Poezi nga Ndue Ukaj

Gjergj
që nga janari kur ike
në çdo pranverë çelin lule t’këqija.

Arbnit janë të trazuar në mjegullnajën e trishtimit.
Rrëshqasin si nëpër akullnaja dhe nuk gjejnë qetësi.
Në pyllin e dilemave, s’i shohin portat e lirisë,
as lapsin e urtisë,

as përkrenaren e krenarisë,
as shpatën e lirisë.

As Pal Engjëlli nuk është askund.
Ka shume zbrazëti dhe pikëllim.
Gjergj, e sheh?
Që nga janari i akullt

Arbnit kanë humbë algoritmin e jetës.
Varkat i kanë mbushë me mosmarrëveshje dhe trishtim.
Dhe të trullosur bredhin rrugëve të boshatisura,
atyre shkrepave të thepisura,

Bjeshkëve të Nemuna
e Adriatikut të trazuar.

Zemra u kullon,
por nuk duan kurim.
Ndërgjegjja i brenë,
por nuk duan pendim.

Gjergj, Arbnit janë të trazuar
dhe ikin e s’dinë ka vejnë. / KultPlus.com