Intervista me aktorin. Kujtimet nga fëmijëria, kur luante në filmat e Xhanfise Kekos: “Në Zlin të Çekisë, filmat e regjisores shqiptare u shfaqën në seksionin “Zbulo dhe eksploro Ballkanin” krahas regjisorëve të mëdhenj: Kusturica, Catalin Mitunescu, Kostandin Bojanov, Dimitris Spyrou, etj.

Genci Mosho e ka nisur aktrimin që në moshën 5-vjeçare. Në adoleshencë e braktisi, duke zgjedhur karrierën në fushën e arsimit. Por, zemra e tij nuk braktisi kurrë “Teta Xhanon” (kështu e thërrisnin aktorët fëmijë regjisoren e madhe shqiptare, Xhanfise Keko).  Mosho  është njëri nga ata “heronjtë e vegjël” e të papërsëritshëm të filmit shqiptar, si Enea Zhegu, Artan Puto, Herion Mustafaraj, Selma Sotirllari, Flurans Ilia, etj.

Në vitet ‘70-’80, emri i tij ka qenë i njohur në rolet e pesë filmave për fëmijë, që nga “Tomka dhe shokët e tij”, ku kishte rolin e Gëzimit trazovaç; “Pas gjurmëve”, ku kishte rolin e Luanit”; “Qyteti më i ri në botë”, etj, e deri tek roli më i fundit “Partizani i vogël Velo” (1980). Fati e solli që në datat 24 dhe 25 maj, Genci Mosho të ishte pjesëmarrës në Festivalin e Zlinit në Çeki. Pas shumë vitesh, ai do ta ndiqte veten si spektator në filmin “Tomka dhe shokët e tij”.

Përgjatë këtij viti, Zlin i Çekisë ishte stacioni i radhës për shfaqjen e filmave të regjisores shqiptare Xhanfise Keko. Pas prezantimeve në fund të prillit në Festivalin e Linz-it, në  Austri, dhe atyre që u shfaqën në fillim të majit në Wiena Film Musem të Austrisë, i erdhi radha dhe Festivalit të Zlinit, që u mbajt më 24 dhe 25 maj, ku regjisorja shqiptare u prezantua në seksionin “Zbulo dhe eksploro Ballkanin” me filmat “Mimoza llastica” dhe “Tomka dhe shokët e tij”.

Duhet të kujtojmë, gjithashtu, se festivali i mbajtur në Austri i dedikoi një Tribut regjisores Xhanfise Keko, ku më 31 maj, Wiena Film Musem do të ketë edhe një shfaqje tjetër speciale për të. Genci Mosho, i sapokthyer nga Zlin-i, ku u prezantua nga organizatorët para publikut si i ftuar nderi, ka folur në një intervistë për “Shqiptarja.com” rreth prezantimit dinjitoz të kinemasë shqiptare. Ndaj, kjo intervistë nuk mund të niste pa kujtuar kontributin e regjisores së madhe, Xhanfise Keko, që me largimin e saj nga jeta, la “jetim” edhe filmin për fëmijë…

Genci, ti je i mirënjohur si aktor i preferuar i regjisores Xhanfise Keko. Ke interpretuar në pesë filma, nga i pari “Qyteti më i ri në botë” ( 1974 ) deri tek i fundit “Partizani i vogël Velo” ( 1980 ). Mendon se ishte fati ai që të takoi me regjisoren e mirënjohur të filmave për fëmijë dhe bëri që të bashkëpunosh gjatë me të?

-Fati të takon, por nuk mund të ndikojë në bashkëpunim. Kështu ka ndodhur dhe me mua. Me regjisoren Xhanfise Keko unë jam njohur herët, kur isha në kopsht. Një nga ato ditë, ndërsa kërkonte fëmijë për filmin “Qyteti më i ri në botë” që përgatitej të xhironte, teta Xhano ( kështu e kemi thirrur unë dhe gjithë fëmijët e filmave të saj ), ndaloi dhe përpara portretit tim. Ditë më pas, më ftoi të bëja një kinoprovë.

