Historia e çiftit shqiptaro-italian Ana dhe Xhulio Kolea, që nisi në vitet ’20. Vajza italiane 18-vjeçare, ndjek në vendin e tij, të dashurin e saj, martohen e lindin 3 fëmijë. Ardhja në fuqi të regjimit komunist. Pas çlirimit të Shqipërisë, jeta i rezervoi çiftit befasi rrëqethëse…-“Nënë, po shkoj tek tezja që të përshëndes Mikelen, që sapo ka ardhur nga Kalabria!” – i tha të ëmës Ana, tashmë adoleshente. Shkonte të përshëndeste kushëririn e saj, me të cilin ishte shumë lidhur e duheshin shumë. Por, Mikele kishte pak kohë që nuk po vinte i vetëm për pushimet që kalonte në shtëpi.

Nga qyteti ku ai studionte, po vinte gjithnjë i shoqëruar nga një shok kursi, i cili në shtëpinë e Mikeles, gjente një ngrohtësi e mikpritje të tillë, që i kujtonin disi traditat e vendit të tij – vend që këto tradita i kishte karakteristike – e përse jo, bashkë me traditën e kuzhinës së mirë. Ky shok kursi i Mikeles, pak nga pak, po hynte në zemrën e Anës. E ëma, si të gjitha mamatë, qe e para që vuri re njëfarë ndryshimi në sjelljen e të bijës. Më pas, Ana e ndjeu veten akoma më të lehtësuar pasi i tregonte të ëmës mbi ndjenjën që tashmë prej pak kohësh, po kultivonte për Xhulion, këtë djalë shqiptar, shoku më i mirë i kushëririt të saj. Dashuria e saj ishte e këmbyer me të njëjtën forcë nga Xhulio. Vitet kalonin dhe lidhja e tyre forcohej gjithnjë e më shumë. Me gjithë moshën e re të të bijës, zoti Antonio, babai i Anës, duke njohur mirë karakterin e saj te vendosur e këmbëngulës, ishte i bindur që një dite e vetme, pa të dashurin e saj Xhulio, për Anën do të do të ishte shumë më tepër se një ditë pa diellin e saj.

Durrës 1930

“Kaq mikpritëse kjo tokë dhe kaq e afërt me tokën time. Për mua, me gjithë dallimet, në fund të fundit, në krah të personit që dua, kjo të do të thotë në njëfarë mënyre, vazhdueshmëri e traditave dhe e zakoneve të mia, të mikpritjes, të kuzhinës së mirë, të identitetit të fortë popullor” mendonte Ana, duke parë gjithçka veçse me sytë e dashurisë, në momentin kur këmbët e saj prekën tokën shqiptare. Vitet e para të jetës se tyre në Shqipërinë e mbretit Zog, qenë të qëndrueshëm, të paktën u ofruan mundësinë e të jetuarit në mënyrë mjaft te privilegjuar. Të rrëmbyer nga dëshira për të ndërtuar me forcat e tyre gjithçka ne jete, ata ju kushtuan sistemimit të tyre me shtëpi e pune në Tiranë. Ndërkohë, familja a tyre e re, po shtohej. Xhulio, për shkak te përgatitjes se shkëlqyer profesionale ne Itali, nuk e pati të vështirë të gjejë një vend pune si funksionar banke në Tirane, detyrë që me kalimin e kohës, falë aftësive të tij, bëri që të përparonte në karriere gjithnjë e me shumë. Ana, i dedikohej shtëpisë, asaj shtëpie, e ndihmuar edhe nga guvernantja e familjes, një grua shqiptare, Nurija. Mbërriti fryti i parë i dashurisë se tyre, fëmija i parë. Gëzimi i çiftit dhe i të gjithë familjarëve, qe shumë i madh.

