Veshjet tradicionale apo kostumet karakteristike të Ulqinit dhe rrethinës së tij gjatë shekujve të fundit e kanë ruajtur origjinalitetin e tyre.

Pa marrë parasysh kontaktet e shumta kulturore, kostumet e kanë ruajtur atë pjesë të kulturës kombëtare që ka ndryshuar pak dhe që është ruajtur më gjatë.

Të gjitha llojet e kostumeve tradicionale janë produkt i punë-dorës shtëpiake. Për punimin e veshjes popullore përdoret leshi, pambuku dhe mëndafshi. Secila shtëpi kishte dikur veg horizontal në të cilin endnin gratë. Përpos endjes, gratë qëndisnin, qepnin aplikacione dhe thurnin.

Megjithëse ka ndryshime në mënyrën e punimit, të dukjes dhe të veshjes së kostumeve kombëtare të femrave, mund të përmendim edhe disa karakteristika të përgjithshme. Femrat vishnin për trupi veshje të lehta, të punuara me fije bimësh ose mëndafsh, kurse mbi to vishnin veshje të rënda të leshta. Këmishat e tipit dinarik, jelekët, bohçet, koretat shquhen për mjeshtëri të madhe të punimit. Dukja e tyre është e theksuar me zbukurime të pasura që shquhen në mënyrë të qartë në ngjyrat e forta e të pastra me të cilat janë të ngjyrosura pëlhurat. Dukjes së veshjes kombëtare të femrave u japin një specificitet të veçantë, por edhe plotësim, shamitë e ndryshme, të cilat e shquajnë bukurinë e fytyrës së femrës.

Veshja e meshkujve është më modestë edhe për nga punimi edhe për nga dekorimi. Këmishat e pëlhurës dhe tirqit o pëlhurës ose të zhgunit apo shajakut janë dy elementet themelore të veshjes që takohen në të gjitha grupet etnike të këtij rajoni. Ndryshimet e bëra në jetën shoqërore dhe ekonomike të popullsisë e kanë kushtëzuar ndryshimin gradual të veshjes. Ndërsa kostumet tradicionale të meshkujve gradualisht po zhduken, ato të femrave u janë përshtatur më shumë ndryshimeve, por janë ruajtur jo vetëm si kujtim i pjesës së bukur të kulturës tradicionale, por edhe si vërtetim i përkatësisë dhe i lidhjes me prejardhjen familjare. Kjo pasuri e kostumeve ruhet në Muzeun Etnologjik, i cili gjendet në Kalanë e Ulqinit.

Në rastin e fejesave dhe dasmave në familje, babai i vajzës interesohej që t’i blinte bijës gjëra të kushtueshme.

“Këtu në viset e Ulqinit ka qenë karakteristike për familjet e mëdha blerja e gjërave shumë të kushtueshme nga babai për nusen e re,rrobës kombëtare i shtohej një lloj veshjeje që vihej në kokë që quhej hilalëk. Ajo ishte shumë e kushtueshme dhe kishte 100 napoleona ari të varura rrotull. Pastaj, përmbi rrobat kombëtare, sipas pasurisë së njerëzve, janë varur ato që quhen dupje, vargje me monedha ari, të cilat shkonin deri në 3 breza. Këto quheshin dupje, pasi ishin zakonisht monedha ari, dukate të Venedikut”.

Interesimi kalonte më pas te këpucët e nuses që të ishin të stolisura e të qëndisura.

Në pazar të Ulqinit, mjeshtra e rrobaqepës kishin punishtet e tyre dhe merreshin me porosi enkas për këto raste.

“Dhëntia”, përfshinte pjesën tjetër të pajës, pasi pas rrobave kombëtare, kanë qenë ato të stilit modern evropian. Ka pasur, veç rrobave të dasmës dhe fustane të përditshme apo këpucë e breza, byzylykë, sahate ari, aromatizues.

Më poshtë gjeni edhe një video të realizuar nga Sami Dulcignio, prej ku do të ndiqni një rrëfim nga Munib Abazi, Shefqet Luca, si dhe Sami Flamuri, rreth veshjes Ulqinake, historisë së folklorit dhe fustanellës shqiptare tek Kuvendi i Gazit.

Burimi: Konica.al