Data 15 Janar i këtij viti përkon me 69 vjetorin e datëlindjes së aktorit të talentuar dhe të paharruar për publikun shqiptar, Marko Bitraku. Faqja Na Ishte Dikur e kujton me respekt dhe mirënjohje. I paharruar Marko…

Marko Bitraku lindi më 15 janar të vitit 1951 Lavdar të Oparit të rrethit të Korçës. Ai u nda nga jeta më 8 tetor 2015. Pas mbarimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në vitin 1974 fillon punën si aktor profesionist në Teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës.

Në skenën e këtij teatri do të interpretojë me dhjetëra role të cilat do ta bëjnë të njohur për publikun artdashës. Këtu mund të përmendim interpretimet e tij në rolin e Bomarshesë në komedinë “Berberi i Seviljes” e Bomarshesë apo rolin e Hajnit në dramën “Franku i V-të” i Dyrrenmat.

Roli i tij më i fundit do të jetë ai i Jovan Bregut në komedinë “Jovan Bregu, refugjat” e Adelina Balashit.

Më vitin 2008 ai do të realizojë edhe regjinë e monodramës “Velloja e bardhë” e Odise Plakut.

Në kinematografi ka interpretuar më se 13 role. Roli i tij i parë do të jetë në filmin televiziv “Flamur në dallgë” në vitin 1977.

Më tej do të vazhdonin role të tjera si ai Komandantit të Xhandarëve në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Selmanit në filmin “Asgjë nuk harrohet” në vitin 1985, rolin e Rushkës në filmin “Njerëz në rrymë”, rolin e Samiut në filmin “I dashur armik” në vitin 2004 etj.

Interpretimi më i fundit i aktorit Marko Bitraku është në filmin “Kronikë Provinciale” në vitin 2009. Ndahet nga jeta më 8 tetor 2015.

Filmografia


Kronikë provinciale (2009)
Mysafiret (2009)
Dhimbja e dashurise (2008)- serial
I dashur armik (2004) – në rolin e Samiut


Parullat (2001)- në rolin e Gjinit
Njerëz në rrymë (1989)
Dasem e çuditëshme (1986)
Fjalë pa fund (1986 )- në rolin e Apostolit

Asgjë nuk harrohet (1985) – në rolin e Selman Hivziu
Mësonjëtorja (1979) në rolin e Komandantit të xhandarëve
Gjeneral gramafoni (1978) – në rolin e Isufit, xhandari

Ky material u përgatit nga faqja Naishtedikur.info, u shfrytëzuan materiale nga Wikipedia.org dhe faqja Kinematografia Shqiptare, materiali mund të meret dhe publikohet diku tjetër duke përmendur burimin. Faleminderit/Naishtedikur.info