Shkrimtari dhe pedagogu Bedri Dedja

Nga Aleko Likaj

Nuk do ta kisha besuar kurrë se ai takim në mesditen e 30 Qershorit të vitit 2001, në një lokal përballë Shtëpisë së Pionierit të Tiranës, do të ishte i fundit me profesor Bedriun. Nuk do të shiheshim më edhe pse një vit më vonë kam marrë një letër emocionuese, këtë herë,shumë larg nga Shqipëria. Së bashku me një kolegun tim gazetar në Tiranë, u gjetëm tek “Guva”. Sa për të pirë një kafe. Një çast më vonë, ndjeva se dikush më preku sup nga pas.U drodha nga befasia.Profesor Bedriu buzëqeshte një hap më tej. Në sy kishte një shkëlqim e gaz të pa fshehur së bashku me një emocion që e bënte të dridhej paksa.

Ishte ngritur nga një tavolinë pak metro më tej ku gjerbonin kafe, me mikun e tij më të mirë në Elbasan, shkrimtarin Astrit Bishqemi, që edhe ai u gjet ne kryeqytet, ne krah te profesorit. Dukej i dobësuar dhe i hequr në fytyrë e paksa i krrusur nga pesha e viteve. Kaçurelat gjysëm të thinjura i jepnin një hije tjetër portretit të tij të hequr në fytyrë, por që ende i a fshihnin moshën e vërtetë

– Dua të të përqafoj e të uroj për romanin që më nise dy javë më parë. Bukur. Por edhe për lajmin që na solle i pari në shtëpinë tonë nëpërmjet ekranit të televizionit, për Lantin, tim bir.Kam qenë me Pandorën dhe të më besosh që kemi derdhur lot. E bëtë deputet të Elbasanit. Kjo natyrisht që më gëzon e lumturon së tepërmi. Elbasani e tregoi edhe nje herë dashurinë dhe rrespektin që ka patur për mua… U jam borxhlij deri në vdekje.

Aso kohe isha gazetar tek e përditshmja « Koha Jonë ». Ca ditë më parë ishin bërë zgjdhjet për në parlament. Natyrisht kam ndjekur gjithë prefekturën e Elbasanit dhe më është dashur gjatë gjithë ditës të jem herë pas here në transmetim direkt të televizionit « Koha » që ishte e kompanisë « Koha Jonë ». Taulant Dedja që kishte kandiduar edhe në lagjen ku banoja unë, në zonën 51, ishte nga të parët kandidatë që rezultonte në shifra fitues, ndërsa të tjerët deri në mesnatë kanë qenë në diskutime midis dy kampesh të politikës shqiptare.

Madje në atë mesnatë « kundërshtari « i Lantit, një mjek i njohur infeksionist që përfaqsonte opozitën, dhe banonte tashmë në kryeqytet, sapo më kishte ndjekur në televizion, më telefonon duke më dërguar një lumë sharrjesh e ofendimesh me një fjalor që më bëri të trishtohem edhe pse e kam konsideruar si mik dhe mjek shtëpie.Ai pretendonte se « ishte fituesi i garës », madje edhe me një diferencë të lartë votash…

Ato ditë kishte dalë nga shtypi edhe romani im për femijë « Porta hapet në mesnatë », me temë nga historia e sopotarëve dhe luftëtarëve të Gjorg Golemit. Kishte qenë më tepër një nxitje e vetë profesor Bedriut në fillim të vitit 80 të. Pastaj , ai kishte qëndruar në sirtarët e mij për shumë vite…për të pritur rradhën, dhe natyrisht kohën që të impononte buxheti personal.

Shpesh kam patur konsulencën e këtij njeriu me zemër të madhe.

Profesor Bedri Dedjen, e kishin sjellë në Elbasan shumë vite më parë, në mezin e viteve 70 – të. Nga zëvëndësministër. në vitin 1973, me t’u krijuar Akademia Shqiptare e Shkecave, ai u zgjodh sekretar shkencor i saj. Në këtë post ndenji deri më 1975, kur e deportuan në Elbasan. Dedja erdhi në Elbasan me motivacionin “qarkullim i kuadrove. Në fëmijërinë time kam qenë lexues i rregullt i librave të tij, aq, sa personazhe si Farbardh Pikaloshi, por edhe “kacamisri” i përrallave së bashku me kalamajtë e pallatit që endeshin nëpër faqet e një romani tepër tërheqës, më ishin bërë jo vetëm shokë të pandarë por edhe diçka më tepër.