Ishte një skenë e vështirë, duhet të qaja natyrshëm dhe shpejt… Falë saj, u futa në gjendje dhe e realizova skenën shumë mirë, çka bëri të fitoja rolin tim të parë kryesor në film. Është momenti, kur fati ia la radhën bashkëpunimit. Feeling i filmit të parë bëri që shumë shpejt, pas rreth një viti, ajo të më ftonte të provoja për rolin e Benit në filmin tjetër shumë të suksesshëm, “Beni ecën vetë”.

Bëra kinoprovën, po rolin nuk e fitova dot, kështu që mbeta kandidat për rolin e Benit. Por, meqenëse teta Xhano më vlerësonte, më ofroi një rol të vogël dhe episodik. Sot nuk di të them, isha unë që u lidha me teta Xhanon apo ishte teta Xhano ajo që u lidh me mua, ndërkohë që, një gjë dihet, bashkëpunimi ynë vazhdoi dhe pas dy vitesh.

Ajo më ftoi përsëri të provoja për një nga rolet kryesorë në filmin emblemë “Tomka dhe shokët e tij”. Fatmirësisht, e fitova rolin dhe padyshim besimin e teta Xhanos, e cila nuk nguroi të më besojë në vitet në vazhdim role në filmat “Pas gjurmëve” dhe “Partizani i vogël Velo”. Këtu përfundon bashkëpunimi ynë, pasi unë u rrita, por jo lidhja jonë dhe komunikimi mes nesh. Ai mbeti shumë i afërt e miqësor deri në fund të jetës së saj.

Tashmë u bënë vite që regjisorja Xhanfise Keko po rijeton një jetë të dytë me prezantimet e filmave të saj nëpër botë. Deri tek më i fundit aktivitet, Festivali i Filmit në Zlin, Çeki. A njihej regjisorja shqiptare nga organizatorët e festivalit. Si u pritën “Mimoza llastica” dhe “Tomka dhe shokët e tij”, që prezantoheshin  krahas filmave të regjisorëve të njohur nga Serbia, Rumania, Bullgaria e Greqia?

-Regjisorja Xhanfise Keko njihej mjaft mirë nga organizatorët. Kjo edhe se në vitin e largët 1999, ka qenë prezent në këtë festival, ku është nderuar me çmimin e karrierës, por edhe për faktin se vitet e janë të shumtë studiuesit e huaj që janë marrë me analiza të aktivitetit dhe filmave të saj, pa folur që ajo tashmë është pjesë e dokumentarit më të rëndësishëm që është realizuar për kinemanë botërore të filmit për fëmijë apo dhe dokumentarit dedikuar autoreve femra në botë, të dy shfaqur në festivale filmi shumë prestigjioze si ai i Kanës apo Venecias.

Interesi për filmat e regjisores Xhanfise Keko ishte i dukshëm në Zlin që përpara fillimit të festivalit pasi gazetat dhe revistat e dedikuara aktivitetit i kishin kushtuar vëmendje prezantimit të filmave të saj. Vetvetiu dhe pjesëmarrësit e prisnin me kureshtje ballafaqimin me kinemanë shqiptare. Festivali i filmit në Zlin për fëmijë e të rinj, është një festival i rëndësishëm, jo vetëm në Çeki, por edhe në Europë.

Ai shënonte edicionin e 59-të këtë vit dhe kishte gjithë vëmendjen e organizatorëve, medias, shtypit, pjesëmarrësve. Mes këtyre të fundit, këtë vit pata rastin të jem dhe unë. Filmi “Mimoza llastica” u shfaq në çelje të festivalit, ndërsa filmi “Tomka dhe shokët e tij” u shfaq ditën e dytë të festivalit, duke tërhequr vëmendjen e publikut çek dhe pjesëmarrësve të huaj në festival.