Vitet kalonin…

Për Anën, Italia vazhdonte të ishte e pranishme, ndonëse jetonte në Shqipëri. Jo vetëm për atë natyrisht, por për faktin e thjeshtë se ndërmjet monarkisë së mbretit Zog dhe Italisë, ekzistonin pakte që e bënin të dallueshme praninë italiane në Shqipëri. Në vitin 1939, Italia zbarkoi trupat e saj në Shqipëri dhe mbreti Zog mori arratinë. Konfuzion politik, çrregullime që u manifestuan në jetën e shqiptareve, ndër te cilat edhe familja e tyre nuk mundi të bënte përjashtim. Një rrezik i vetëm e që vlejti sa për shumë të tjerë, qe ai i lidhur me një episod të rëndë, verifikuar në 1943, përgjatë pushtimit gjerman të Shqipërisë. Në një çast, që përkoi me kapitullimin e Italisë kur, përveç ndjekjes së interesave të tyre, gjermanët u vunë në ndjekje të ushtarakëve italianë të mbetur në Shqipëri. Në portën e shtëpisë së Anës dhe Xhulios, në Tiranë, u dëgjuan goditje të fuqishme. U ngritën të frikësuar e hapën derën. Përpara tyre u shfaq një grup me tre-katër ushtarë gjermane! Ata ishin të shoqëruar nga përkthyesi i tyre shqiptar, i cili e fliste gjermanishten në mënyrë perfekte. Ata kërkonin përgjegjësit e një akti që, në atë lagje, i kishin vënë zjarrin një kamioni gjerman, aksion ky, i organizuar nga komunistët. Duke mos marrë asnjë përgjigje mbi atë që kërkonin, filluan të bëjnë pyetje nëse Ana e Xhulio, njihnin italiane, të fshehur nga ato anë. Ana nuk shqiptoi as një fjalë. Ajo, gjuhën shqipe e zotëronte mirë, por gjithsesi nga shqiptimi, kuptohej që s’ishte vendase. Ishte normale që në ato çaste të mendoje se gjermanet, zemërimin ta shfrynin ndaj Anës, si italiane. Ndërkohë, edhe përkthyesi filloi të flasë me Xhulion, duke përkthyer e përsëritur pyetjet e gjermaneve, nëse njihte italiane që mund të fshiheshin andej rrotull. Xhulio ruajti qetësinë, duke u thëne që nuk njihte asnjë italian, por, kishte diçka që nuk shkonte. Ai përkthyes, Xhulion e njihte mjaft mirë: të dy bashkë kishin qenë studentë në Itali. Por u befasuan: përkthyesi nuk bëri asnjë fjalë. Gjermanët u larguan duke përplasur fort derën e shtëpisë. Përkthyesi nën zë u pëshpëriti: “Hapni sytë, bëni kujdes tjetër herë!” e ndoqi superioret e tij. Xhulio e kishte prejardhjen nga një familje shqiptare, e cila në trungun e saj gjenealogjik, kishte pasur persona me peshë historike, intelektuale e patriotike për Shqipërinë.

Rridhte viti 1944…

Xhulio, në njërën prej ditëve, t’i drejtohej së shoqes: “Ana, unë e kam për detyrë, si bashkëshort e si baba familjeje, të të kërkoj të mendohesh mirë, por edhe me shpejtësi, mbi faktin se çdo të bëjmë më tej: ku do të vendosim të jetojmë, në Shqipëri apo në Itali. Kam dyshimin sepse në Shqipëri gjendja do të ndërlikohet tej mase”. Ana, me lot në sy, mori vendimin me delikat e me rëndësishëm të jetës së tyre: atë të zgjedhjes që të jetonin në Shqipëri. Ishte viti 1945 dhe qytetareve italiane, banues në Shqipëri më pas iu mohua e drejta e kthimit në Itali. Ndërsa shumë prej tyre, pësuan persekutime të rënda.