Natyrisht, që njeriu shumë dimensional rrezatonte jo vetëm kulturë, por edhe etike në mardhëniet me të gjithë moshat. Në qytetin tonë të Elbasanit ai u ndje vërtetë mirë. Dhe kjo, nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Gjithmonë mes miqsh të të gjithë moshave. Punonte në Institutin e Lartë Pedagogjik, sot Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, si pedagog i pedagogjisë dhe psikologjisë, por mbasdite e shihje gjithmonë, aty në qendër të Elbasanit. Kur vinte pranvera e karakaftet e para çelnin përreth, niste e shkonte “sa për një shëtitje përtej Krastës, a faqes së Krabës”. E sillnin shoferët që e njihnin që të gjithë profesorin së bashku me tufën e karakafteve të rralla, që për Bedriun kishin një kuptim të dyfishtë.

I donte shumë fëmijët. Madje ata që i njihte me emra i përkëdhelte vazhdimisht. Kishte shumë miq midis tyre e bisedonte si i barabartë. Bota e pafajshme e tyre ishte njëkohësisht objekt i studimit të këtij shkenctari, por dhe lënda e parë në librat që shkruante e përgatiste në atë kohë. Në studion e vogël të shtëpisë se tij kam parë në dorëshkrim tregime e romane që u botuan më vonë. Brenda tyre gjeje subjekte interesante por edhe një pedagogji e psikologji të veçantë. Këtu ishte e mbeti meraku i vetëm i profesor Bedri Dedes, që konsiderohet sot me plot gojën, si arkitekti dhe themeluesi didaktik i letërsisë së re të fëmijve, në gjysmën e shekullit që posa lamë pas.Pa dyshim, pas shkollimit në ish Bashkimin Sovjetik në fund të viteve 40 të, bota e fëmijve ishte dhe mbeti ëndëra e jetës së tij.

I diplomuar në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë për shumë vite me rradhë ai ka punuar në hartimin e teksteve si dhe në strategjinë e arsimit e shkollimit që ndiqej në atë kohë. Eshtë përgatitësi dhe hartuesi i shumë teksteve të këtyre lëndëve në të gjithë hapsirat e arsimit tonë. Madje për një kohë ka punuar edhe si zëvëndës ministër në Ministrine e Arsimit. Pikërisht, këtu filloi edhe kalvari për intelektualin Dedja. Diku lart në udhëheqien e asaj kohë nuk i pëlqeu platforma e revolucionarizimit të shkollës e cila u përgatit si projekt – maket, nga profesori shkenctar në këtë fushë. Mbase ky ka qenë në të vërtetë edhe fillimi i kalvarit për këtë gjigand të mendimit pedagogjik. Këtë nuk i a thanë asnjëherë përballë

Me ka mbetur në kujtesë një episod i rrallë dhe interesant nga ajo kohë në Elbasan.Një buzë vjeshte, në një prej lokaleve të qendrës, aty në krah të teatrit “Skampa”, u nisa të takoj Astrit Bishqemin, me të cilin e kishim planifikuar atë mbasdite. E gjej me profesor Bedriun.Me sa duket, profesori ishte ndodhur aty me parë se të vinim ne.Ai për Astritin kishte një rrespekt dhe dashuri të veçantë. E vlerësonte dhe e nxiste në shkrime. Kujdesej si një shok e mik i madh.Bashkë i diskutonin edhe planet krijuese. Gjithmonë profesori ndërhynte me takt.

Në një moment të tillë i gjeta edhe unë atë ditë me shi dhe erë.Isha i vonuar.Astriti më kishte thënë se do të merrte lejen krijuese për të shkuar ne Llixhat e Elbasanit. Miku im Bishqemi, kishte praktikë pune që kur i vinte ndërmënd një ide tregimi (e përftuar kjo qoftë nga ndonjë ngjarje e castit që i ndodhte para syve të tij, qoftë nga ndonjë bashkëbisedim me ndokënd, qoftë nga ndonjë lexim gazete a dokumenti tjetër), pra kur gjente dicka që kishte brenda saj një fabul për një tregim për fëmijë, e shënonte idenë e tij me dy radhë në një copë letër ç’farëdo që kishte në xhep. Këto skeda mandej, kur kishte kohë të lirë, i merrte dhe i trajtonte, i kthente në tregime…

Bedriu heshti në një çast. Rufiti kafen dhe hodhi vështrimin tej dritares ku gjarpëronin rrëketë e shiut në qelq.Pastaj e vendosi qetësisht filxhanin mbi syprinën e tavolinës dhe pyeti se me çfare do te merrej konkretisht atë muaj. Astriti lëvizi në karriken e drunjtë të veshur me një damask kafe e ornamente më të errta, që dukej si i dalë boje. U skuq në fytyrë. Kishte një natyrë prej të ndrojturi, duke ulur sytë poshtë.

