Gaqo Cako
Gaqo Cako

Gaqo Çako ka lindur më 24 janar 1935, është këngëtar shqiptar. Mban titullin Artist i Popullit.

Tenori legjendar, Gaqo Çako, Artist i Popullit, është i rreshtuar në emrat e mëdhenj të Panteonit të muzikës shqiptare si Ramiz Kovaçi, Mentor Xhemali, etj. Midis viteve 1957 dhe 1961 ai studioi në konservatorin “Çajkovski” të Moskës nën drejtimin e pedagoges Anna Soloviova. Pas kthimit në Shqipëri më 1961 ai u emërua tenor i përhershëm i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, ku këndoi shumë nga rolet e para të repertorit operistik, duke u bërë kështu tenori kryesor për tri dekada me radhë. Përvoja dhe karriera e tij mjaft e pasur në operat “Traviata”, “Bohema”, “Rigoleto”, “Norma”, etj, si dhe operat shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos, “Pranvera” e Tish Daisë, “Heroina” e Vangjo Novës, “Skënderbeu” i Prenk Jakovës e “Skënderbeu” i Abdulla Grimcit, “Komisari” i Nikolla Zoraqit, “Zgjimi” i Tonin Harapit, “Toka e jonë” e Pjetër Gacit, etj, e bëjnë atë me një karrierë të shkëlqyer. Mjaft i njohur edhe në skenat italiane, ku ai ka mbaruar konservatorin e Santa Cecillias. Zëri i tij është kthyer në objekt kënaqësie kudo që ai dëgjohet e shfaqet, në opera, në televizion, në radio, në salla të mëdha a të vogla koncertesh. Përfshirja e tij në të gjitha llojet e muzikës vokale ka si qëllim të vetëm t’i kënaqë dëgjuesit me pjesët që ai këndon. Edhe pse vlerën më të madhe ai e pati në interpretimet e roleve operistike, ai u popullarizua nëpërmjet këngës, veçanërisht atyre të Festivaleve të Radios.

Fëmijërinë e kaloi në Korçë, aty ku serenatat nuk reshtën asnjëherë së kënduari. Më pas u vendos në Kuçovë, ku dhe spikati nëpër aktivitetet në shtëpinë e kulturës, ku edhe i dhanë të drejtën për studime në Liceun Artistik. Adoleshencën e kaloi në Tiranë. Edhe kështu gradualisht nisi rrugëtimi i mirëfilltë artistik për të, derisa iu dha edhe mundësia që të na përfaqësonte, jo vetëm nëpër institucionet tona kulturore, por edhe nëpër ato ndërkombëtare. Ka shëtitur pothuajse në të gjithë teatrot e botës. Ka interpretuar veprat më të mira të kompozitorëve botërorë, edhe shqiptarë, por edhe ka kënduar në 28 edicione të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Sot, më 24 janar është tetëdhjetë vjeç. Ky zotëri jeton në hyrje të rrugës “Luigj Gurakuqi”, së bashku me bashkëshorten e tij. Bëhet fjalë për tenorin e mirënjohur Gaqo Çako dhe për sopranon Luzia Çako. Ata vijnë në një rrëfim për gazetën “Shekulli”. I takuam të dy në apartamentin modest, që gjendej në katin e katërt, aty ku ata ndajnë edhe pjesën më të madhe të kohës të kohës me njëri-tjetrin. Në të katërt cepat e dhomës së pritjes gjendeshin fotografi të çiftit, teksa ishin duke interpretuar role të ndryshëm në skenë, brenda edhe jashtë vendit. Artisti Çako gjatë bisedës me ne ndau momentet e para në krijimtarinë muzikore, rrugëtimin e mëtejshëm në skenë, bashkëpunimet me artistë, por pa lënë mënjanë edhe mbështetjen e madhe, që ka patur nga bashkëshortja e tij Luiza, me të cilën para disa ditësh ka bërë plot 52 vjet martesë.

Zoti Gaqo, sot mbushni 80 vjeç, një jetë në skenë si artist. Por nëse rikthehemi në kohë a ju kujtohet se nga i keni patur ndikimet e para në muzikë?

