Kur erdhen në Shqipëri ishte viti 1982. Çifti Elizabeth dhe Zhan Pol Shanse qenë caktuar lektorë të gjuhës dhe letërsisë frënge, të vetmit pedagogë të huaj në Universitetin e Tiranës.
Nuk dinin asgjë për vendin ku do të kalonin 6 vite nga jeta e tyre, një shtet i izoluar nga një perde e hekurt të cilin orë pas ore, ditë pas dite do ta zbulonin duke iu afruar një realiteti që autoritetet dhe propaganda bënin çmos ta fshihnin.

“Shumë studentë kishin frikë, por kjo vlente edhe për pedagogët. Ata kishin frikë dhe nuk ndjeheshin mirë me ne sepse u kishin thënë që ne ishim spiune. E kishin të ndaluar të kishin marrëdhënie me ne. Edhe në sallën e katedres duhej të ishin gjithmonë dy pedagogë që të komunikonin me ne. Po të ishte vetëm një nuk fliste. Bënte sikur s’degjonte dhe s’nxirrte fjalë nga goja, gjë që për ne ishte shumë e rëndë në fillim, pastaj kuptuam dhe u mësuam. Kuptuam sesi funksionionte sistemi i cili ishte i kontrolluar dhe shumë i fortë”, thotë Zhan Pol.

“Kontaktet me të huajt ishin të ndaluara për studentët dhe nëqoftëse kishte rënë zilja, për shembull, studentët dilnin nga klasa dhe nuk kishin të drejtë të rrinin pas mësimit me ne për të biseduar. Pak nga pak gjërat filluan të ndryshonin, po maksimumi që mund të bënin ishte të qëndronin dhe të bënin ndonjë pyetje për gramatikën, kurse në rrugë, nëse takonim ndonjë student apo koleg ata kthenin kokën, sepse nëse donin të ndalonin dhe të diskutonin me ne kishte ndonjë spiun apo sigurims që mund ta denononconte. E thërrisnin në fakultet e pyesnin, përse i fole? Çfarë i the? A të dha ndonjë gjë a bënë pyetje?”, kujton Elizabet.

Elizabeth dhe Zhan Pol, që s’kishin asnjë lidhje me ideologjinë që u imponohej në Shqipëri dhe gëzonin një status të veçantë, ishin prova e prekshme se gjetiu, larg Shqipërisë ekzistonte një botë tjetër. Ata kujtojnë se në fillim shqiptarët i këqyrnin nga koka tek këmbët, verenin çdo detaj të tyrin, veshjet, sjelljen, pa iu afruar sidoqoftë, pa shkëmbyer as edhe një përshëndetje nga frika se çdogje u raportohej autoriteteve.

“Një nga aspektet negative që mbaj mend ishte mungesa e marrëdhënieve njerëzore. E ndjenim që njerëzit ishin të sjellshëm, të kendshëm, që kishin tradita të bukura dhe për ne që nuk krijonim dot lidhje ishte shumë e vështirë. Unë e vuaja këtë. Mbaj mend që ndonjëherë shkoja në shtëpi dhe i thoja Zhan Polit, kthehemi në Francë sepse nuk e duroja dot këtë mungesë marrëdhëniesh me të tjerët”, thotë Elizabet.

Vetëm me kalimin e kohës ata krijuan një raport të veçantë me studentët që e shemben murin, me një kurajo e dashuri që i mbushi me forcë pedagogët.

“Ne qëndruam. Ne qendruam gjatë sepse kishim një punë të vërtetë, një rol si mësues. Studentët tanë ishin të vëmendshëm, ishin shumë kureshtarë donin të dinin se çfarë ndodhte në perëndim. Natyrisht që ne nuk bënim propagandë. Bashkë studionim tekstet letrare që na zgjidhte katedra. Ne nuk kishim të drejtë të zgjidhnim. Dhe me këtë manual që kishim përpiqeshim të flisnim për disa gjëra, për Francën, për Europën dhe pak nga pak disa studentë filluan të bënin me shumë pyetje. Me kalimin e viteve pati një zbutje fare të lehtë, por gjithsesi duhej të ishim të kujdesshëm pasi studentët me kurajoze donin të rrinin më shumë pas mësimit, por ne nuk donim që t’i kompromentonin. Ata s’mund të rrinin vetëm për vetëm me ne duhej të ishim të kujdesshëm që ata të të mos kishin pasoja”, thotë Zhan Pol.

“Ne në fakt e ndjenim që ishim shumë të dobishëm sepse vërtetë ishim profesorët e frëngjishtes, por ishim si një dritare e hapur ndaj botës për ata, qoftë nga qëndrimi ynë, qoftë nga mënyra sesi i trajtonim me respekt studentët, me qëndrimin tonë. Ndonjëherë ne nuk kishim nevojë të flisnim, ata hapnin sytë dhe shikonin që ne u sillnim shumë shpresë dhe kjo ishte një gjë e mrekullueshme për ne”

Një nga gjërat që nuk do t’u shlyhet asnjëherë nga kujtesa bashkëshorteve Shanse është varfëria e madhe me të cilën u përballën. Shoqëria shqiptare nuk e dinte ç’ishte konsumi dhe problemi më i madh mbetej sigurimi i ushqimit të përditshëm.

“Na pati goditur shumë varfëria. Ne udhëtonim shumë nëpër Shqipëri sepse merrnim autorizim. Kemi shkuar në Veri, në Jug, në Lindje dhe vinim re që vendi ishte i varfër. Na bënin përshtypje dhjetra gra që punonin nëpër fusha me bel, shihnim edhe ndonjë traktor, por i drejtonin burrat”, kujton Elizabet.