– Do ti kushtohem një vëllimi me tregime. Më janë bërë një grumbull skedash që presin t’i kthej në tregime

– Për shëmbull, – tha Bedriu

Dhe Astriti nisi t’i tregojë, se, atë verë kishte qenë në malësitë e Dardhës të Librazhdit. Atje kishte njohur një bari që ishte ndeshur me ujkun dhe kishte dalë fitues mbit të…Mund që të dilte një tregim interesant.

– Në këtë skedë këtu kam një ide tjetër – tregoi pastaj një fletë që e nxori nga një bllok i trashë që e mbante me vehte, ndërsa profesori dukej se kishte tretur vështrimin diku në një vënd të pa përcaktuar të atij mjedisi që na dukej si intim

– Jo, jo – e mori fjalën profesori. – Mos u shpërnda në ide të tjera.

Vuri buzën në gaz dhe u mbështet në kolltuk. Dukej i lumtur. Këtë e tregonin sytë që në atë çast morrën një shkëlqim vezullues.

– Këto dy javë në Llixhë merru vetëm me bariun që u kacafyt me ujkun dhe ka për të dalë një novelë e bukur. Mos nguro.

– Novelë ?! – u çudit Astriti që dukej si i zënë në faj. – Ajo ngjarje preston vetëm për një tregim.

– Jo, jo – nguli këmbë profesori.- Të gjitha këto që më tregove me gojë, hidhi në letër në mënyrë artistike dhe ke për të parë…Fundja, harxhoje këtë dyjavësh të Llixhës me bariun tënd. Edhe po nuk të doli novelë, s’ke ç’humb. Ti ke një krijimtari të bollshme. Nuk mund të të akuzojë kush se ke shpërdoruar lejen krijuese.

Dhe me të vërtetë, Astriti u kthye nga Llixha atë vit me dorëshkrimin e një novele të titulluar, « Një verë plot ngjarje », novelë që u botua dhe fitoi dhe çmim në konkursin kombëtar…E njihte mirë botën e fshatit sepse për disa vite kishte qenë mesues andej

Por bashkpunimi midis Astrit Bishqemit dhe Bedri Dedjes vazhdoi më tej atë vit. Ai e çmonte shumë elbasanasin si autor të letërsisë për fëmijë, sidomos në atë shkencore, por edhe në tema të tjera të moshës së të vegjëlve tanë. Astriti atë kohë ishte redaktor në gazetën lokale, « Shkumbini », por mëndjen dhe zemrën e kishte tek letërsia.

Ka qenë një kohë kur nga Elbasani dhe nga gjithë Shqipëria ishin tërhequr që të gjithë specialistët kinezë. Kjo ishta ndjerë edhe në ish kombinatin metalurgjik të asaj kohe.Disa uzina kishin mbetur përgjysëm në realizimin e projekteve të tyre. Astriti kishte shkruar një novelë për furrnaltën e cila shkrinte tërësisht mineralin e hekurit. I a dha profesorit për ta parë dhe për të bërë ndonjë vërejtje. I erdhi dhe një propozim ; « A i hyjmë së bashku që të krijojmë një dramë për të rritur me ngjarjet e kësaj novele ? Dhe kështu ndodhi.

Novela u konvertuane tre akte teatrore ndërsa profesor Bedriu shkruajti tre akte të tjera që iëshin në funksion të veprës. Nga kjo lloj « shartesë » lindi edhe drama « Pesha e Atdheut » e cila u vu në skenë me sukse nga trupa e Kombinatit Metalurgjik. Në përgatitjen e kësaj dramë Bedriu dhe Astriti shkonin çdo ditë pasditenë provat e aktorëve. »Pesha e Atdheut » shërbeu më vonë edhe si një « udhërrëfyese për dramën « Furrnalta » me të cilën u paraqit trupa e Teatrit Popullor në kryepremierën e vitit.

