Nga Albert Vataj

Karriera e Roland Trebickës si aktor, fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961.

Në vitin 1971 emërohet si aktor në Teatrin Popullor. Kritika dhe kolegët e kanë vlerësuar vazhdimisht me nota maksimale për sensin e jashtëzakonshëm të humorit, brenda dhe jashtë skene, në rol dhe jashtë rolit.

Kulmin e suksesit në publik, e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë “Pallati 176”.

Mjeshtëria e tij në këtë rol ndikoi fort, që komedia të thyejë të gjitha rekordet e mëparshme të shikueshmërisë, “Jovan Bregu” është figura më popullore e skenës shqiptare, batutat e të cilit prej kohësh janë bërë pjesë e folklorit dhe zhargonit të sotëm.

Por, rolet e Trebickës në teatër, janë të shumtë.

Roland Trebicka ishte dhe mbeti nje prej komikeve me te mire te lendes satirike

Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos tek “Magjia e madhe”, Zganarelit tek “Don Zhuani”, Hlestakovit tek “Inspektori” (“Revizori”), te “Një burrë me trëndafil”, “Ne të gjithë këndonim Margaritën”, “Darka e të marrëve”, “Jashtë bie borë”, “Stjuardesat”, Kontin Almaviva “Berberi i Seviljes”, Vinsenti “Të gjithë me huqe”, “Një tabllo absurde”, “Ëndrra e Ismail Qemalit” etj.

Aktoret, Roland Trebicka dhe Naun Shundi, duke interpretuar ne tragjikomedine, “Si e Mposhta Musolinin”, gjate nates se gjashte te Festivalit te Teatrove ne Butrint.

Në vitin 2002, për rolin e Rojës te “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kandidat për Çmimin “Aktori më i Mirë Mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, Kajro.

Është nderuar me titujt “Artist i merituar”, “Mjeshtër i Madh” dhe së fundmi, Bashkia Korçë i akordoi titullin “Nder i qytetit”.