Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të hapjes së shkollave të para të mesme shtetërore në Shqipëri, që filluan në vitin 1925 kur kryeministri Ahmet Zogu dekretoi çeljen e gjinmazit të parë të Tiranës, që pas vitit 1945 do të merrte emrin “Qemal Stafa”, ku nga krijimi i tij kanë dhënë mësim si pedagogë apo janë ulur në bankat e tij si nxënës, disa prej emrave më të njohur që kanë drejtuar shtetin shqiptar dhe kanë bërë emër në fusha të ndryshme të jetës, si në art, kultur, shkencë, sport etj., si: Qamil Bala, Mihal Sherko, Gabriel Meksi, Venjamin Dashi, Safet Butka, Hysni Babameto, Aleksandër Xhuvani, Eqerem Çabej, Aleks Buda, Ahmet Gashi, Sali Çeka, Avni Zajmi, Abdurrahim Buza, Fahri Llagami, Qazim Turdiu, Gjergj Canco, Aqif Selfo, Petraq Pepo, Dhimitër Shuteriqi, Lasgush Poradeci, Mark Gurakuqi, Nonda Bulka, Skënder Luarasi, Arshi Pipa, Vedat Kokona, Anton Mazreku, Minella Karajani, Jorgji Pano, Zekria Rexha, Ibrahim Shabani, Naum Stralla, Zef Zymeri, Kol Shiroka, Lirak Dodbiba, Nexhat Hakiu, Mihal Zallari, Henerik Lacaj, Mustafa Greblleshi, Sherif Delvina, Andrea Kushi, Aleko Tashko, Vangjel Gjikondi, Sotir Prifti, Pllumb Çeli. Kadri Baboçi, Maqo Marko, Manol Muçka, Bajram Xhaja, Rudolf Paparisto, Sami Kotherja, Neritan Ceka, Sadete Çuçi, Abdulla Kullazi, Gafur Luga, Lydra Biçoku, Mimoza Idrizi, Gjergj Zaharia, Etj.

Ka qenë viti 1925 kur Kryeministri i qeverisë shqiptare të asaj kohe Ahmet Zogu, me anë të një dekreti, urdhëroi hapjen e gjimnazit të parë shtetëror në qytetin e Tiranës. Sa shkolla të mesme funksiononin asokohe në Shqipëri dhe kur u hapën ato? Cila është historia e gjimnazit të parë shtetëror që u hap në kryeqytetin shqiptar dhe kush ishin mësuesit e drejtorët e sajë të parë? Cila ishte godina e parë ku u vendos gjimnazi i Tiranës, nga shtëpia dykatëshe me tre katër dhoma pranë qëndrës së kryeqytetit, e deri tek godina e sotme e shkollës “Qemal Stafa”, në rrugën e Durrësit, pranë “Zogut të Zi”.

