Hysen Biza
Hysen Biza

Nga Bardha Nergjoni

Aktori që njohu tri kohërat e teatrit dhe estradës, do të shfaqej në skenë për herë të parë me dramën “Ramaducët” të shkollës Normale për të mbyllur jetën e tij në skenë me shfaqjen e suksesshme “Shumë gjethe të thata atë vjeshtë” të Astrit Çermës.

Një djalosh normalist, me trup të shkurtër, të imët, por energjik edhe pse kishte deputimin e parë në teatër, arriti të dalë me sukses, në sajë të pasionit dhe ajo më kryesorja talentit të tij që spikati me forcë qysh në fillim të rrugëtimit artistik. Ky djalosh i ri ishte Hysen Biza. Djali i tij, Fetahu është angazhuar në ndërtimin e historisë së teatrit Skampa, ku një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe babai i tij.

Pak e njohin Hysen Bizën, por ai ka shënuar mbi 40 role në teatër e sa e sa role në estradë duke kaluar një jetë në skenë. Shpesh u nënvlerësua dhe ju dhanë edhe role dytësore por interpretimi i tij binte në sy dhe të gjithë do ta mbajnë mend “Daj Cenin”në role shumë të dashura, që edhe pse ishte i ri mori titullin e respektit nga të gjithë qysh në teatrin amator të qytetit e deri në ndërrimin e sistemeve.

Loading...

 

Si e filloi teatrin

Hysen Biza do të angazhohej qysh në fillim kur ishte student i Normales. Jeta artistike e kësaj shkolle nuk u ndal as në kohën e luftës. Më pas ai vazhdoi gjatë gjithë rrugëtimit të tij duke u bërë pjesë e grupeve artistike ku do të vazhdonte detyrimin ushtarak.

Në vitin 1945 Hyseni fillon shërbimin ushtarak në Fier. Edhe pse kishte kaluar afër nëntë vjet nga debutimi i tij i parë në skenë, pasioni për këtë art nuk u shua, përkundrazi, ai filloi më me dëshirë e pasion aktivitetin e tij për këtë art, duke ngritur grupin amator të brigadës. Shkruan skeçe, komedi me një akt si “Ja po vijnë partizanët” me temë nga lufta. Luan pjesë me një akt si “Cani Hoxhë”, “Mulla Beqiri”,  “Fytyra e Ballistit” si dhe komedinë me dy akte “ Lulo Pupreka” që e vuri vetë në skenë. Kjo e fundit pati shumë sukses si në brigadë ashtu edhe në qytetin e Fierit, ku u shfaq disa netë rradhazi për spektatorët e rregullt.

Në të gjithë pjesët që vuri në skenë ai luante edhe vetë. Edhe në divizion nuk qëndroi gjatë. Atë e bënë pjestar të ansamblit artistik të ushtrisë, të përbërë nga një bërthamë e mirë aktorësh, një pjesë e të cilëve sot janë aktorë të nderuar, si Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka, Violeta Manushi, Aleko Skali, Jovan Trako, etj.

Hyseni provoi dhe Maliqin

Në vitin 1947 mbaron shërbimin ushtarak dhe kthehet në Elbasan. Familja e tij e pasur do të përballej e një tatim të jashtëzakonshëm si shumë familje të tjera elbasanase. Nga kjo të gjithë u burgosën e deri në shlyerjen e këtij tatimi ai do të qëndronte në kënetën e Maliqit. Pasi kaloi muajt e tmerrshëm në kënetë, Hyseni kthehet në Elbasan. Më pas punët e tij do të ishin të rëndomta dhe do të mungonin shpesh edhe rolet kryesore për shkak të biografisë. Ai do të aktivizohet për tetë vjet rrjesht në grupin diletant të Shtëpisë së Kulturës, pasi në këtë kohë nuk kishte trupë profesioniste.