“Shihnim nëpër fusha bunkerët e tmerrshëm që ishin rresht dhe s’ishte e nevojshme të ishe profesionist i ushtrisë për të kuptuar që ata bunkerë nuk shërbenin për asgjë. Ishin aty thjesht për të treguar forcën e sistemit, i cili vazhdonte të vepronte pa marrë parasysh realitetin e njerëzve dhe dëshpërimin e shqiptarëve. Nuk u çuditëm më vonë kur u hapën rrugët dhe shqiptarët ikën nëpërmjet ambasadave dhe anijeve sepse ne e ndjenim që ata ishin të dëshpëruar nga e gjithë kjo pritje”, shton Zhan Pol.

“Nga ana tjetër e dinim se njerëzit kishin një jetë të vështirë, ngriheshin herët nga gjumi. Kishin vështirësi për të siguruar ushqimet. Ne mbanim gjithmonë një çantë rrjete në xhep dhe sa herë që gjenim një dyqan të furnizuar blinim sa hap e mbyll sytë. Mbaj mend njëherë në Shkodër u bë gati një kryengritje sepse po shiteshin çorape dhe kanatjere. Kur dilnin portokallet ndodhte e njëjta gjë. Ishte shumë e vështirë për ne, por ishte shumë më e vështirë për shqiptarët, për gratë, sidomos që punonin në punë të shteti dhe pastaj duhej të bënin pazaret dhe të përballonin jetën”, thotë Elizabet.

“Tjetër gjë negative ishte po ashtu që sistemi politik ishte kokëfortë dhe donte të vazhdonte në rrugën e vet, ndonëse asgjë nuk ecte. Ndërkohë që në Poloni ishte Solidarnosi, në Moskë Gorbaçovi, të cilët kishin filluar reformat, kurse ne këtë këtu ndjenim ende pasojat pas vrasjes së Mehmet Shehut dhe shqiptarët ishin shumë të lodhur nga kjo luftë politike dhe varfëria e madhe”, thotë Zhan Pol.

Dy francezët jetonin në një pallat për të huajt në rrugën që asokohe quhej Bulevardi Stalin 57, në një godinë që edhe ajo ruhej nga sigurimsat e më keq akoma, përgjohej me mikrofonë.

Një tjetër trauma që shtyu Elizabetën dhe Zhan Polin të ishin tejet të kujdesshëm në komunikimet e tyre, me gjysmë fjale, nofka, citime, aluzione fraza të nënkuptuara, gjeste, mimika, të pakuptueshme për përgjuesit e padëshiruar.

Në një vend ku edhe bisedat intime vuanin nga një gjymtim tragjik, ata kujtojnë se kur ndjenin nevojën të flisnin dilnin shëtitje.

“Në Tiranë na bëri përshtypje fakti që qyteti ishte shumë, shumë i qetë, duke nisur që nga ora 6-7 e pasdites, pas xhiros së mbrëmjes nuk kishte më njeri nëpër rrugë. Neve na dukej vetja pak çuditshëm në këtë qytet të qetë ngaqë në Francë nuk ekzistonte zakoni i xhiros së pasdites, ku kishte më shumë burra sesa gra, për hir të vërtetës dhe pak kohë më vonë, pas xhiros të gjithë zhdukeshin. Në rrugë s’kishte më këmbë njeriu. Bashkë me Elizabetën ecnim dhe kapeshim përdore dhe mesa mbaj mend unë, njerëzve kjo u dukej shumë e çuditshme sepse pak njerëz mund ta bënin këtë gjest kur ecnin”, kujton Zhan Pol.

Në vitin 1988 bashkëshortët Shanse e mbaruan misionin e tyre në Shqipëri dhe u kthyen përsëri në Paris me një peng. Kthimi i tyre nuk ishte aspak i gëzuar. Po linin pas një Shqipëri që kish pësuar lëkundje, por nuk kish ecur përpara, gjë që i frymëzoi të shkruanin një libër të titulluar pikërisht Bulevardi Stalin 57, ku përshkruajnë dhe analizojnë Shqipërinë që njohën në vitet ‘82-’88.

“Kur mbaruam misionin dhe u kthyem në Francë ideja jonë ishte që ne nuk mund të heshtnim sepse askush nuk e dinte se çfarë ndodhte në Shqipëri në atë kohë. Vendi ishte tmerrësisht i mbyllur. Vetëm propagandë dhe miqësi marksiste-leniniste. Por ne s’mund të heshtnim. Menduam që e kishim për detyrë që të flasim për vuajtjet e këtij populli dhe ishte dëshira për të dëshmuar me kujdes, të ishim të matur. Megjithatë, në libër nuk i thamë disa gjëra. Lidhjet që kishim krijuar me disa njerëz që mund të na kishin ftuar apo ishim folur sepse nuk donim që ata të kishin probleme”, thotë Elisabet.

“Ne e kemi shkruar librin gjatë kohës që jetuam në Shqipëri. Mbanim shënime çdo ditë në formë ditari dhe për ne kjo ishte një mënyrë që të na lehtësonte dhe të na ndihmonte të kuptonim gjërat. Kur u kthyem, në 1988, me të gjitha këto shënime që kishim mbajtur në formë ditari shkruam librin”, thotë Zhan Pol.

Libri i tyre u botua në Francë një vit më pas, në 1989 dhe pas daljes së tij, dy autorëve iu ndalua kthimi në Shqipëri.

Irena Rambi është ish-studentja e çiftit Shanse që e solli këtë libër në shqip, në shenjë falenderimi për atë dritë kulture e dije, përtej librave që Elizabeth dhe Zhan Pol u sollën rreth 500 studentëve shqiptarë.

/ Top Channel