Çdokush që merret me figurën e shkrimtarit Martin Camaj has në surpriza të cilat janë, në të shumtën e herave, e kundërta e asaj që pritej dhe »dihej« për tê. Personi i Martin Camajt ishte i qetë, paksa timid, i padukë e modest, me plot dinjitet dhe krenari të natyrshme, shpesh ishte ndërdyzash, e kërkonte vetminë. Nga ana tjetër, i njêjti Martin Camaj, djalë bariu nga katundi mbishkodran Temal, e çau rrugën e vet me energji dhe vullnet të rrallë. I ndiqte dhe i diplomonte studimet universitare dy herë, luftonte me kambëngulje derisa ia arriti qëllimit me themelue dhe instalue në Munih profesurën e albanologjisë në kohë kur studime albanologjike universitare përveç në Shqipninë moniste kishte vetëm në Itali, Leningrad dhe SHBA, në kohë kur në Gjermani nuk kishte interesim për kopshtin shkambor të Europës, të panjohun e të bllokuem në aventura ekzotiko-groteske të nji diktature të luejtun mendsh.

Me gjithë dëshirën e tij për qetësi, Martin Camaj nuk mund të rrinte i ngujuem në izolim, i nevojiteshin kontakte të shumta me njerëz – me shokë, kolegë, bashkatdhetarë. Nji pjesë të mirë të kohës së tij i kushtonte letërshkëmbimit të gjanë dhe kohës së telefonave. Ai ishte, në të vërtetë, Njeriu më vete dhe me tjerë siç e thotë titulli i përmbledhjes së tij qendrore poetike.

Dihet se në Shqipninë e pjesës së dytë të shekullit XX kishte njerëz që hidhnin poshtë çdo mendim kritik për veprën e vet tue potencue se kênkan autorë »me famë botërore«. Ja, cili ishte qëndrimi i Martin Camajt. Autori i këtyne rreshtave, si student, kishte fatin e bardhë me mësue shqipen nga Martin Camaj. Nji ditë prej ditësh, gjatë pushimit dhetë minutash mes dy kursesh, tue u shëtitë në korridor para auditorit dhe tue bisedue për çkamos, profesori e pyeti studentin – me çka merreni në kohën e ngesë? Kur ky tha se me përkthimin e poezisë, Martin Camaj tha – punë interesante. Mbas nji pauze shtoi, me zâ të ulët – unë shkruej. Mbas nji pauze tjetër, studentit të shastisun i tha – jam shkrimtar shqiptar.

Martin Camaj ishte bashkëbisedues për mrekulli. Në radhë të parë, ai dinte ende artin pothuej të shuem me ia vû veshin tjetrit. Nuk mbahej si profesor, por si mik. Për hallet personale të studentëve e bashkëpunëtorëve shpesh kërkohej këshilla e tij. Në çdo situatë ai e gjente fjalën e qëllueme ngushëlluese, inkurajuese a paralajmëruese. Si në poezi – ku në fazën e pjekunisë së tij krijuese e peshonte çdo fjalë e çdo rrokje – ashtu dhe në bisedë a diskutim Martin Camaj ishte fjalëmatun. Para se me u përgjigjë, shpesh binte në heshtje, mendohej për nji copë të mirë here, pleqnohej me vete dhe, mâ në fund, jepte përgjigje kryekëput të papritun, jokonvencionale, origjinale. Ashtu si poeti Martin Camaj nuk merrej me të shkruemit të cekët, në bisedë personale kurrë nuk mori ndonji qëndrim të pamedituem, të pamenduem a të përciptë.

Ai ishte nji qenie rebeluese që i çmonte traditat, vërtet, dhe nuk i duronte konvencionet. Në poezi, mbas librit të parë bukoliko-konvencional, “Nji fyell ndër male”, Camaj filloi me u çue në kambë kundër kallëpit të poezisë së traditave të vyshkuna dhe arriti shpejt te vargu i lirë të cilin e përpunonte, zhvillonte, kultivonte, lëmonte deri në shkallën e përsosmënisë. Në jetë private, thoshte shpesh se i urrente thellësisht konvencionet dhe mendjengushtësinë e »filistinjve«. Ai vuente nga horizonti mendjendryshkun i njerëzve mikroborgjezë. I përshtatej mjedisit tek gjindja llafoseshin me orë të tana për gjana, të cilat ai i sqaronte me nji fjali të vetme; i përshtatej asi mjedisi, por me zor dhe me mall për gjanësinë madhështore nën kupën e qiellës së pafund mbi bjeshkët mbishkodrane.

Sot bëhen 28 vjet nga vdekja e shkrimtarit dhe albanologut shqiptar, Martin Camaj në Munih. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore./Konica.al