 

Estrada një tjetër sukses

Më 22 shtator 1955, me vendim të Këshillit të Ministrave të atëhershëm ngrihet në Elbasan estrada profesioniste. Hyseni bëhet antar i trupës së estradës. Në premierat e para të estradës u trajtuan problem të veçanta të qytetit dhe të fshatit. Me kalimin e kohës, estrada me eksperiencën e fituar, fitoi zhdërvjellësi në kapjen e problemeve. Në shfaqjen e premierës “Rendi i ditës”, “Gjurmët e Kohës” dhe “ Korespondentët na shkruajnë”, trupa bëri një hap tjetër përpara përsa i përket prekjes së shqetësimit të kohës. Duke qenë se kishte një eksperiencë të madhe në punën e tij si aktor, e njihte mirë publikun, shijet e tij dhe ja ç’thotë ai për të: “Publiku ynë gjënë e bukur e duartroket, ai ndjek më shumë ato gjëra që e prekin dhe i interesojnë atij, i pëlqen të qeshë dhe të tallet me të ligën, i pëlqen të shohë njerëzit e vet, herojt e vet, kënaqet kur roli ngjit me personazhin dhe ky ka një fuqi të tillë konkretizuese sa që skenën e indentifikon me jetën e tij të vërtetë”.

I pashlyeshëm nga mendjet e spektatorëve është “Postieri” i interpretuar nga Hyseni më 1959 në shfaqjen me të njëjtin titull. Në qendër të shfaqjes ishte një postier elbasanas, që i njeh njerëzit, qytetin hallet e tyre dhe si thumbon fenomenet negative të këtyre njerëzve, satirizon ata personazhe që janë plotësisht negativë dhe krijonte situate komike me ato personazhe pozitivë që e përkrahin në luftën kundër fenomeneve negative. Në çdo situatë ai krijonte atë humor të këndshëm që e bënte spektatorin të ndjente kënaqësi. Karakteristike e Hysenit në këtë shfaqje ishte se ai i kalonte situatat në mënyrë shumë organike, pa fryrje. Kjo shfaqje nuk pati jehonë vetëm në qytetin e Elbasanit por në të gjithë rrethet e vendit. Ajo u shfaq me shumë sukses në Vlorë, Korçë, Durrës, Tiranë, Shkodër. Jeta e gjallë impulsive e ka ndihmuar Hysenin në krijimin e shumë figurave të bukura të fshatarit afërsisht 22 role në dramë, ndërsa me dhjetra në estradë e ndër to vlen të përmendet edhe “roja” tek skeçi “Në vatrën e Kulturës”.

Në skeçin “Koha s’lidhet me litar”, Hyseni dha me mjeshtëri të rrallë xhandarin tipik të regjimit të kaluar dhe shumë të veçantë nga figurat e xhandarëve që kemi parë deri më sot.

Hyseni, thotë aktori Llambi Burgja, gjeti elementin për ta diskretituar këtë figurë. Që nga plastika deri në syrin e tij flisnin shumë. Nga mënyra se si ai mbante armën shkaktonte një humor të jashtëzakonshëm nëpërmjet syrit të tij ne shikonim një idiot që s’merrte vesh asgjë dhe nga ana tjetër njeriun që s’donte ta jepte vehten.

E kanë pyetur Hysenin se si ka vepruar për krijimin e kësaj figure dhe ai është përgjigjur se për të konkretizuar rolin e xhandarit në skenë unë ka patur parasysh jetën. “Kam marrë shumë elementë nga xhandari që rrinte në centralin telefonik, nga ai I perfekturës, qoftë edhe nga një xhandar i urtë në dukje apo ai tinzar me shikimin vjedhacak dhe këto ai kam veshur këtij personazhi për të dhënë tipin e xhandarit të përshtatshëm për gjininë e estradës, duke theksuar disa cilësi negative.

Për të nxjerrë në pah këtë duhet gjetur edhe mjeti shprehës artistik përshtat rrethanave ku vepron personazhi. Plastika më ka ndihmuar shumë, Hyseni ashtu siç luante fshatarin, postierin, xhandarin, që ishin “role të plota” po aq bukur luante edhe në “role të vogla”.

Mund të kujtohet këtu skeçi “Jepi Andromaqi” që bën fjalë për ato nënpunëse që thurin triko në orarin e punës , ku me një batutë të vetme, Hyseni bëhej i dashur për spektatorin. Dhe kjo nuk është e rastit, ai ka koncepte të drejta për interpretimin në estradë. Një batutë e vetme luan rol të madh në zgjidhjen e idesë – thotë Hyseni, edhe këtu duhet luftuar për krijimin e figurës artistike.

