Cirku i Tiranes
Cirku i Tiranes

Cirku i Tiranës u krijua në vitin 1952, si bërthamë e parë pranë Estradës së Tiranës. Telat Agolli, Bajram Kurti, Xhuzepina Prendi (Shkurti), Bardhyl Jareci, Abdyl Karakashi ishin të parë që themeluan trupën e cirkut, e cila në vitin 1959 doli me premierën e parë “Shkopi Magjik”. Ndërsa në vitin 1964 premiera “Fluturime akrobatike” ishte vizioni drejt së ardhmes, ku cirku u konsolidua me profile, u shtuan varietetet etj., si dhe fuqia artistike. Në vitin 1973, Cirku u nda më vete si institucion nga Estrada nga ana buxhetore dhe artistike, premierat u shtuan, po ashtu shfaqet në rrethe, niveli artistik pati rritje. Dy vjet më pas vjen çadra e cirkut, ndërsa në vitin 1976 u shfaq premiera “Drejt lartësive” e para në çadrën arenë të cirkut. Kjo e plotësoi cirkun me varietete të reja me kuadrin artistik, me koncepte regjisoriale dhe artistike. Kjo i dha hapësirë cirkut në krijimtari duke fuqizuar aktivitetin artistik, ku “çadra shëtiste” ishte në rrethe të kategorisë së parë dhe të dytë. Shfaqet u kthyen në manifestime. Studio e Cirkut u arrit vetëm në vitin 1977, ku u përgatitën elementët brenda trupës profesioniste, që e kanë ushqyer trupën e cirkut me elementë të rinj. Studio dhe sot e kësaj dite ekziston, po ashtu mjeshtrit e cirkut, kontributi i tyre mbi 30 -vjeçar nuk është shuar, përkundrazi në vite ka nxjerrë elementë të cilët debutojnë e kanë debutuar në arenën e cirkut, e gjetkë.

Eksperienca

Bazuar në eksperiencën e vendeve të tjera që e kanë shumë të zhvilluar cirkun si: Kina, Rusia, Franca , Italia etj, dhe në Shqipëri roli i mjeshtërve dhe i specialistëve të artit të cirkut nuk ka moshë. Ka dy sfida; e para është profesionale, ajo e të qenit artist në skenë pavarësisht moshës; ndërsa pas saj vijnë mjeshtrit që e ushqejnë artistin me krijimtari. Deri më tani nuk është bërë asgjë për një trajtim të mirë të pedagogëve të brendshëm dhe të jashtëm edhe pse dihet që baza e ekzistencës së artit varet nga këta njerëz. Madje këta njerëz trajtohen pamjaftueshmërisht ndaj sot kemi vetëm 10 mjeshtër, 30 akrobatë profesionistë dhe rreth 50 nxënës. Tanimë mungojnë edhe kualifikimet dhe nuk është marrë asnjë masë në këtë drejtim, kur dihet që nga vitit 1960 -1975 janë bërë dy kualifikime me dy grupe në Kinë.

Pas viteve 1990

Në fund të viteve 80-të cirku po luhatej. Kjo u quajt edhe faza e “mbijetesës”, që edhe sot vazhdon po me të njëjtin ritëm larg arritjeve bashkëkohore. Pati largime artistësh, të cilët emigruan në vendet e tjera dhe punojnë atje jashtë profilit të tyre. Cirku nga 107 vetë gjithsej u katandis në 50 – 60, nga të cilët rreth 30 artistë. Pati probleme me çadrën arenë pas dëmtimit të saj, e cila u rikuperua me vonesë pas vitit 2000. Pagat diskriminuese sollën largimin e dytë të artistëve, këto paga varionin nga 15 mijë deri në 20 mijë lekë, sot mbi 28 mijë lekë. Kufizimi i aktivitetit artistik brenda vendit dhe humbja e traditës në rrethe iu shtua faktorëve të tjerë negativë. Largohen profesionistët, quhen “të vjetër në moshë”, jo për aftësinë e tyre.

Cirku sot

Met Selimi, Ali Juca, Fatos Roshi, Fatos Alla, Kujtim Dumi, Sokrat Buzo janë në funksion të punës së tyre, mjeshtrit e studios Agron Muho, Ana Dumi, Nexhmie Dakli, etj., vazhdojnë aktivitetin artistik në Cirkun e Tiranës. Po ashtu, Pranvera Sallata (Agolli), Fitnete Ruçi (Duro), Stela Blloshmi, Loreta Lika, Gentian Dollaku, Manushaqe Mullai, Brunilda Koka dhe të rinjtë; Klaudia Duro, Eris Dakli, Irida Dori etj. Brez i ri i stërvitur nga të “vjetrit” profesionistë vazhdon të debutojë me sukses në të gjitha shfaqet.

Izaura Ndoj