Dy nga ikonat më të mëdha të kinematografisë shqiptare (e jo vetëm) kompozitorët, Aleksandër Peçi dhe Aleksandër Lalo vijnë sot tek Konica.al. Në vijim do të ndiqni 4 kolona zanore filmash: “Kur po xhirohej një film” dhe “Në shtëpinë tonë” nga Aleksandër Peçi dhe dy të tjerë që kemi përzgjedhur për ju, nga kompozitori Aleksanër Lalo, “Dimri i fundit” dhe “Tomka dhe shokët e tij”. Mendoni se kemi sot, një prodhimtari artistike dhe cilësore, plot pasion…si këta filma, që shumë prej tyre, ndonëse kanë më shumë se 20-30 vite që janë ngjizur, i dëgjojmë e shohim me aq ëndje si dikur? Ku janë ata regjisorë e skenaristë për filmat e zhanrit të fëmijëve, apo kompozitorët që i dhanë një farë kuptimi asaj “kohe të pa kohë”? Shumë prej tyre sot janë lënë në harresë…ndonëse punuan një jetë të tërë! E madje “veprat” e tyre u përçudnuan nga pothuajse çdo televizion privat pas viteve të demokracisë, ndërsa ata…ata, mbetën thellë në shpirt…ARTIST!

*** “Kur po xhirohej një film” (Kohëzgjatja: 59 minuta/Producent: “Shqipëria e Re”/Viti: 1981/Kolona zanore: Aleksandër Peçi). Me skenar dhe regji të Xhanfise Kekos, regjisores së mrekullueshme të filmave për fëmijë, “Kur po xhirohej një film” ka qenë fitues i çmimit të tretë dhe medaljonin e Festivalit të V të Filmit Artistik Shqiptar 19-23 prill 1983. Aktori Genti Basha u nderua me medaljonin e Festivalit. Njëherazi filmi u nderua me Medaljonin e Argjendtë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmave për fëmijë në Giffoni të Salernos në Itali, në gusht të vitit 1983. Filmi trajton një temë të rëndësishme sociale në lidhje me familjen, ku një film i ri po xhirohet në një qytet të vogël. Aktorët janë një grup fëmijësh. Genti, është ngaherë nën stres pasi prindërit e tij, Liljana dhe Kujtimi, janë ndarë…”.

*** “Në shtëpinë tonë” (Kohëzgjatja: 70.43 minuta/Producent: “Shqipëria e Re”/Viti: 1979/Kolona zanore: Aleksandër Peçi). Me regji të Dhimitër Anagnostit dhe skenar i Kiço Blushit, filmi sjell në ekran një kastë të mrekullueshme aktorësh, që nga Robert Ndrenika, Bujar Asqeriu, Roza Anagnosti apo Marika Kallamata. Përmbajtja e filmit: ” Miri ka kuptuar se e motra e tij Ana është e dashuruar me një të ri, i cili është teknik pajisjesh elektrike në atë zonë. Duke pasur një keqkuptim me mësuesen e tij, ikën nga shkolla në drejtim të pacaktuar. E motra vë në dijeni të ëmën për vonesën e të vëllait, e cila kërkon ndihmën e organeve të policisë. Babai i tij habitet kur e takon të birin në periferi të qytetit. Edhe të tjerët shqetësohen, sidomos mësuesja e Mirit. Prindërit shqetësohen edhe për vajzën e tyre, pasi Miri ia tregon babait sekretin e dashurisë të së motrës. Pas shumë përpjekjeve, dashuria e Anës ngadhënjen mbi prindërit e saj, të cilët bien dakord me të”.

*** “Dimri i fundit”. (Kohëzgjatja: 51 minuta/Producent: “Shqipëria e Re”/Viti: 1976/Kolona zanore: Aleksandër Lalo). Dimri i fundit është film artistik, i regjisorëve Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro. Filmi është xhiruar në Dardhë të Korçës (Sipas tregimit “Gratë e fshatit tim” të Anasatas Kondos). Filmi është i llojit dramë dhe sipas subjektit “Gjermanët vijnë mes borës dhe dimrit. Në fshat mbeten vetëm gratë, të cilat luftojnë deri sa partizanët e plagosur të strehuar në fshat të tërhiqen më thellë dhe bora të mbulojë gjurmët. Ballë për ballë me gjermanët dhe nën kontrollin e tyre, gratë e fshatit, të udhëhequra nga nënë Shano dhe nënë Mara, nisen në grumbull për të bërë dru, por në të vërtetë arrijnë me bukë dhe ushqime të partizanët”. Filmi ka pjesëmarrjen e veçantë të aktores Liza Laska (Artiste e merituar) në rolin e Marës.

*** “Tomka dhe shokët e tij” (Kohëzgjatja: 78 minuta/Producent: “Shqipëria e Re”/Viti: 1977/Kolona zanore: Aleksandër Lalo). Me regji të regjisores së mrekullueshme për fëmijë, Xhanfise Keko dhe skenar të Nasho Jorgaqit, filmi është një nga më “të famshmit” e rinisë së viteve ’80. Me pjesëmarrjen e Tomkës në rolin e Enea Zhegut dhe Herion Mustafaraj apo Genci Moshës, filmi është i zhanrit “për fëmijë”. Nga përmbajtja e filmit, “Tomka është një djalë i vogël që i pëlqen të luajë me top së bashku me shokët e tij. Por fushën e futbollit e marrin nazistët që kanë hyrë në qytet. Tomka, nën kujdesin e të rriturve, fillon të organizojë aksione kundër kampit ushtarak që është dislokuar në fushën e tyre të dikurshme të lojës”. Filmi është xhiruar kryesisht në qytetin e Beratit dhe së fundmi është masterizuar dhe digjitalizuar në HD për shkak të gjendjes së keqe që ndodhej filmi në arkivi (shtuar këtu dhe elementet cilësore të filmit). Mbahet mend për batutën “O Guri, o trim me fletë, ahaha”

Realizoi: Edmond Prifti (Konica.al)