Kjo ishte hera e parë që ju merrnit pjesë në një event të tillë. Si ishte të parakaloje në tapetin e kuq të festivalit dhe të ndiqje veten tënde në ekran, pas kaq vitesh tek filmi “Tomka dhe shokët e tij” në një sallë me spektatorë të huaj dhe rrethuar nga protagonistë në filma nga e gjithë bota?

-Ishte më shumë se fantastike. Deri atë mbrëmje kisha parë në televizor si parakalonin në tapetin e kuq të festivaleve regjisorët e aktorët dhe, sigurisht, nuk më shkonte ndërmend se do vinte një ditë të shkelja edhe unë në tapetin e kuq. Përmes një emocioni të madh i kalova ato metra mbi tapetin e kuq, duke përshëndetur e hedhur autografe deri sa hyra në sallën e shfaqjes së filmit “Tomka dhe shokët e tij”.

Këtu emocionet ishin të një tjetër natyre. Në një sallë që përbëhej nga gjithë grupmoshat e fëmijëve, artdashësve çekë, pjesëmarrësve të festivalit, gazetarëve e kritikëve të filmit, dola përpara publikut dhe në intervistën e improvizuar, iu përgjigja një sërë pyetjesh rreth aktivitetit tim dhe të regjisores në veçanti e filmit shqiptar në përgjithësi. Sa për filmin, momente të veçanta të tij u përjetuan shumë bukur nga të pranishmit.

Veçanërisht do të thosha, episodi i aksionit të fëmijëve për eliminimin e qenit gjerman, ishte episodi i cili ngjalli një reagim të paparë tek spektatorët të cilët në përfundim vlerësuan filmin për realizmin e vërtetësinë dhe lojën mjeshtërore të fëmijëve, pse jo dhe qenit Gofi. Shtypi dhe media i kushtuan vëmendje të madhe prezantimit të kinemasë shqiptare, ku sigurisht edhe unë isha pjesë e intervistave.

Së fundi, si pjesëmarrës në një kompeticion ndërkombëtar, ku kinemaja shqiptare ballafaqohet me kinemanë botërore, mendon se ajo u prezantua denjësisht?

-Absolutisht po. Unë mendoj se, para së gjithash, prezantimi në një festival ndërkombëtar filmi është në interes të imazhit të Shqipërisë pasi atë e ndjekin njerëz elitarë nga gjithë bota, shkruan shtypi, flasin televizionet. Më pas, është në interes të vetë kinemasë shqiptare që tregon se është kinema e vërtetë dhe dinjitoze.

Në rastin konkret: Në Zlin, filmat e regjisores shqiptare Xhanfise Keko nuk qëndronin më poshtë sa u takon vlerave artistike në raport me filmat e regjisorëve të mëdhenj apo të njohur ndërkombëtarisht, serbit Emir Kusturica, rumunit Catalin Mitunescu, bullgarit Kostandin Bojanov, grekut Dimitris Spyrou, etj, të shfaqur në të njëjtin seksion, atë “Zbulo dhe eksploro Ballkanin” . Por të mos të harrojmë.

Kjo, u bë e mundur vetëm falë mundësisë së shfaqjes së tyre, pasi disa prej filmave të regjisores Xhanfise Keko tashmë janë restauruar e remasterizuar në parametrat e kohës, falë angazhimit të distributorit Genc Përmeti dhe kontributit të disa partnerëve. Duke shfrytëzuar rastin, po ritheksoj atë që kanë thënë shumë të tjerë përpara meje se, Ministria e Kulturës duhet të fusë detyrimisht në projektet e saj vjetore remasterizimin e një apo më shumë filmave shqiptarë, të cilët i bëjnë nder kinemasë shqiptare dhe jo vetëm asaj…

Intervistoi per Shqiptarja.com:Dhurata Hamzai