Një herë e një kohë, jetonin dy gomerë, pronë e të njëjtit bujk. Një ditë, ai i ngarkoi të dy gomerët e tij, njërin me kripë kurse tjetrin me enë e pjata. Të dy veshgjatët u munduan të vendosur ta çojnë në destinacion barrën e tyre. Nga mesi i rrugës, gomari që mbante kripë u lodh dhe filloi të djersijë. Sasia e kripës që mbante mbi supe, ishte kushedi sa herë më e rëndë se sasia e peshës së enëve që mbante veshgjati tjetër. Sa nga pesha e sa nga vapa, gomari i ngarkuar me kripë, vendosi të kridhej një herë në një pellg me ujë, që ndodhej buzë rrugës. Vetëm kështu do freskohej pak dhe do i rikthehej fuqia. Pasi u krodh në ujë dhe u freskua, gomari doli që andej. Përveçse u freskua, veshgjati ndjeu se pesha e kripës ishte disi më e lehtë tani. E si të mos ishte? Kushedi sa kilogramë kripë ishin tretur në ujin e pellgut.

Kur kolegu i tij e pikasi se uji i pellgut i kishte shërbyer në maksimum, vendosi të kridhej edhe ai në ujë. Por… pritshmëritë e tij u shuan shumë shpejt. Jo që nuk u freskua dhe nuk iu lehtësua barra, por në fakt iu shumëfishua. Enët e tasat që mbante mbi supe, u mbushën plot e përplot me ujë. Teksa orvatej të ngrihej në këmbë, iu duk sikur kurrizi do i këputej në mes nga barra.

Ajo që është e dobishme për dikë, mund të mos jetë e tillë për ty, madje mund të jetë e dëmshme. Para se të imitosh dhe t’i shkosh pas tjetrit, duhet ta studiosh mirë motivin e sjelljes së tij, përndryshe, “të mbushen enët me ujë”. Kush s’ka kokë ka këmbë dhe vuan gjithë jetën./Akropoli i ri

Advertisements
Advertisements