Arsimi shqip, pas 1920-ës

Për herë të parë arsimi shqiptar, filloi të organizohej me programe të rregullta, menjëherë pas mbajtjes së Kongresit të Lushnjes, ku u hartua Statuti Themeltar i Shtetit shqiptar, i cili sanksionoi dhe hapjen e Ministrisë së Arsimit, e cila sapo u krijua u ndodh përpara vështirësive të mëdha që paraqiste arsimi në vendin tonë, me mungesat e shumta në shkolla, programe dhe tekstet shkollore, si dhe kuadrin e nevojshëm të trupës pedagogjike. Për të dalë nga ajo anarki në të cilën ndodhej sistemi arsimor, vetëm pak muaj pas mbajtjes së Kongresit të Lushnjes, po në atë qytet në verën e vitit 1920, u mbajt një kongres arsimor, i cili kishte si qëllim vendosjen e unifikimin e programeve shkollore, për arsimin fillor deri në klasat e pesta dhe njësimin e termave në lëndët e ndryshme që aplikoheshin deri në atë kohë. Në vazhdim të atij kongresi, pranë Ministrisë së Arsimit u krijua një Komision Letrar i përbërë prej tre inspektorësh të specializuar, i cili u ngarkua dhe kishte si qëllim hartimin e përpilimin e teksteve të përbashkëta, për gjithë arsimin shqiptar. Pas kësaj, u hartua dhe doli nga shtypi Abetarja për klasat e para dhe Këndimi për klasat e dyta, të treta dhe të katërta. Në hartimin e këtyre teksteve, ishte mbajtur parasysh vendimi i Komisisë Letrare të Shkodrës, e cila kishte sanksionuar që në tekstet shkollore të përdorej si gjuhë letrare, dilalekti i Elbasanit. Njëkohësisht, paralel me këtë punë, Ministria e Arsimit paraqiti para qeverisë, kuadrin e nevojshëm arsimor, i cili disiplinonte deri diku organizimin shkollor dhe kriteret e dhënies së bursave për jashtë vëndit. Ky ligj hyri në fuqi në vitin shkollor 1921-22. Në atë kohë, numëri i shkollave në Shqipëri, arriti në 452 dhe numëri i mësuesëve në 647. Po ashtu në disa qytete ishin çelur dhe shkolla qytetëse, të cilat në disa vende funksiononin së bashku me klasat e fillores. Një vit më vonë, në 1923-in, numëri i shkollave u rrit në 511 dhe ai i nxënësve në 26.681, të cilët i mësonin 817 mësues.

 Hapja shkollave të mesme

Mbas shkollës së mesme që u hap në qytetin e Elbasanit, e njohur ndryshe si “Normalja”, që është dhe e para shkollë e atij niveli që u hap në Shqipëri, shkolla e dytë e mesme që e pasoi atë, ishte ajo që u çel në qytetin e Korçës, e njohur ndryshe si Liceu Francez. Pas kësaj, në vitin shkollor 1921-‘22, në qytetin e Tiranës, Kryqi i Kuq amerikan që kishte ardhur për të ndihmuar shtetin shqiptar të porsakrijuar, hapi shkollën Teknike, e cila njihej si shkolla Teknike e Kryqit të Kuq të të rinjëve amerikanë. Mbas shkollës Teknike të Tiranës, një vit më pas, në qytetin e Shkodrës u hap “Gjimnazi shtetnuer”, dhe Liceu i Korçës u bë me konvikt. Pas këtyre shkollave të mesme, në vitin shkollor 1923-‘24, u hap dhe Liceu në qytetin e Gjirokastrës, e një vit më pas në Liceun e Korçës u hap “Normalja” femërore. Hapja e këtyre shkollave, do të pasohej në vitin 1925-‘26 me hapjen e shkollës Tregtare të Vlorës dhe gjimnazit të Beratit.

Krijimi i gjimnazit të Tiranës

Ndonëse përpjekjet e para për të hapur gjimnazin shtetëror të Tiranës, u bënë që në vitet 1923-‘24, për herë të parë ajo gjë u arrit të bëhej realitet, vetëm në vitin 1925, kur kryeministri i qeverisë shqiptare të asaj kohe, Ahmet Zogu, i sapoardhur në pushtet, me anë të një dekreti urdhëroi hapjen e gjimnazit të parë shtetëror në kryeqytetin shqiptar. Në tentativat që u bënë për hapjen e gjimnazit të parë në Tiranë aty nga viti 1922, në shtypin e kohës thuhet: “Gjimnazi i shtetit që u hap në kryeqytetin shqiptar Tiranë, ka një drejtor, katër profesora e dy mësues, në të cilën mësojnë 98 nxënës në pesë klasa”. Godina e parë ku u vendos të hapej gjimnazi shtetëror i Tiranës në vitin shkollor 1925-‘26, ishte një shtëpi private dy katëshe, me tre katër dhoma, (e cila ndodhej afrës qëndrës së sotme të kryeqytetit), të cilën Ministria e Arsimit e mori me qera. Drejtori i parë i kësaj shkolle të mesme, ishte Qamil Bala. Mbas asaj godine ku u vendos gjimnazi shtetëror i Tiranës, ajo shkollë u shpërngul në një ndërtesë tjetër diku pranë “Shallvareve”, për tu vendosur në vitin 1934, në ish kazermat ushtarake “Teuta”, që ndodheshin pranë sheshit “Skënderbeg”,(aty ku sot ndodhet Dhoma e Tregtisë, në fillim të Rrugës së Kavajës). Mbas drejtorit të parë Qamil Balës, në krye të gjimnazit të Tiranës, Ministria e Arsimit emëroi Mihal Sherkon, i cili ishte diplomuar për Filozofi dhe Histori, (me gradën e Doktorit të Shkencave) në Odesë të Bashkimit Sovjetik, në vitin 1915-të dhe pas diplomimit, ai kishte mbaruar dhe një kurs të lartë pedagogjie po në Odesë. Mbas mbarimit të atij kursi, Sherko punoi për pesë vite (1916-1921) si pedagog i Latinishtes në Kolegjin e Odesës. Në vitin 1921-‘22, ai punoi në Kolegjin e Varnës në Bullgari, nga ku u kthye në Shqipëri e punoi për dy vite si pedagog i Literaturtës Shqipe në Liceun francez të qytetit të Korçës.