Tiranë, vitet ’50

Atë mëngjes, Ana ishte zgjuar në të gdhirë. Gjithë natën kishte pare ëndrra të çuditshme. Xhulio duhej të nisej shpejt për në Durrës, aty ku po punonte kohet e fundit. Ai ishte veshur e përgatitur shume shpejt, pa harruar të vishte një këmishe të bukur të bardhë. Ishte, ndër të preferuarat e tij. Ia patën sjellë nga Napoli dhe i rrinte aq bukur. Gjatë konsumimit të mëngjesit, shkëmbyen pak fjalë, por ato të pakta fjalë, me tepër ishin udhëzime nga Ana në lidhje me të shoqin, për të bërë kujdes. Kujdesi, së cilit Ana i referohej, ishte i lidhur me pozicionin e tij në vendin e punës: nga fakti që ishte i martuar me një italiane e që kohet e fundit, për këtë, po shihej shtrembër. Nën këtë aspekt, Xhulios, provokimet nuk i kishin munguar. Ai i kishte bërë ballë gjithnjë me kokën lart e me zgjuarsinë e pjekurinë që e karakterizonin. Kohët e fundit, kishin mbërritur disa sinjale, të cilët patën filluar të shkaktonin atë që, terreni nën këmbët e Xhulios, të tronditej. Diçka me rëndësi dhe mjaft e frikshme, po trillohej e Xhulio pati lajmëruar të shoqen.

Në burgun e diktaturës

Por, atë mëngjes Xhulio, bashkë me flladin detar, po thithte edhe grimca të një ajri të rendë, mbytës. Po u vinte prej pak kohësh, prej shkatërrimit të marrëdhënieve shqiptaro–jugosllave dhe diktatori i ishte përveshur punës për përforcimin e fuqisë se tij absolute. Një fuqizim i tillë kishte si fazë fillestare, luftën kundër kundërshtarëve politikë. Këta kundërshtarë, disa realisht të ekzistuar, dhe të tjerë, të vendosur në rrethin e personave mbi të cilët vetëm dyshohej ose supozohej të ishin të tille, për faktin e pasjes në biografinë e tyre të disa të dhënave komprometuese, bëheshin persona “të rrezikshëm” për vendin. Xhulio, ndonëse këtë liste të mallkuar e njihte mjaft mirë dhe deri diku, kishte qenë gjithnjë i ndërgjegjshëm që i bënte edhe ai vete pjese, deri në fund, nuk deshi ta pranoje apo ta besojë. Kohët e fundit, kolegu i tij, ai me të cilin po bashkëndanin të njëjtën zyrë, ishte bërë shumë invadent, po fuste gjithnjë e me tepër hundët në punët e Xhulios. Nën justifikimin e konfidencës në nivel ‘miqësor’, po i bënte pyetje të tepruara, të cilat Xhulios, po i shkaktonin shqetësime. Jo sepse, nuk dinte sesi t’i përgjigjej ashtu siç ai e meritonte në të vërtetë e me gjakftohtësi, por për një fakt tjetër: atë të perceptimit të rrezikut dhe të krijimit të përshtypjes qe, ai person, nuk ishte dërguar në atë zyrë për të ndare me Xhulion profesionin e ekonomistit si ai, por për të dhënë kontributin e tij, për kurthin që po i thurnin. Faktikisht, kolegu i tij, beri ç’të ishte e mundur për të sabotuar punën e sakte dhe të përgjegjshme të Xhulios. Bëri ç’mundte për t’i ndërlikuar punët atij, e për me tepër, duke ndërhyrë në çështje që i përkisnin ekskluzivisht kompetencave të Xhulios. Por, nuk u mjaftua vetëm me aq: u tregua aq dinak (ose më mirë, ashtu ishte udhëzuar), që të përfshihej e të merrte pjesë edhe ai vetë në një projekt të besuar ndaj zyrës se tyre, i cili fillimisht duhej të kishte qenë i ndjekur vetëm nga Xhulio, projekt qe, çuditërisht do të kishte rezultuar si një ‘sabotim’. Natyrisht, për të dy koleget u lëshua një urdhër arresti. Xhulio, e pa jetën e tij të ndryshonte tërësisht, pas këtij takimi brutal me të ashtuquajturën “drejtësi”. Atë ditë, në oborrin e fabrikës, hija e makinës ushtarake ‘jeep’, bëri që të ngrijnë në vend të gjithë punonjësit.

