31 dhjetori ishte dita më e lumtur për shqiptarët nën diktaturë. Do hanin diçka më shumë nga kuota e caktuar dhe do shihnin televizor pas orës 24.00. Sigurimi i gjelit të detit dhe arrave ishte “detyrë mbi detyrat” për disa javë. Partia, për ta mbajtur popullin “elegant”, ia kishte reduktuar vit pas viti ushqimin nëpërmjet triskëtimit.

Gjeli i detit shitej me kilogram. Mund t’i hiqej krahu po të kalonte peshën e caktuar nga partia. Mund edhe të përgjysmohej nëse ishte “gjel kapitalist”. Arrat ishin privilegj i shoferëve që bënin rrugë të gjata. Tek-tuk shtohej ndonjë fik i tharë.

Populli kënaqej me shfaqje ku shahej Amerika si “xhandar i popujve” apo si vendi ku jetohej keq. Ja një foto nga aktivitetet propagandistike në diktaturë në Elbasan. Parulla e madhe: “Shqipëria socialiste marshon përpara ballëlart e duarplot”. Mbi karrocën e vdekjes është “imperializmi amerikan” me trekëndësha litar e dy kobure në dorë.

Populli që hante pjesërisht gjelin e detit një herë në vit kënaqej me këto shfaqje e kujtonte se ishte vërtet më i lumturi në botë.

Kastriot Dervishi