Bilbili i muzikës, Nexhmije Pagarusha nuk ka “ngrohur” vetëm shpirtrat e shqiptarëve me zërin e këngët e saj, por ka shërbyer si frymëzim e model për breza të terë edhe me stilin e saj të veshjes.  Emisioni “Rudina” në Tv Klan e vendosi fokusin ditën e sotme tek dasmat, mënyra e organizimit të tyre, por edhe ndryshimi i tyre përgjatë viteve. Për të treguar eksperiencat e tyre të ftuar në studio ishin aktorja Suela Bako, ekonomistja Anila Çobani dhe koreografja Enada Hoxha. Ato kanë rrëfyer për eksperiencat e tyre personale dhe traditën shqiptare të dasmave.

Anila Çobani është martuar për festat e Nëntorit, pikërisht në 28-29 Nëntor. Fustanin e ka qepur duke kopjuar një model të një fustani që Nexhmije Pagarusha ka veshur kur ka ardhur për koncert në Tiranë.

“Fustane mezi gjeje në atë kohë, madje në atë kohë gjeta një copë, siç sillnin atëherë njerëz të rrallë në Shqipëri, gjëra nga jashtë dhe meqenëse e përmendnim këto ditë Nexhmije Pagarushën, unë kisha në sytë e mi një fustan të bardhë, ku ajo kishte ardhur dhe ka bërë një koncert në Tiranë. Modelin e saj unë e qepa pikë për pikë, siç ishte dhe ashtu e kam patur fustanin, një model viktorian. U mundova të përshtasja dhe makeup-in dhe krehjen e flokëve, me ato problemet e llakut të asaj kohë që binin.”- Anila Çobani

Burimi: Fjala.al