Kam patur “fatin” që të jem, mbase lexuesi i parë, them kështu , sepse profesori me dha ne dorëshkrim romanin e tij “Qyteti me tre kështjella”të cilin sapo e kishte përfunduar. Pas tij edhe të dy librave të tjerë më temë shkencore.Kemi biseduar pastaj jo vetëm si dy miq të mirë, por më ësht kërkuar që të jem edhe në rolin e një “kritiku”. Kjo më ka emocionuar se tepërmi, por profesori më nxiste në këtë drejtim. Ja që nuk u bera dot kritik në fushën e letërsisë për fëmijë, por një autor i zakonshëm.Në atë periudhë qyteti im Elbasani ishte bërë epiqendra e letërsisë për fëmijë. Së bashku me profesor Bedriun, “qarkullimi” kishte sjellë edhe Odise Grillon”. Të dy këta korifej të këtij arti kishin krijuar një atmosferë vërtetë të prekshme midis nesh. Së bashku me Astritin, Musa Vyshkën, Ferit Ramën, Hyjni Cekën, Milianov Kallupin e tregimtarin e ri Nazmi Seitaj, përbënin, një lloj “shtabi letrar”, që ato vite solli për bibliotekën e të vegjëlve tanë, vërtetë një bum krijimesh me vlera.Pa dyshim që ndihma Bedri-Odise, në këtë mes ishte ajo që na vuri në moto ndër ato vite

Kisha botuar librin, “Trimi i vogël i Skënderbeut”, një kopje e të cilit i a kisha dhuruar edhe profesor Bedriut. Ka qenë vera e vitit 1979. E gjeta në bibliotekën e qytetit. Kishte hequr xhaketën dhe e kishte vendosur në shpinën e nje karrikeje diku nga fillimi i sallës së leximit. Mbi suprinë ishin shpërndarë disa fletë e në një kënd ishin të stivosur tre a katër libra të huaj. Më dukej se po punonte për një temë në atë kohë.

-Eshtë njgjarje, ngjarje jo vetëm për ty si krijues i ri dhe me talent, por edhe për ne të tjerët – më tha sapo dolëm në koridor, larg lexuesve.

Ndjeva që u skuqa. Mbase nuk e meritoja atë pjesëzën “talent”, që në ato çaste më dukej si një peshë e rëndë për supet e mija të at’hershme.

– Dëgjomë me kujdes. Subjekti është tepër interesant dhe intrigon moshën të cilës i drejtohesh, por unë do të të them që kujdes, kujdes me frazën, pasi në këtë rast, kemi të bëjmë me një libër që i drejtohet moshave 10-11 vjeçare. Sapo mbaron fillorja. Këtë vërejtje kam edhe për librin tënd të parë që ka dalë dy vite të shkuarë dhe që është dhe ai për fëmijë. Të kam folur njëherë.Përpara se të ulesh e të shkruash për moshën e vogël duhet që të njohësh mirë edhe psikologjinë e tyre. Të lutem, dhe këtë merre seriozisht, ulu dhe fillo ta shkruash përsëri nga e para. E rëndësishme është që ti të kuptosh vehtvehten. S’ka gjë se libri tashmë është i botuar. Ti duhet që ta rrishkruash disa herë. Me fraza të shkurtëra dhe shqip. “Trimi” ka shumë fjalë që nuk tingëllojnë në gjuhën tonë. Mos u dekurajo.

– E kisha marrë mesazhin dhe e vuajta në mënyrën time. Në vënd të gëzimit të moshës, ndjeva dhe kuptova diziluzionin e vërtetë. Ishte vështirë, tepër vështirë. Pas tre a katër netëve pa gjumë vendosa ta shfletoja sërrish. Këtë herë pa qejf dhe emocion. U ula një pasdite të nxehtë Korriku. Librin e mbylla dhe e vendosa në një vënd që të mos e shihja për disa ditë. Shkruajta ne fletën e bardhë sikur ta hidhja për herë të parë. Tek fleta e dytë ngeca.U ngrita dhe fillova që të ecë nëpr dhomë, ashtu pa kuptim. Pas pak tentova që të rrikthehem sërrish. Provova…Dy rreshta më pas u duk se do ta kisha vështirë që ta rrishkruaja këtë libër. Mallkova vehten që e kisha takuar profesorin.”Më krahason me vehten ai?. Po unë nuk kam përvojën e tij dhe natyrisht…Pastaj noti mësohet duke notuar…”Kjo e fundit që më erdhi krejtësisht pa pritur si nje mendim i largët, nuk di nga ku, në një farë mënyre, sikur më çliroi nga makthi që më kishte zënë në ato çaste. E lashë. U ngrita dhe fletët këtë herë tentova ti fshihja.