Te dy koleget i hipën, të lidhur me pranga, sikur të ishin kriminele. Për Xhulion, nëse ‘krim’ mund të quheshin përgatitja e përkushtimi serioz ndaj detyrës, korrektësia apo profesionalizmi, e gjitha kjo kthehej në një ankth, nga i cili, shpresonte të zgjohej sa me shpejt dhe e vërteta të zbardhej sa më parë. Të bëheshin sqarimet e duhura se nga ana e tij, nuk kishte ekzistuar asnjë faj, asnjë gabim e, aq më pak, asnjë sabotim. Por, u bind më shumë se kurrë edhe për diçka që, deri në ato çaste kishte dëshiruar që gjithnjë t’ia largonte vetes si mendim: për atë qe, prej faktit se kishte marre për grua një qytetare italiane, që po ndante jetën bashke me të, në një Shqipëri të tillë si ajo që po përjetonin në ato kohë, ky do të kthehej në një rrezik të konkretizuar me shpejtësi, një stuhi që do të vërsulej e pamëshirshme mbi atë vetë e mbi familjen tij. Në procesin– farsë, të dy kolegeve, pasi fillimisht u fol për një dënim jo më pak se PUSHKATIMi, gjithnjë padrejtësisht ju përcaktuan dënimet përkatëse, që për Xhulion, çuditërisht rezultoi shumë i rëndë, burgim i përjetshëm. Më vonë, ashtu si ndodh në situatat tragji-komike, finalja qe befasuese. Dënimi iu reduktua si vijon: Kolegu i Xhulios, qëndroi në burg vetëm pak muaj dhe ju fal liria. Xhulios, patën “mëshirë” dhe i reduktuan edhe atij dënimin, por atij iu mohua liria personale jo për dy muaj, as për dy vjet: vitet në të cilat Xhulio kreu dënimin, qenë një pjesë e rëndësishme e jetës së tij, të asaj jete që dalëngadalë po ia shkatërronin dhimbshëm: këto vite qenë plot 20. I madh indinjimi, të shumtë dhimbja e zhgënjimi për atë që quanin “drejtësia popullore”.

Epilogu

Atë mëngjes bënte ftohtë, ftohtë më shumë se kurrë. E mbështjellë me pallton e saj të leshtë, me kapelën në kokë, të cilën nuk e ndante kurrë, sepse ishte një dhurate e të atit, Ana u gjend përpara një ndërtese që të fuste frikën, që të bënte të të mbërthenin rrëqethje. Asnjëherë nuk do t’i kishte vajtur në mend që, një dite të jetës së saj, do të vinte e të afrohej pranë një ndërtese të tillë. Asnjëherë nuk do të kishte menduar që në një ferr të tillë, do të ‘ndalej’ Xhulio i saj i dashur. Atë dite, atyre nuk u lejuan të shihen. Por, njëri prej rojeve, me një pamje të tmerrshme, e thirri Anën, sepse do t’i dorëzonte disa sende vetjake të Xhulios, të gjitha të përmbledhura në një kuti kartoni. Ajo e mori atë kuti në duar duke u dridhur e tëra dhe u largua prej andej me shpejtësi. Në shtëpi e prisnin fëmijët. Madje, para se të ndalej e të fliste me ta, Ana hyri në dhomën e saj dhe me forcat që pak e nga pak po e braktisnin, hapi kutinë. Sytë iu ndalen menjëherë mbi një copë të grisur, të bardhë. Ishte këmisha e bardhe e Xhulios, këmisha e tij e preferuar, ajo të cilën Ana ja pati hekurosur atë mëngjes e që ai, e pati veshur pikërisht ditën e arrestimit. Mbi mëngën e këmishës, me gjakun e tij, Xhulio kishte shkruar një mesazh për të shoqen: “Sono innocente”, “Jam i pafajshëm”. Por Ana, për këtë ishte më se e bindur…

