Nga Loli Davidhi*

Banorët e Krutjes së Sipërme të bashkisë së Lushnjes kanë pas qënë dhe vazhdojnë të jenë shumë mikpritës, traditë e mrekullueshme kjo jo vetëm e njerëzve të këtij fshati në Myzeqe. Të shumtë janë shëmbujt që flasin për një virtyt të tillë të banorëve të këtij fshati.

Dhe le të flasim me gjuhë më konkrete:

Kur në nëntorin e vitit 1913 forca të shumta esadiste, nisur prej Durrësit, duke kaluar fshatrave të zonës së Fier – Sheganit të rrethit të Lushnjes, rrugës drejt Vlorës, pikërisht në Krutjen e Sipërme ndeshen me ushtrinë e Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës. Teksa kishte zënë pozicion pikërisht në këtë fshat, ushtria e Ismail Qemalit sigurisht që pat marrë parasysh disa faktorë. Më së pari, do të mund të kishte mbështetjen e banorëve të këtij fshati, sikundër edhe e pati në fakt.

Gjatë përpjekjes së drejtëpërdrejtë që u bë këtu midis forcave esadiste dhe atyre të Kryeministrit të parë Shqiptar, Ismail Qemalit, u plagos komandanti i këtyre të fundit, Seid Qemali, sikundër u plagosën edhe disa të tjerë. Seid Qemali u dërgua menjëherë në shtëpinë e Kristo Davidhit, ku iu dha ndihma e duhur, natyrisht me barna popullore. Mbas shpartallimit të forcave të ardhura prej Durrësit, forcat e dërguara nga Vlora u pritën shunë ngrohtë në familjet e fshatarëve.

Edhe gjatë regjimit të Zogut banorët e Krutjes së Sipërme patën dëshmuar bujari të pashoqe. Është një fakt i vërtetë që vazhdon të tregohet edhe sot, që mësuesit e ardhur nga rrethet e largëta, deri edhe nga Shkodra, merreshin vullnetarisht prej fshatarëve për të banuar në shtëpitë e tyre. Madje, tregimet që kujtohen bëjnë fjalë deri edhe për mërira të ndodhura mes fshatarëve të veçantë, mërira që kishin shkak mosplotësimin e dëshirës për të mbajtur mësuesin bujtës në shtëpi. Mësuesve Anastas Laska (Mësues i Popullit) dhe Thanas Boçova (Mësues i Merituar) në vitet që shërbyen në Krutjen e Sipërme iu desh ta zgjidhnin vet familjen se ku do të bujtnin, sepse kërkesat e fshatarëve ishin të shumta.

Më shumë se sa mikpritja, humanizmi i thellë i banorëve të Krutjes së Sipërme shkëlqeu në mënyrë të veçantë me strehimin dhe mbrojtjen e disa hebrejve të ndjekur për shfarosje prej nazistëve gjermanë. Në historikun e fshatit bëhet fjalë, se me udhëzim të Major Spiro Moisiut, në atë kohë kryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të rrethit të Lushnjes, në Krutje të Sipërme dërgoheshin për strehim e mbrojtje disa hebrej. Për një detyrë të tillë Major Spiroja shfrytëzonte edhe miqësitë që kishte krijuar me mjaft nga familjet atdhetare të këtij fshati.

Djali i pronarit të madh të tokave, elbasanas, Qemal Karaosmanit – Masari pranoi që hebrejtë Bato, Medio, Behije, Median dhe Nikogir të strehoheshin  pikërisht në një nga banesat e babait të vet në Krutjen e Sipërme, duke i vënë këtu të huajt nën kujdesin e qehajait të fshatit – Rexhep Elmazi, kosovar, dhe të kuzhinierit – Kristo Davidhi. Për t’u përkujdesur për ta u caktua edhe Llazar Mërtika e disa të tjerë.

Së pari, lajmi i ardhjes së hebrejve në Krutjen e Sipërme u mbajt shumë sekret. Sepse ekzistonte rreziku i dekonspirimit dhe atëherë ata do të mund të bëheshin viktimë e nazistëve gjermanë që në atë vjeshtë të vitit 1943. Edhe pse jabanxhinjtë u zotuan se do të paguanin rregullisht për gjithçka, Masari, që kishte mbaruar studimet e larta jashtë shtetit për agronomi, nuk pranoi të merte asnjë lloj shpërblimi. Dëshmoi shpirt të madh prej humanisti.

Edhe pse banonin në kushte të një presioni të madh psikologjik, hebrejtë e ardhur në konekët e Masar Karaosmanit ditën e kalonin në tokat e pronarit, duke dashur të mbeteshin të pashkëputur nga jeta e vërtetë.

Pak javë më pas, i njoftuar nga hebrejtë që banonin në Krutjen e Sipërme, në këtë fshat erdhi edhe Jafeti, një tjetër izraelit, që kishte shpëtuar rastësisht andej nga qe nisur për këtu. Këtë mik të ri të huaj e mori në shtëpinë e vet Kic Çukua, një fshatar i varfër, por me zemër shumë të pasur. Siç tregojnë, Jafeti tërë ditën e kalonte me Rrapin, djalin e Kicit. E kalonte kohën arave, ku punohej. Dhe, me shpirtin e tij shumë praktik, i mësonte Rrapit se si mund e duhej punuar toka dhe se si i duhej shërbyer bimës për të marrë sa më shumë rendiment.