Ashtu siç kisha bërë edhe me librin. Më duhej që ta përjetoja gëzimin që të fal një eveniment i tillë në një qytet të vogël si Cërriku ku njiheshim të gjithë me njëri tjetrin. Më pëlqente që të “rrëmbeja” vështrime tinëzare por edhe të dëgjoja urime miqsh e shoqesh. Por kjo, me sa duket nuk zgjati shumë. Njerëzit kishin halle të tjera dhe unë kuptova që mbeta shumë shpejt i haruar dhe i …braktisur nga vështrimet e ëmbëla e mikluese. Në fakt ishte vetëm një iluzion që më kishte kapluar dhe munduar. Shumë shpejt më doli “rakia” dhe u gjënda “esull”. I dhashë të drejtë profesorit dhe pas tre javësh kisha mundur që ta rrishkruaja sërrish atë tregim të ilustruar aq bukur nga piktori Lec Shkreli ku faqen e parë e kishte përfshirë krejt shpalosja e flamurit tonë kombëtar. Më erdhi turp që t’i drejtohesha Bedri Dedjes.

– Pak ditë më vonë u gjenda në një aktivitet mes miqsh dhe shokësh krijues të qytetit. Nuk e di se si u gjenda…bosh dhe në një moment i u drejtova profesorit që komunikonte me dikë. Prita përpara tij një çast. Vuri buzën në gaz e pastaj qeshi lehtë me dashamirësi.

– – Më duket se Alekua do të na thotë diçka.

Mbase kjo ishte vetëm ndonjë ide fikse që më ishte krijuar përgjatë kohës që punoja për “Trimin…”, sikur edhe vetë profesori po jetonte me krijimin tim duke pritur nga çasti në çast, për t’i a dhënë që ta lexonte. Kështu në pamjen e parë dukej “indiferent”, por në realitet ishte vërtetë ndryshe. Ai e hodhi fjalën pikërisht ku e kishim lënë aty në bibliotekën e qytetit. Këtë ma tha më vonë kur ma dorëzoi dorëshkrimin për ta rrishikuar edhe një herë, pasi “kisha bërë goxha përparime”.Kështu më është dashur që të rrifilloj nga e para.Këtë rradhë kuptova se nuk e kisha më atë ndrojtjen e parë kur u ula sapo më tha profesori…

Në vjeshtë erdhi në kombinat. Nuk më kujtohet se për kë aktivitet.Ishte me shkrimtarin Qamil Buxheli. I prita në hyrje të metalurgjikut.Më kishte dërguar njoftim dy ditë më përë. Duhej që të bëja edhe mikpritjen. U futëm në klubin e uzinës mekanike për të pirë kafenë.

– Një herë Arkadi Gajdarit , një djalë krejtsisht i panjohur i kërkoi që ta ndihmonte, pasi sipas tij, i pëlqente shumë letërsia dhe donte që të bëhej shkrimtar. Posi, i u përgjigj shkrimtari rus, mund që të fillojmë që tani. Ndodheshin në një prej rrugëve të zhurmshme të Moskës, në një lagje që kishte filluar të ndërtonte apartamente të larta, nga ato që ne i quajmë gradaçiela. Më ndiq i tha dhe vetë i u gjit shkallëve të një godinë të lartë.U ngjitën. Pastaj zbritën.

Pa marrë frymë mirë filloi ngjitja e dytë dhe me të mbritur në majë u kthyen sërrish për të zbritur me hap të shpejtë, si në një shakullimë. Përsëri i u gjitën dhe përsëri filloi zbritja po aq shpejt. Mbasi kishin bërë disa ngjitje –zbritje të menjëhershme latrari që kërkonte të bëhej shkrimtar e ndjeu vehten tepër të lodhur e të këputur. Mezi mbushej me frymë. Nuk mundem i tha Gajdarit, qenka e vështirë kjo hypje e zbritje. Ishte dorëzuar… pa kushte.

