Përmes 60 fotosh emblematike në dimensione të mesme e të mëdha që kanë në thelb kujtesën e dokumentimin, përgjatë një dekade dramatike, të mbushur me ngjarje të një rëndësie të jashtëzakonshme për historinë e shqiptarëve, ekspozita ofron një udhëtim në shoqërinë shqiptare gjatë periudhës së autokracisë.

Autori ndalet në kontraste të fuqishme, tablo të gjalla që kanë në fokus të objektivit Shqipërinë e pas ’80-ës me demagogjinë, pankartat a parullat me gurë, paradat komuniste.

Bunkerët e kudo gjendur, ngrehinat e kultit të shndërruara në salla teatri, kafene, shtëpi kulture a të braktisura, varfërinë ekonomike, shtypjen politike e shoqërore gjatë periudhës së autarkisë, figurën e gruas shqiptare, fëmijë dhe nxënës të shkollave dhe jo vetëm.

Për Setboun janë po kaq tronditëse momentet e Shqipërisë në pikënisjet të viteve ’90.

Michel Setboun, konsiderohet si një ndër fotoreporterët më të rëndësishëm ndërkombëtarë për Shqipërinë dhe një nga dokumentuesit më këmbëngulës të historisë së Shqipërisë nga viti 1981 e në vazhdim, pasi mbetet thuajse i vetmi fotograf i huaj, i cili ka mbërthyer me aparatin e tij, si askush tjetër e në mënyrë të vazhdueshme, gjatë gati katër dekadave të fundit gjithë zhvillimin politik, shoqëror dhe kulturor të vendit skaj më skaj.

Arkivi fotografik mbi Shqipërinë ka mijëra fotografi dhe është i një rëndësie të veçantë, si historike ashtu edhe artistike. Kjo ekspozite ne vitin 2018-te u çel ne COD, në Kryeministri, ndërsa ne Fier do qëndrojë e hapur deri në fund të muajit korrik.

Burimi: RTSH.AL