Ja pse duhet vizituar qyteti i Skënderbeut:

Kruja është destinacioni kryesor i turizmit kulturor në Shqipëri. Shprehja “Nëse nuk ke vizituar Krujën, nuk ke njohur Shqipërinë” zë vend shumë mirë. E këtë herë, madhështia e historisë 2500 vjeçare e qytetit ka tërhequr vëmendjen e 10 blogerëve italianë.

Në synimin për të promovuar Shqipërinë, “Travel Blog Tour Albania 2019”, nisi rrugëtimin më 15 Prill, duke “ecur” mbi bukuritë e një vendi gjeografikisht shumë pranë Italisë.

E konsideruar si rajoni i 22 i vendit fqinj, italianët po shohin gjithë kureshtje Shqipërinë teksa po rritet edhe në ofertën turistike.

“Nevoja për të promovuar këtë vend të magjishëm është e madhe dhe e menjëhershme”,thekson një nga blogerët, i cili shton se “bashkë me familjen dhe miqtë e mi do kthehem sërish këtë verë”.

Në Krujë, panë dhe prekën traditën artizanale mesjetare që ruhet ende në duart dhe mendjen e artizanëve të Krujës.

Në kalldrëmin 500-vjeçar, blogerët u ndalën gjatë, duke fotografuar dhe filmuar çdo pjesë të kësaj pasurie etnografike, ku takuan dhe Ndriçimin, artizanin e kohëve moderne, që ruan dhe trashëgon traditën e punimit të qelesheve.

Kalaja e Krujës, së bashku me dy muzetë e saj, befasojnë blogerët falë historisë së heroit kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” ose “Atletin e Krishtit”, teksa kuptojnë heroizmin e tij dhe popullit shqiptar.

“Shqipëria është vërtetë, rajoni i 22, teksa shikon marrëdhëniet gjer në Mesjetë të Skënderbeut me Venedikun dhe mbretin e Napolit”, – shprehen blogerët.

Ky tur promovues, nuk mund të mbaronte, pa shijuar kulinarinë e Krujës, ku një restorant  i njohur në qytet organizoi një mikpritje të veçantë, në shije tradicionale dhe plot stil.

Aktiviteti u organizua nga agjencia turistike “Brain and Heart”, “Travel Massive Albania” dhe aktorët privatë dhe publikë në qytetin e Krujës.

Burimi: americaneye.al