22 gusht 1909

Sot mblidhemi në shkollën greqisht, shkollën e kalasë: pas konstitucionit në këtë shkollë klubi ka vënë një mësonjës dhe mëson shqip; në Elbasan ka dhe një shkollë greqisht tjatër, po dhe atje mësohet shqipja: bashkimi dhe mëmëdhetaria e elbasanasve i ka lënë shterpë kundërqëndrimet e klerit grek që na duken kaq të fortë dhe të dëmshëm gjetkë.
Përpara shkollës, në mes të kësaj dhe të kishës, shohim varrin e Konstantin Kristoforidhit, të atij të palodhuri djalë të këtij qyteti, të cilit gjuha jonë i ka hua shumë gjëra: kthimet e tij të librave të shënjtë, fjalori i tij dhe gjithë propaganda që ka bërë në këtë qytet, janë aq monumente që nderojnë për jetë kujtimin e këtij njeriu të vyer.

Pas drake, në mes dy mbledhjeve, gjej kohën dhe shoh fabrikën e sapunit të vëllezërve Nosi: një fabrikë që nxjerr gjer më 100 mijë okë sapun një mot: një sapun tri lloje, fort i mirë që shitet jo vetëm këtu në qytet po edhe në Peqin, Kavajë, Tiranë, Durrës dhe në katundet. Më thonë se këtu ka dhe akoma tri fabrika të tilla.

S’ka dyshim se mund të shtohet dhe shumë më tepër të fabrikosurit e sapunit me qënë që vaji që del në vend është fort i mirë. Zoti Lef Nosi më thotë se për së shpejti qëllon ta madhojë fabrikën pas sistemeve të reja.

Natën në klub, afër ballkonit, një xinxife na zgjat degët e saj me ruaza të kuqe.
Po s’dua të mbyll këtë ditë pa bërë edhe pak fjalë nga Aliu i Bimit që na shërben në klub: ky djalë njëmbëdhjetë vjeç ka pesë muaj që ka zënë të këndojë në klub: nga dëshira çdo libër që gjen e këndon dhe, jo vetëm e mbaron, po e mëson dhe e kupton: i vogli Ali më thotë se Kalendarët Kombiarë i ka kënduar të tërë dhe tregon qysh bëhet nata e dita, qysh bëhet eklipsi i hënës dhe i diellit: llamba varur në mur, dhe dy grushtet e vegjël i arrijnë për të na dëftyer këtë ngjarje. (Shefqet Deliallisi)

Foto Kisha shen Maria dhe perballe Shkolla e Kishes , ne kala Elbasan..Sot