Rastësitë janë të disallojshme. Janë ose shumë të bukura, ose të thjeshta, ose shumë të këqija. Ama sot dua të trajtoj një histori të ndërtuar mbi një rastësi aq të këndshme, sa vetëm në Shkodër mund të ndodhë.

Pak kohë më parë, kur botova librin “Kur vdekja të na bashkojë”, në një intervistë thashë se vdekja nuk ndan gjithçka e nuk ndan gjithkënd, por ka raste kur dashuria e përkul vdekjen e të dashuruarit ecin nëpër të drejt lumturisë së përjetësisë.

Në të gjithë Shkodrën, me trishtim u përcoll lajmi se Jolanda Gurashi, gruaja e fortë dhe artiste në shpirt kishte ndërruar jetë. Para syve tanë u shfaq ajo krah të shoqit, me shtatin si selvi, e cila ecte nëpër rrugët e G’juhadolit duke i përshëndetur të gjithë. Nuk kishte rëndësi nëse i njihte apo jo. Rëndësi kishte se të gjithë e njihnin atë.

Ndoci dhe Jolanda në shtëpinë e tyre
Ndoci dhe Jolanda në shtëpinë e tyre

Në xhamin e vogël të një prej dyerve të shtëpisë së saj, çdo dhjetor, shkëlqente si urim për Krishtlindje, Betlehemi i punuar mjeshtërisht deri në detajin më të vogël. Plot dashuri që i ndrinte në sy, duart e rrudhura të Jolandës rregullonin kodrën e vogël për të pritur lindjen e Krishtit, Dritës së botës tonë të madhe e botës së tyre të vogël.

Është e vërtetë, shtëpia e familjes Gurashi ishte një botë e vogël, pasi ndër grimca të vogla gjendej gjithë bota e madhe. Nga pikturat e Ndocit, partiturat e Kolës, punëdoret e Jolandës e gjithçka tjetër hijeshonte ndejen në atë ambient aq të këndshëm.

Sapo mora vesh vdekjen e Jolandës, mendova Ndocin. Kush do t’i thoshte “nadja e mirë” sapo të çelte sytë? Kush do ia sillte syzet pa të cilat nuk mund të shihte asgjë? Krah kujt do të ecte ai nëpër kalldrëmet para shtëpisë? Kush do ta frymëzonte për të pikturuar? Kush… kush… kush… Sa shumë “kush” për të dalë drejt e diku: Kush do të ishte motivi i tij për të vazhduar jetën?

Për ju që nuk e njihni, Ndoc Gurashi është djali i Kolë Gurashit, njërit ndër kompozitorët më të shquar shqiptarë. Ndoci studioi në “Illyricum” – in françeskan dhe jetën e pikturoi në telajo për të cilat u vlerësua gjatë monizmit e gjatë demokracisë me titujt më të lartë. Por arti më i bukur ishte vdekja e tij.

Ndoc Gurashi
Ndoc Gurashi

Asgjë nuk është më e fortë se dashuria – thotë Shën Pali. E kush mund ta ndajë gjënë më të fortë? Vdekja? Jo!

Dje, kur ndodhesha larg, mora vesh se Ndoci nuk ia kishte dalë jetës ama ia kishte dalë dashurisë! Duke ditur se po shkonte te Jolanda, mbylli sytë në errësirën e këtushme dhe i hapi në dritën e atjeshme ku shikoi atë, Jolandën e tij.

Bukuritë që mbushnin botën e tyre të vogël do t’ju shërbejnë si udhërrëfyes në shëtitjet që krah për krah, pak para se të bjerë muzgu, do të bëjnë në botën e atjeshme. Jolanda, e lumtur si gjithnjë, do të buzëqeshë kur Ndoci t’i thojë: E sheh, ia hodhëm edhe jetës!

© Andreas Dushi | Konica.al