Unë jam nga Korça, edhe deri dje ky qytet ka qenë grupi i kulturës, i serenatave, i modës në atë kohë, sepse duke qenë se ka qenë nën influencën franceze, ky qytet ka qenë shumë i zhvilluar. Unë qysh i vogël kam kënduar, edhe e kam patur pasion këngën. Edhe kur nga Korça shkuam në Kuçovë, jam angazhuar në shtëpinë e kulturës. Fillimisht këndoja nëpër koncerte edhe nëpër raste të ndryshime. Duke më parë njerëzit se unë kisha një lloj talenti më akorduan një bursë për në Liceun Artistik. Në vitin 1952 bëra provimin edhe mbarova shkollën shumë mirë, së bashku me Luizën, sepse ne jemi njohur qysh në Lice Artistik, vetëm 3 vjet diferencë kemi. Luiza ka qenë në skenë bashkë me mua. Pasi mbarova Liceun mua mu dha bursa për të shkuar në Rusi për studime. Konservatori i Çajkovskit në Rusi ka përgatitur kuadro të fuqishëm, edhe të talentuar. Edhe unë pata fatin që të jem nën drejtimin e një pedagogu shumë të mirë, edhe me ndihmën e tij munda që të aktivizohesha në rrugën time skenike. Më pas mbërrita në Shqipëri ku më emëruan në TKOB.

Ju kujtohen emocionet e koncertit të parë në TKOB?

Po, më kujtohen. Koncerti i parë ka qenë kur ne kishim ardhur nga Rusia, ishim shumë artistë. Më kujtohet koncerti i parë edhe sepse pati një sukses shumë të madh, publiku është ngritur në këmbë, qysh atëherë filloi një epokë e re në TKOB. Në piano jam shoqëruar nga Margarita Kristidhi. Kështu filloi karriera ime në TKOB, derisa pas sukseseve të njëpasnjëshme fillova të këndoj edhe operat “La Boheme”, “La Traviata” etj. Më pas më dhanë një bursë tjetër specializimi për në Itali. Kur mbarova specializimin u ktheva edhe më i pjekur, jo vetëm fizikisht, por vokalisht, edhe mendërisht, sepse i kuptoja problemet më ndryshe. Nisa që të reflektoja në arti tim për ta paraqitur atë sa më bukur. Kështu që gradualisht jam bërë një artistë, që ka kënduar të gjitha rolet, në të gjitha koncertet. Kam shkuar në të gjitha shtetet për të kënduar, deri në Kubë, në Irlandë, Kanada etj.

Cilin koncert do të veçonit nga ata që keni realizuar, si më mbresëlënësin brenda apo jashtë vendit?

Jashtë vendit ka qenë ai në Kubë, sepse atje kam qëndruar dy muaj e gjysmë. Është një vend që e do shumë artin, të bukurën. Unë shkova për 15 ditë, por ata më kanë mbajtur 3 muaj, së bashku me Mentor Xhemalin. Jo vetëm që kam kënduar, por më pas më kanë aneksuar pranë Teatrit të Operës së tyre, dhe kam bërë tërë ata koncerte, me artistë kubaneje. Ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm për mua. Por kënaqësia më e madhe për mua ka qenë, që unë kam kënduar në Shqipëri. Këtu do të jetoja edhe do të banoja, me shokët edhe me miqtë. Prezantimi im në skenën shqiptare më ka dhënë kënaqësi të madhe, qysh kur kam qenë i ri, edhe deri sot, sepse kam marrë pjesë në disa koncerte.

Ju keni marrë pjesë edhe në 28 festivale të këngës në RTSH? Këngët tuaja vazhdojnë ende të interpretohen edhe nga brezi i ri në skenë… Cili është çelësi që këto këngë i kanë rezistuar kohës më tepër se sa ato që shpallen fituese në festivalet e viteve të fundit?

Megjithëse asokohe fryma ka qenë e partisë, gjithmonë kanë fituar këngët e bukura, pa thënë parti, pa thënë Enver. Për shembull kënga “Këputa një gjethe dafine”, nuk ka lidhje fare me partinë, apo edhe “ Udhët e atdheut na thërrasin”, që kam kënduar unë. Pavarësisht se ideologjia ishte ashtu, këngët e bukura i vlerësonte. Fitonte më e bukura, ajo që të mbeste në vesh. Unë mendoj se këngë e bukur është ajo që ka jetë të gjatë. Shijet janë të ndryshme, por ky fakt e masivizon mendimin. Sot shikojmë se fitojnë këngë në festivale, që edhe fshihen. Këngët duhet që të ngelen, ne kemi këngë që janë kënduar para 50 vjetësh, edhe këndohen ende, sepse ato ngelin ndër më të mirat.

Përgjatë tërë këtyre viteve në skenë, në rrugëtimin tuaj artistik, sa ju ka mbështetur Luiza?

Ajo më ka mbështetur gjithmonë në të gjitha drejtimet, ka sakrifikuar veten e saj shumë, edhe më është dedikuar mua. Kjo është më kryesorja. Ka plotësuar të gjitha kërkesat e mia, nuk ka kursyer asgjë, edhe sot e kësaj dite më ndihmon për çdo gjë.voal.ch