Drejtorët e mësuesit e parë

Mbas Sherkos, në krye të asaj shkolle erdhi Karl Gurakuqi, me origjinë nga qyteti i Shkodrës. Përvëç Balës, Sherkos dhe Gurakuqit, që nga krijimi i asaj shkolle e deri në vitin 1944 kur mbaroi Lufta, në krye të gjimnazit të Tiranës, kanë drejtuar dhe Venjamin Dashi, Safet Butka e Hysni Babameto. Po kështu në atë gjimnaz që nga krijimi i tij e në vazhdim në periudhën e Monarkisë, kanë dhënë mësim një numër i madh pedagogësh. Nga këta vlen të përmenden disa nga personalitetet e arsimit, shkencës e kulturës shqiptare, si: Aleksandër Xhuvani, Eqerem Çabej, Aleks Buda, Ahmet Gashi, Sali Çeka, Avni Zajmi, Abdurrahim Buza, Fahri Llagami, Qazim Turdiu, Gjergj Canco, Aqif Selfo, Petraq Pepo e Dhimitër Shuteriqi. Të gjithë këta korifej të arsimit shqiptar, në mes të tjerash për kontributin e dhënë janë nderuar me titullin “Mësues i Popullit”. Përveç këtyre personaliteteve, pranë gjimnazit shtetëror të Tiranës gjatë viteve të Monarkisë së Zogut dhe periudhës së Luftës, kanë dhënë mësim dhe shumë njerëz të shquar, që më pas kanë bërë emër të madh në fusha të ndryshme të artit, kulturës dhe shkencës shqiptare. Ndër këta janë të njohurit: Lasgush Poradeci, Mark Gurakuqi, Nonda Bulka, Skënder Luarasi, Arshi Pipa, Vedat Kokona, Anton Mazreku, Minella Karajani, Gavril Meksi, Jorgji Pano, Zekria Rexha, Ibrahim Shabani, Naum Stralla, Zef Zymeri, Kol Shiroka, Lirak Dodbiba, Nexhat Hakiu, Mihal Zallari, Henerik Lacaj, Mustafa Greblleshi, Andrea Kushi etj.

