Emri i tij është gdhendur përjetësisht me qytetin e Korçës. Ishte një nga filantropët më të mëdhenj që ka nxjerrë populli shqiptar, por me një histori tronditëse. Ai i dhuroi Korçës së tij bibliotekën, kinemanë, liceun, spitalin dhe jetimoren. Ai shpëtoi jetën dhjetëra korçarëve, por nuk shpëtoi dot vetveten nga tmerri komunist.

Ishte një njeri me zemër kaq të madhe sa thuhet nga korçarët se i ka përgatitur dhe pajën shumë familjeve të vobekta korçare, duke fituar simpatinë e bashkëqytetarëve të tij.

Por dhe pse ishte njeriu që donte me zemër të pastër Korçën e tij, sistemi komunist do sillej në mënyrë flagrante me familjen e tij si me shumë patriotë shqiptarë.

Në sistemin komunist do të prishej varreza e kësaj familjeje me emër dhe eshtrat e filantropit të madh korçar nuk dihet se ku përfunduan.

Enver Hoxha, duke e njohur mirë veprimtarinë e këtij filantropi, sepse dihet që ai ishte mësues në liceun e Korçës, thuhet se pati një urrejtje patologjike ndaj tij. Aq sa sot filantropi i madh, njeriu me kaq mirësi ndaj qytetit të Korçës, nuk ka as varr.

Thomai ishte me origjinë nga Vithkuqi, që siç dihet nga historia, ishte një qytet shumë i zhvilluar, me shumë lagje, kisha e shkolla, që rivalizonte në shumë drejtime Voskopojën. Si Voskopoja dhe Vithkuqi u dogjën dhe u grabitën tri herë. Familja Turtulli u zhvendos në Korçë dhe do bëhet një prej familjeve më të njohura tregtare të kohës. Thoma Turtulli e kompania e tij zhvillonte tregti me Durrësin, Shkodrën, Tiranën, por edhe me Selanikun, Manastirin e Stambollin.

Thomai nuk arriti të shkollohej me mësime të rregullta, por inteligjenca e tij e bëri që vitet e mëvonshme t’ia dijë vlerën arsimit dhe diturisë. Ai shquhej për atdhedashuri dhe ishte një patriot i flaktë. Thoma Turtulli, ishte ndër të parët që u largua familjarisht nëpër Evropë, duke sensibilizuar opinionin publik për rrezikun që i vinte Atdheut dhe veçanërisht Korçës nga të huajt, dhe në mënyrë të veçantë nga andartët grekë.

Pas kthimit në Korçë ai iu përkushtua punëve të mëdha filantropike për ta bërë Korçën, shembull të një qyteti evropian.

Kështu, në qytetin e Korçës, më 25 dhjetor 1927, çeli dyert kinemaja “Majestic”, një La Scala e vogël në zemër të qytetit. Kjo kinema e bukur u ngrit nga Kompania Anonime Shqiptare “Cinemato”, e krijuar prej Thoma Turtullit e miqve të tij.

Ai i dhuroi qytetit arsimdashës të Korçës, bibliotekën, duke parë etjen e madhe për dije të korçarëve. Në qytetin e Korçës e rreth tij ekzistonin shumë libra nga bibliotekat e dikurshme të Voskopojës, Vithkuqit e vetë Korçës si dhe të sjella dhe nga shoqëria “Vatra” e SHBA-së. Kështu që biblioteka e bukur e Korçës, e inauguruar më 1930-n, numëronte rreth 30000 libra asaj kohe.

Korçës së kulturës, biri dhe filantropi i madh, Thoma Turtulli, i dhuroi edhe liceun, këtë vatër dijeje, brenda e jashtë Shqipërisë. Kurse spitali i qytetit u inaugurua me 1934-n.

Pas përfundimit të tij, bashkëshortja e Thoma Turtullit, Athinaja, i dhuroi shtetit 40.000 franga ari për ndërtimin e shkollës industriale.
Mbreti Zog e dekoroi zonjën Athina Turtulli me Urdhrin e Skënderbeut. Thuhet se Thoma Turtulli ndiqte vete punimet për ndërtimin e spitalit dhe atje u sëmur nga bronkopneumonia.

Me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të mbretit Zog, i cili solli enkas nga Selaniku mjekët më të mirë, ai nuk shpëtoi dot./Konicca.al/Arlinda Canaj/