaDita.al