Në raport-informacionin e ambasadorit shqiptar në Vjenë, Idriz Bardhi derguar ne javën e fundit të gushtit të vitit 1987, në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, hidhet dritë mbi menyren se si u arratis diplomati shqiptar nga makina ku ndodhej me kolegët e tij.

Ne raportin sekret, publikuar në “Panorama“, ambasadori përshkruante me hollësira dhe detaje lidhur me arrestimin e diplomatit shqiptar Vullnet Thanasi nga ana e autoriteteve policore austriake, të cilët e akuzonin atë për “kontrabandë cigaresh”, pasi e kishin kapur në flagrancë me 300 steka cigaresh që ia kishin gjetur në makinën e tij me targa diplomatike.

DASHNOR KALOÇI

Thanë gjithashtu se çështja do të mbahej e mbyllur dhe nuk do të publikohej dhe se cigaret mund t’i tërhiqnin me të paraqitur deklaracionin e miratuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Austrisë.

Gjatë gjithë kohës që u zhvillua ngjarja dhe bisedimet, Vullnet Thanasi dukej i tronditur, por nuk e kishte humbur ekuilibrin mendor dhe logjikën. Shokët tanë shkëmbyen pak fjalë me të dhe i bënë të qartë që në fillim se po bënin përpjekje për ta liruar nga arresti.

Prej shokëve tanë u konstatua se pasaporta e tij ishte e falsifikuar, kishte vetëm vulat e Ambasadës dhe një firmë të falsifikuar zv.ministrit tonë të Jashtëm.

Gjatë gjithë kësaj ngjarjeje në zyrat e Doganës, nëpunësit austriakë u treguan korrektë dhe të predispozuar për të gjetur një zgjidhje, që nuk cenonte ligjin e tyre. Për të sjellë deklaratën e Ambasadës sonë erdhën në zyrat e Doganës dhe shokët Mitro Ziko e Klime Prifti, e të gjithë së bashku me Vullnet Thanasin u larguam nga Dogana.

Në paradhomë të zyrës ku u zhvillua biseda ishin vendosur në një tavolinë të gjitha stekat e cigareve, të cilat u panë nga të gjithë shokët që ishin të pranishëm. Pasi dolëm nga Dogana, nuk u zhvillua asnjë bisedë midis shokëve tanë dhe Vullnet Thanasit, i cili së bashku me shokët Mitro e Kujtim hipi në makinën që e ngiste Petriti, duke qëndruar në ndenjësen e prapme së bashku me shokun Kujtim.

Pasi ishim larguar afro një kilometër nga zyrat e Doganës, makina ku ishte Vullnet Thanasi ndaloi në një semafor. Para saj ndodhej makina ku kishin hipur shokët Klime dhe Ilir, të cilën e ngiste shoku Andon Koka.

Në kohën që pritej të hapej sinjali jeshil, në makinë ku ndodhej Vullnet Thanasi u dëgjua një e thirrur dhe kur shokët Mitro e Petrit kthyen kokën për të parë se çfarë ndodhi, panë se Vullneti, pasi kishte qëlluar Kujtimin me grushte në fytyrë, kishte hapur me shpejtësi derën e makinës dhe po vraponte gjatë rrugës në drejtim të kundërt. Menjëherë në ndjekje të tij me vrap u vunë shokët Petrit, Klime, Mitro dhe Ilir.

Pas 250 metrash, ai u kthye në një kthesë majtas dhe vazhdoi të vraponte deri te një udhëkryq ku ndodhej një park, disa oborre dhe apartamente banimi. Ndriçimi në këtë vend ishte i dobët dhe ai u humbi shokëve tanë nga sytë. Nga të gjithë shokët e pranishëm, u kërkua dhe u kontrollua me imtësi e gjithë zona, pa mundur ta gjenim. Kjo ndodhi rreth orës 22 e 30.

Mbasi shokët u kthyen në Ambasadë, u shpërndanë në disa grupe, duke kontrolluar stacionet e trenit, aeroportin, stacionet e autobusëve dhe metrove. Një grup shokësh u nis menjëherë për në pikën kufitare duke menduar se ai mund të kthehej për të marrë sërish makinën dhe familjen që kishte lënë në Znajm.

Aty pritën disa orë. Kërkimi vazhdoi gjithë natën dhe gjatë gjithë ditës së nesërme. Gjatë gjithë zhvillimit të ngjarjes, nga të gjithë shokët nuk u la të kuptohej se do të trajtohej ashpërsisht, duke mos e qortuar dhe pa i thënë asnjë fjalë të rëndë.

Trajtimi i çështjes u bë me urtësi dhe korrektësi. Më pas vepruam sipas udhëzimeve tuaja.

Vjenë, 25.8.1987

A M B A S A D O R I (Idriz Bardhi)