Hysen Biza ka pasur një vesh të mprehtë muzike duke plotësuar kështu edhe një kërkesë tjetër të aktorit të estradës, për interpretimin e kupleteve që është shquar veçarësisht tek ai “Vrava lala gishtin – obobo, shko tek doktorri merr tre ditshin – obobo”.

Operetat

Hyseni ka marrë pjesë edhe në operetat “Trembita” që u vu në skenë në vitin 1954 dhe tek “Vajza e Portokallave” vu në skenë në vitin 1962, ku ka krijuar figura interesante ku vlen të përmendet ajo e “Kryematrapazi” në “Vajza me portokalla”.

Pas një punë me pasion, Hyseni nxorri në skenë një “matrapaz” sa interesant aq edhe të urryer, sa që publiku mezi priste ta shikonte fundin e kësaj fytyre, e këtij vampiri siç e kishte përcaktuar edhe vetë Hyseni këtë rol. Aq i realizuar ishte ky rol, saqë Hyseni kur dilte nga shfaqja , spektatorët nuk e thërrisnin më me emrin e personazhit që interpretonte, (Rrapush) por “Dyrri”, një matrapaz që e njihte tërë qyteti…

“Pasi ishte shfaqur disa ditë rrjesht me sukses në Elbasan, trupa u nis për në Tiranë. Ishte viti 1962, festohej 50-vjetori i shpalljes së pamvarsisë. Natën e parë luajta kryematrapazin, ndërsa natën e dytë, kur do të vinin edhe të udhëheqjes, dhe biletat ishin shitur, aktori që luante rolin kryesor (Qazimin) Faik Haxhihymeri, i vdes i biri 14-vjeçar. Shokët vendosën që unë të luaja këtë rol dhe kryematrapazin dublanti. Nuk e kam ndjerë veten më ngushtë se në këtë moment, tekstin nuk e dija plotësisht, por dija çfarë zhvillohej në të, thelbin e saj unë e kisha në dorë, kjo më nxorri nga situate. Jam i  bindur që niveli i interpretimit të kësaj figure nuk është i arrirë, por unë sakrifikova për hirë të ansamblit”, shkruan në kujtimet e tij Hyseni.

Ai ka ditur të përdorë shumë mirë këto cilësi duke na dhënë gjithnjë figura reale jetësore e plot humor për të përcaktuar kështu karakterin e roleve të tij. Ai ka shërbyer edhe si regjizor i estradës profesioniste për gati dy vjet dhe ka vënë me sukses disa numra të estradës.

Për punë të mirë në aktivitetet kulturore dhe artistike Hysen Biza është dekoruar me urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të III-të bashkë me figura të tjera të nderuara si Astrit Çerma, Shpëtim Shmili e Alfons Balliçi.

Teatri profesionist

Pasi punoi për 20 vjet në estradën profesioniste, Hyseni në vitin 1973 bëhet pjesë e teatrit profesionist të qytetit për të na dhënë figura akoma ma të bukura në këtë gjini. Edhe këto nuk janë pak por afërsisht 10-të e mbi të gjitha vlejnë të përmenden Plaku tek “Familja e madhe” e Sheri Mitës, Suloja tek “Hakmarrja e madhe” e Astrit Çermës, prefekti tek “Prefekti” i Besim Lëvonjës, Jonuzi (plaku Lab) tek “Vëllezërit” të Miliano Stefës, tregtarin Hasan tek “Shpagimi” i Ilir Bezhanit, “Magazinieri Xheti” tek “Vera e vitit 78” e Bahri Myftarit, “Postieri” tek “Në prag të jetës” e Fahri Balliut. Në tre dramat e fundit, Hyseni ka luajtur duke qenë në pension.

Ajo që vlen të theksohet për mjeshtërinë e interpretimit të tij është se Hyseni kurrë nuk luante në skenë, nuk bënte sikur ai e merrte seriozisht çdo rol. Galleria e roleve të tij, edhe pse pensionist, do të pasurohet edhe më shumë me figura të tjera duke vazhduar të mbetet gjithnjë i freskët në skenë edhe pse qysh në fillimet e tij të gjithë e thërrisnin me respekt “Daj Ceni”. /tesheshi.com/