Mësuesit e gjimnazistët që drejtuan Shqipërinë

Në gjimnazin shtetëror të Tiranës që nga vitet e fundit të periudhës së Monarkisë, kanë studjuar një numër i madh nxënësish që vite më pas u bënë figurat kryesore që drejtuan Luftën Antifashiste. Kështu që në bankat e asaj shkolle, nxënësit dhe mësuesit ishin ndarë në dy kampe, në komunistë dhe nacionalistë, që në fakt bashkpunuan hapur në mes tyre deri në shtatorin e vitit 1943. Nga nxënësit e mësuesit që përkrahnin krahun komunist dhe ishin aktivë në atë ide, bënin pjesë: Ramiz Alia, Manush Alimani, Siri Kodra, Ibrahim Uruçi, Muhamer Spahiu, Naim Frashëri, Qevqeb Kambo, Skënder Begeja, Astrit Leka etj. Kurse në krahun që përkrahnin idetë nacionaliste dhe që simpatizonin organizatën e “Ballit Kombëtar” e kreun e saj, Mithat Frashërin, bënin pjesë: Ramazan Turdiu, Seit Demneri, Rexhep Spahiu, Arif Peza, Agim Leka, Piro Vila, Mustafa Mëniku, Xhemal Alihmemeti, Halil Balla, etj. Ndër këta nxënës e mësues që u ulën për të mësuar aty, shumë prej tyre vite më vonë u bënë personalitete të jetës politike dhe shoqërore, e drejtuan deri në majën e piramidës të shtetit shqiptar. Kështu mund të përmendet ish-presidenti Ramiz Alia, Prokop Murra, (Ministër Mbrojtje) Muhamer Spahiu, (Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave) Alqi Kondi, (Sekretar i parë i Rinisë Komuniste të Shqipërisë) Jovan Antoni, (Ambasador) Ibrahim Uruçi (Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarve dhe Artistëve) etj. Gjithashtu nga ajo shkollë kanë dalë dhe shumë nxënës që më pas u bënë ushtarakë madhorë dhe morën gradat e gjeneralit, të cilët drejtuan për shumë vite ushtrinë shqiptare. Pranë gjimnazit shetëror të Tiranës gjatë viteve 1939-‘40, ka dhënë mësim si pedagog i jashtëm për lëndën e frëngjishtes edhe ish kreu i shtetit komunist shqiptar, Enver Hoxha.

 Gjimnazistët që u vranë në Luftë

Gjatë periudhës së pushtimit fashist, godina e gjimnazit të Tiranës u shpërngul nga Rruga e Kavajës, për tek Bulevardi “Musolini” (sot “Zogu i Parë”) aty ku sot është Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Përveç shumë personaliteteve nga fusha të ndryshme që kanë mësuar në bankat e gjimnazit të Tiranës, nga ajo shkollë dolën dhe një numër i madh nxënësish të cilët u bashkuan me Lëvizjen Antifashiste të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kështu mund të thuhet se gjimnazi i Tiranës, në atë kohë u bë baza e parë e njësiteve të luftës, si të komunistëve, ashtu dhe e nacionalistëve. Po t`i referohemi shifrave të historikut të Lëvizjes Komuniste në Shqipëri, vërehet se nga ajo shkollë kanë dalë shumë partizanë, ku 72 prej tyre mbetën të vrarë në Luftë, të cilët janë shpallur Dëshmorë të Atdheut dhe 13 prej tyre mbajnë titrullin e lartë “Hero i Popullit”, si: Qemal Stafa, Vasil Shanto, Manush Alimani, Asim Zeneli, Margarita Tutulani, Ali Demi, Myslym Keta, Nazmi Rushiti, Skënder Çaçi, Shejnaze Juka, Shyqëri Ishmi, Themo Vasi dhe Alqi Kondi. Po kështu, pavarsisht se nuk ekzistojnë shifra të sakta, nga ajo shkollë kanë dalë dhe një numër i madh nxënësish e mësuesish, që mbushën çetat nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, ku shumë prej tyre u vranë gjatë Luftë, ose u eleminuan fizikisht gjatë periudhës 45 vjeçare të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Pas mbarimit të Luftës, gjimnazi shtetëror i Tiranës mori emrin “Qemal Stafa”, për nder të ish nxënësit të saj që ra dëshmor në Luftë dhe është konsideruar si simbol i Rinisë Komuniste dhe gjithë kauzës së komunistëve shqiptarë që nga periudha e Luftës e deri në ditët e sotme. Që nga koha e Luftës, ai gjimnaz u tentua të quhej “Naim Frashëri”, por ajo  nuk u bë e mundur. Në vitin 1957 ndërtesa e gjimnazit “Qemal Stafa”, u shpërngul pranë fundit të Rrugës së Durrësit, aty ku ndodhet edhe sot. Që nga viti 1944 e në vazhdim, në atë gjimnaz kanë drejtuar: Aleko Tashko, Vangjel Gjikondi, Sotir Prifti, Pllumb Çeli. Kadri Baboçi, Maqo Marko, Manol Muçka, Bajram Xhaja, Rudolf Paparisto, Sami Kotherja, Sadete Çuçi, Abdulla Kullazi, Gafur Luga, Lydra Biçoku, Mimoza Idrizi, Gjergj Zaharia etj.

