“Humoriada shqiptare” titullohej dokumentari i regjisorit të njohur shkodran Arian Çuliqi, që u shfaq mbrëmjen e djeshme në teatrin “Migjeni” në Shkodër, në kuadër të 60 vjetorit të krijimit të tij.

“Ky dokumentar përcolli rrugëtimin e mrekullueshëm të Teatrit të Estradës në Shkodër, ku legjendat e skenës shkodrane e shqiptare u rikthyen edhe njëherë në këtë përvjetor, me gjithë madhështinë e tyre, si një vlerë që na bën të gjithëve të ndjehemi krenarë”, u shpreh kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.

Ademi tha se “fatmirësisht shumë kollosë të humorit i kemi mes nesh dhe urojmë t’i kemi edhe për shumë e shumë vite, ashtu siç të gjithë bashkë ishin në teatrin “Migjeni””.
Estrada e Shkodrës ishte absolutisht më e pakonkurrueshmja edhe gjatë viteve të rënda të diktaturës. Madje, duke guxuar shumë me humorin që sfidonte edhe “kohën e marrë” që kemi lënë pas.

Në vitin 1954 u vu në skenë për herë të parë në Shkodër një numër estrade “Estrada në penxhere”, e cila u shfaq në kinemanë verore të qytetit, ku këngët ishin të Tonin Harapit e Deto Haxhit, orkestrën e drejtoi Zef Leka. Më pas u vu në skenë numri tjetër i titulluar: “U çua njeri e tha”. Përgatitja e pjesëve humoristike e letrare nga A.Skanjeti, zgjedhja e këngëve popullore nga Haxhi, kurse Zef Leka drejtoi orkestrën.

Në vitin 1955 regjisori Skanjeti vuri dy numra estrade përkatësisht: “E tashi do të dëgjoni” dhe “Estrada pa perçe”, për vënien në skenë të të cilës kontribuan shkrimtarët: Tonin Miloti, Jonuz Dini, Ton Shoshi, Frano Gjelaj, Ludovik Pepa. Interpretuan aktorët diletantë (atëherë) Hasan Smaja, Tano Banushi, Paulin Preka, aktorët profesionistë: Adem Kastrati, Tinka Kurti, Prekë Lëkunda, Lec Ndreka, Pistol Soja etj. Orkestrina drejtohej nga Tonin Zadeja.

Në vitin 1958 u krijua Estrada profesioniste e qytetit me regjisor Paulin Sekuj.

Burimi: 55News.al