Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historitë e panjohura të dy avionëve të huaj që bënë ulje të detyruar në territorin e Republikës Popullore të Shqipërisë në vitin 1951 dhe në 1957-ën. Sipas dëshmisë së Edip Ohrit, ish-komandantit të Aviacionit Luftarak të Shqipërisë me gradën e kolonelit, rasti i parë me avionët e huaj që kanë pësuar incidente në Shqipëri, i përket vitit 1951, kur një pilot i forcave ushtarake të Greqisë që po bënte fluturim stërvitor mbi hapësirën ajrore të vëndit të tij, bëri ulje të detyruar në një fushë të vogël në Delvinë. Kurse rasti i dytë dhe i fundit me pilotët e huaj që janë detyruar të ulen në territorin shqiptar, i përket vitit 1957(mesi i dhjetorit), kur një pilot amerikan i forcave të NATO-s me gradën e majorit, me avionin e tij “T-33” bëri ulje të detyruar në aeroportin e Rinasit.

“Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, që nga fillimi i vitit 1945 e deri në fundin e ’90-të, në territorin e Republikës Popullore dhe Socialiste të Shqipërisë, nuk është rrëzuar asnjë avion i huaj. Por janë ulur vetë dy avionë: një grek në vitin 1951 dhe një avion amerikan i forcave të NATO-s në vitin 1957”. Ky pohim vjen nga ish-Komandanti i Aviacionit Luftarak të Ushtrisë Shqiptare, kolonel Edip Ohri, në një intervistë të viteve më pare. Sipas dëshmive të z, Ohri, e cila konfirmohet gjithashtu edhe nga disa ish-ushtarakëve, veteran të Aviacionit Luftarak të Shqipërisë, rasti i parë me avionët e huaj që kanë pësuar incidente në Shqipëri, i përket vitit 1951, kur një pilot i forcave ushtarake të Greqisë që po bënte fluturim stërvitor mbi hapësirën ajrore të vëndit të tij, bëri ulje të detyruar në një fushë të vogël në Delvinë.

Menjeherë pas uljes, piloti grek u kap nga forcat ushtarake shqiptare dhe ai u deklaroi atyre se e kishte bërë atë ulje pasi kishte humbur kontrrollin. Ndërsa fati i pilotit grek nuk u mësua kurrë, (thuhet se e zhdukën, pasi e akuzuan për spiunazh) avioni i tij u përdor edhe disa kohë nga pilotët shqiptar, deri sa u prish plotësisht.

Rasti i dytë dhe i fundit me pilotët e huaj që janë detyruar të ulen në territorin shqiptar, i përket vitit 1957(mesi i dhjetorit), kur një pilot amerikan i forcave të NATO-s me gradën e majorit, me avionin e tij “T-33” bëri ulje të detyruar në aeroportin e Rinasit. Piloti amerikan ishte nisur nga një bazë ushtarake e NATO-s e instaluar në periferi të Parisit, I ngritur për në drejtim të Napolit në Itali, por retë e shumta që ndodheshin mbi atë qytet, dhe një avarie që i erdhi nga prishja e një instrumenti (radio-kompasi automatik) ia penguan uljen.

Nga pamundësia për t’u ulur në destinacionin e tij, ai e vazhdoi më tej fluturimin duke kaluar nëpër hapsirën ajrore të Shqipërisë dhe kaloi përmbi Greqi. Por edhe mbi territorin grek ai ndeshi në re të shumta dhe kohë të keqe, kështu që u detyrua dhe u kthye përsëri mbi hapsirën ajrore të Shqipërisë, për të bërë më pas ulje të detyruar në aerodromin ushtarak të Rinasit.

Menjëherë pas uljes, piloti amerikan i cili ishte ndjekur që në fluturim edhe nga disa avionë shqiptarë, u mor në pyetje nga organet përkatëse të Ministrisë së Brendëshme. Ndërsa piloti amerikan u mbajt i izoluar për dy javë në kushte të mira në Tiranë, Aviacioni Luftarak i Shqipërisë reagoi dhe e cilësoi uljen e atij avioni, si një fitore të madhe të aviacionit tonë.

Pas dy javësh, me ndërhyrjen direkte të Nikita Hrushovit pranë Enver Hoxhës, piloti amerikan u lirua dhe u dërgua në Beograd. Më pas nga Beogradi ai udhëtoi në Paris. Ndërsa piloti amerikan u kthye në vëndin prej nga kishte ardhur, disa pjesë të avionit të tij u çuan më pas në Muzeun e Armëve të Kalasë së Gjirokastrës, të cilat qëndruan aty të ekspozuara deri pas viteve ’90-të. Me skeletin e atij avioni, propaganda zyrtare e asaj kohe u tregonte të gjithë vizitorëve që shkonin tek ai muze, “Fitoren ndaj imperializmit amerikan”.

Burimi: Memorie.al