Profesori zbërtheu xhaketën e trashë kafe. Në lokal, tani ishte më ndryshe edhe pse dera kryesore ishte e hapur, dhe ne kishim zënë vënd pranë saj. Era që sillte Krraba nga “Ura e Kushës”, që ishte vetëm dyqind metër larg, dukej si diçka e harruar krejt, dhe e shpërfillur. Kisha kuptuar nëntekstin. Preferova që të hesht pa ditur që të zgjedh fjalën në atë moment, për ti dhënë të kuptonte profesori, se i isha mirnjohës.

Edhe Qamili kishte heshtur duke e dëgjuar deri në fund Bedri Dedjen, i cili i kishte sjellë në një farë mënyre, nostalgjinë për vitet kur kishte qenë edhe ai në Moskë si student

– Më vjen mirë që kishe durimin ta rripunosh disa herë librin tënd të ri. Kjo mund që të jetë edhe moto gjatë punës tënde krijuese. Mbase kështu mund që të ishte më i plotë. Sidoqoftë, ai ka patur një tirazh prej njëzet mijë kopjesh,por edhe mund që të rribotohet sërrish. Këtë herë i përmisuar. Të presim pak për këtë të dytën…

Buxheli bëri shaka. U duk se u gjallërua menjëherë pas kësaj, duke më luajtur syun. Tregoi diçka nga Krillovi, duke e bërë ambjentin tepër të gëzuar e miqësor, ku nuk mungoi edhe anektoda e “vathit në vesh”. Ai nuk dinte asgjë nga rribërja e librit tim të botuar, por e konsideroi këtë pastaj, si një hap serioz për të gjithë shkrimtarët, e “dinjiteti i krijimit”për një njeri që i pëkushtohet letërsisë.

Kisha marrë një mësim që më vlejti më vonë kur shkruajta përsëri, edhe pse tashmë nuk pretendoj që të kem realizuar gjithçkah, deri në prefeksion të plotë në librat e mij të mëvonshëm.

Pas ngjarjeve që nisën në Kosovë në fillim të viteve 80 të, profesor Bedriun e takoj në Tiranë, pranë “Hotel Peza”. Ai tashmë ishte transferuar në kryeqytet me gjithë familje, duke i dhënë kështu fund “qarkullimit të kuadrove”. Dukej që ngazëllehej. Më shumë se sa kjo e fundit protestat e studentëve dhe demonstratat masive që kishin përfshirë krejt Kosovën dukej se i jepnin një lloj shpresë se gjithçkah do të “rregullohej” atje.

– Je botuar me “Trimin…”në Kosovë. Ma kanë thënë miqtë tanë që vijnë herë pas here që andej. Mund që të ishte edhe varianti më i fundit që bëre para pak kohësh. Kështu do të ishte më i plotë dhe vepra do të fitonte më shumë – tha, duke më kumtuar lajmin që më bëri të emocionohem si në ditën e parë të botimit të tij,at’herë, kur nuk e kisha marrë ende “dushin” e profesor Bedri Dedjes…

Kështu ishte për ne krijuesit e rrinj ky njeri shumëdimensional, i dashur dhe i thjeshtë, deri në madhështi .

Pas atij takimi në Tiranë, kur unë mora udhën për “në dhera të huaja” si emigrant, një vit me pas në adresën time të re në Francë, mbriti një letër nga profesor Bedriu.

…mik i dashur, më gëzon fakti që tani ti ndodhesh në Francë.Unë personalisht kam e ruaj një nostalgji të veçantë për vëndin e kolosëve si Hygoi, Bodleri, Zola , Flober e një arradhë e shkrimtarëve dhe ideologëve mëndjendritur të këtij vendi.Gjithmonë kam patur një dashuri për gjuhën e atij vendi.Nje nxënësi im i dikurshëm që është edhe ai emigrant ashtu si ti, në Zvicër, ka marrë përsipër këto kohë për të bërë përkthimin në gjuhën frënge të gjithë krijimtarisë sime.Natyrisht kjo më gëzon, se siç e di ti , jam i sëmurë dhe vuaj nga…

Miqësisht Bedriu

Kjo copë letër me shumë dashuri dhe mirësi njerëzore ka mbetur si imazhi im i fundit nga jeta e një prej kollosëve të letërsisë sonë për fëmijë, profesor Bedri Dedjes. Nuk e di në se ky “amanet” i fundit është realizuar nga përkthyesi -nxënës, por vepra e tij e madhe, shumë dimensionale e didaktike, është e prekshme tashmë kudo, midis nesh.

Burimi: Newsbomb.al