Edhe brenda shtëpisë Jafeti mundohej të fuste disa praktika jetese, që ishin më të përparuara për kohën.

Mirëpo… erdhi një ditë dhe familjes së Kic Çukos iu prish qetësia. Iu prish qetësia për shkak të Jafetit. Se ja se ç’ndodhi: Taq Rrushi, njëri me shumë emër në fshatin Gungas të zonës së Fier – Semanit, na kishte qelluar me pushkë dy kalorës gjermanë, natyrisht pa mundur t’i v, riste. Ngrihen gjermanët dhe fillojnë ta krehin gjithë fshatin dhe krahinën. Shkojnë edhe në Krutjen e Sipërme. Përkthyes kishin marrë me vete Mihal Dhimën, dhëndërr në Krutje, që kishte mbaruar në Vjenë. Pa humbur kohë, Kici largoi fëmijët nga lagja e tij, duke pasur frikë se do të mund të jepnin, qoftë edhe pa dashje, ndonjë informacion për hebreun e gjorë. Ndërkohë, Jafeti u mbajt i fshehur në një vend, ku nuk do të mund të gjëndej dot nga gjermanët.

Mbas disa javëve, me orientim të Këshillit Antifashist Nacionalçlimtar të rrethit, Jafeti u dërgua në një tjetër fshat.

Vjeshtës së vitit 1943 Arif beu, pronari i një makine bloje në qytetin e Lushnjes, kishte mbajtur të fshehur në shtëpinë e vet një hebre të quajtur Levek. Erdhi një kohë, që izraeliti u bë person i njohur në qytet. Në këto kushte do të mund të arrestohej dhe, natyrisht, do të mund të dërgohej në ndonjë kamp përqendrimi diku në Europë.

Në këto kushte Arifi bisedon me Muk Qerretin, njëri me shumë emër në fshat e më gjërë, dhe bie dakort që Levekun ta dërgonte për banim atje. Dhe e dërgoi. Mbas disa javëve, kur merret vesh se në familjen e Muk Qerretit banonte një hebre, i zoti i shtëpisë shqetësohet. Dhe kishte të drejtë. Duke qënë një fshat pranë rrugës që të çonte në Berat, mundësitë për ndonjë kontroll të beftë ishin të mëdha. Sikundër Arifi që u mor vesh me Muk Qerretin, edhe ky i fundit bisedoi dhe ra dakort, që Leveku të dërgohej në familjen e epitropit të kishës së Krutjes së Sipërme, Sako Dakës. Ky i fundit nuk pati asnjë ngurim, përkundrazi, e priti me shumë zemër. Shkon hebreu në familjen e Sakos dhe nis tashmë një tjetër jetë, atë të fshatarit të thjeshtë.

Jeta e vështirë që kishte kaluar i kishte shkaktuar një tronditje të thellë jo vetëm shpirtërore, por edhe mendore. Sidoqë pjesëtarët e familjes e mbanin afër dhe mundoheshin t’i plotësonin çdo kërkesë, Leveku nuk kishte qetësi të brendshme. Nisi e vazhdoi të sillte prapësira në familje. Në një rast, fshehurazi kishte marrë nga shtëpia e Sakos ikonën me figurën e Krishtit dhe e kishte zhdukur! Edhe pse i qenë lutur të tregonte se ku e kishte lënë, miku i ri i shtëpisë nuk tregoi asgjë!

Tregojnë, se herë – herë lidhej me litar e deri edhe me tel dhe kthente sytë nga qielli dhe lutej e lutej. Thuajse çdo natë dilte në kopshtin e shtëpisë, drejtonte sytë nga yjet dhe vazhdonte me të njëjtin rit; vetëm lutej. Në një farë mënyre, u bë i padurueshëm në familje. Një gjëndje e tillë e mikut hebre iu bë e dijtur këshillit antifashist të fshatit. Ky i fundit, nuk vonoi të vepronte. Leveku u mor nga shtëpia e epitropit të kishës dhe, me ndihmën e disa ilegalëve lushnjarë, u dërgua në Kavajë, te mjaft hebre të tjerë, për t’u gjendur sa më pranë mjekut.

Edhe pse kanë kaluar disa dekada nga ajo kohë, të moshuarit e Krutjes së Sipërme mbajnë mend mjaft ngjarje të treguara prej prindërve të tyre për kujdesin e jashtëzakonshëm ndaj hebrenjve, kujdes që lidhej me ilegalitetin e tyre. Sa herë që në Tiranë, Berat, a gjetkë organizohen veprimtari kushtuar shpëtimit të hebrenjve, mjaft nga familjet e fshatit Krutje e Sipërme ndihen krenare. Krenare, sepse janë bartëse të një akti të madh humanitar; kontribuon për shpëtimin e mjaft hebrenjve.

*Historian

Burimi: GazetaDita.al