Personalitet që nxorri “Qemal Stafa”

Që nga krijimi i atij gjimnazi, e deri në ditët e sotme, nga dera e asaj shkolle kanë dalë një numër i madh nxënësish që vite më vonë bënë një emër të madh në fusha të ndryshme të jetës, si në art, shkencë, kulturë, sport etj. Kështu mund të përmënden personalitete të spikatura të shkencës, si: Shefqet Ndroqi, Bajram Preza, Besim Daja, Petrit Radovicka, Alfred Uçi, Neritan Ceka, Skënder Shkupi, Adelina Mazreku etj. Nga fusha e artit kanë dalë emra të njohur, kollosë të skenës dhe ekranit si: Naim Frashëri, Sandër Prosi, Panajot Kanaçi, Pirro Mani, Vaçe Zela, Robert Ndrenika, Agim Prodani, Kujtim Spahivogli, Enver Birko, e deri tek më të rinjtë, si: Ndriçim Xhepa, Gazmend Gjoka, Marjana Kondi, Eranda Libohova, Rovena Dilo, Igli Tare etj. Po kështu vlen të përmenden ish nxënësit e kësaj shkolle që u bënë piktorë e skulptorë të talentuar si: Sali Shijaku, Janaq Paço, Abdurrahim Buza, Ksenofon Dilo, Shaban Hadëri, Nexhmedin Zajmi, Fatmir Haxhiu, Zef Bumçi, Maks Velo etj. Nga ata nxënës që u bënë shkrimtarë të njohur, mund të përmenden Dalan Shapllo, Muzafer Xhaxhiu, Jakov Xoxe, Gjergj Zheji, Sherif Delvina, Zini Sako, Diana Çuli, Teodor Keko, Mustafa Greblleshi, e deri tek më të rinjtë si: Mira Meksi etj. Po kështu nga ky gjimnaz kanë dalë dhe një numër i madh sportistësh të njohur që kanë bërë emër të madh jo vetëm në vendin tonë, por kanë nderuar ngjyrat e Shqipërisë dhe në aktivitetet ndërkombëtare, si: Skënder Begeja, Besim Fagu, Masar Aga, Enver Maçi, Edra Alibegaj, Klodeta Gjini, Petrit Dibra, Sulejman Demollari, Kostandin Shkurti, Roland Avrami etj.

Përkujtimi i 75 vjetorit të gjimnazit

Plot 20 vite me parë, për të përkujtuar 75 vjetorin e hapjes së gjimnazit shtetëror të Tiranës, i cili sot mban emrin “Qemal Stafa”, nga drejtoria e asaj shkolle që kryhesohëj nga Gjergj Zaharia, për tre ditë nga data 18 deri më 20 dhjetor të vitit 2000, u organizuan ceremonitë jubilare me aktivitete të shumta kulturore artistike dhe sportive. Në këto ceremoni ishin të thirrur një numër i madh ish nxënësish të kësaj shkolle, të cilët sollën kujtime dhe mbresa të shumta nga vitet që kishin kaluar aty. Një punë tepër të vlefshme për të nxjerrë në pah historikun e kësaj shkolle që nga krijimi i saj, ka bërë dhe mësuesja e talentuar, Shpresa Bejo, e cila prej vitesh ka mbledhur një material tepër të pasur arkivor e fotografik, që ka lidhje me historinë e të parit gjimnaz të kryeqytetit shqiptar. Prej vitesh, në atë gjimnaz vazhdon të japë mësim, (lëndën e Historisë), edhe z. Hasan Stafa, nipi i “Heroit të Popullit”, Qemal Stafa, (djali i Alajdin Stafës, vëlla i Qemalit dhe ish-nxënës në atë gjimnaz), emrin e të cilit e mban ajo shkollë nga më të njohurat në Shqipëri./Memorie.al