Napoli, rreth viteve ‘20

Zoti Antonio zgjohej herët, dhe ishte pjesëtari i dytë i familjes që zgjohej aq shpejt. E para ishte e shoqja, zonja Maria, që përgatiste mëngjesin. Ndërkohë që motrat e mëdha përgatiteshin për shkollë, i vinin pak nxitim edhe më të voglës, Anës, që ta merrnin me vete. Ato ndiqnin shkollën e mesme, ndërsa Ana ishte akoma në fillore. Ndërkohë, nga shtëpia dilte edhe i ati i vajzave, zoti Antonio e i drejtohej enotekës së tij. Ana, pas shkollës e kishte bërë udhë të kthehej në enotekën e të atit. Kishte kënaqësi të kalonte disa orë në dyqan, përpara se e ëma ta thërriste për të shkuar në shtëpi. Në dyqan, kishte plot vizita, hyrje e dalje klientësh, miqsh, tregtarësh të tjerë të zonës. Ishte në veçanti një moment, në të cilin Ana, e ndiente veten pak të frikësuar, ndoshta më saktë, ndiente ndrojtje sesa frikë. Ishte çasti kur dyqani i zotit Antonio mbushej nga disa tregtarë të gjatë, thuajse të gjithë me mustaqe, zakonisht mbanin veshje tipike, tradicionale të zonës së tyre, me një lloj kapele në kokë, që e quanin “qeleshe”. Këta tregtarë vinin nga një vend fqinj me Italinë dhe aq afër me brigjet e qytetit të saj të bukur. Ata vinin nga një vend që Ana e kishte dëgjuar prej të atit se quhej “vendi i shqiponjave” dhe ata vetë quheshin shqiptarë. Nga pamja, Ana i kujton vërtet si shumë burrërorë, disi të vrazhdë, me një italishte të mirëzotëruar prej tyre, kjo falë faktit që atë rrugë ata e kishin bërë tashmë shpesh. Anës i kishte ndodhur, edhe që kur futeshin këta zotërinj në dyqan, ajo të fshihej ndonjëherë poshtë banakut. Vajzës 10-vjeçare i ishte krijuar kjo ndjesi përkundrejt tyre, e ndonëse ata mundoheshin t’i thoshin ndonjë fjalë përkëdhelëse, ajo kishte njëfarë ndrojtjeje e njëfarë mosbesimi, ndoshta thjesht për faktin se ishin të huaj, të veshur ndryshe nga banorët e qytetit të saj, megjithëse shihte që ata merreshin vesh aq mirë me të atin, me të cilin bënin shaka, dhe jo vetëm: bënin tregti e shkëmbime të mira mallrash! Në distancë vitesh, këtë fragment të këndshëm të jetës së saj, Ana tashmë 80-vjeçare, do t’ia tregonte me buzëqeshje nipërve dhe mbesave. Veçse ky tregim, fitonte një efekt krejtësisht të veçantë: nipërit dhe mbesat e saj do të mbanin një mbiemër, i cili vinte pikërisht nga ai vend i prejardhjes së tregtarëve që Ana i shmangte. Ana do të martohej me një djalë të mrekullueshëm shqiptar! Vërtet, fati është i çuditshëm, por edhe aq i këndshëm shpeshherë – mendonte Ana, që jetonte e lumtur pranë të shoqit të saj, në Shqipëri. Jeta e saj, ishte një përzierje emocionesh të një shijeje të fortë e tipike, si vera që prodhonte babai; emocionesh të thella, si ai det në brigjet e të cilit, nga të dyja anët, ndodhnin edhe nga këto të papritura. Ku ta dinte Ana që në largësi prej kaq e kaq vitesh, këtë fragment të veçantë prej historisë së jetës së saj, do ta rrëfeja unë, mbesa e saj, që trashëgova prej gjyshes sime të dashur, karakteristikat dhe tiparet mesdhetare, si në pamje, ashtu edhe në zemër, nga më të mirat e prejardhjes së përzier italo-shqiptare.

Marrë me shkurtime nga “Shqiptari i Italisë”/Voal/