Vazhdon të ngjallë shumë kuriozitet libri më i fundit i Bashkim Shehut, me titull “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”. Libri është një letërsi artistike, që eksploron historinë akoma të errët të komunizmit në vend.

Në një pasazh, të publikuar nga GSH, theksohet se një grua, e cila i hodhi fall Nexhmijes, u zhduk pa nam e nishan.

“Ajo, fallxhorja, një ditë prej ditësh i paskësh hedhur fall një gruaje tjetër, duke i parathënë shumë e shumë të liga, por pa e ditur kush ishte ajo gruaja tjetër, gjë që e kishte nuhatur e kuptuar vetëm në të mbaruar të fallit, duke ia thënë këtë tjetrës, që e kishte fshehur kush qe, për të mos penguar fallxhoren që kjo t’ia shkoqiste të vërteta që duhej t’i thoshte e të mos i fshihte, dhe që na qenkësh pikërisht gruaja e të madhit, e atij të madhit fare, e Enver Hoxhës pra!

Të gjitha këto do ia sillnin kobin fallxhores, romes së shkretë me një tufë kalamajsh, që i kishin mbetur jetimë, atje në një paralagje të Tiranës, ngase këtu, mos o Zot, ishte edhe më keq për ta, ndaj dhe s’mund t’i merrte. Kurse për ty gjysma e të keqes, i tha jaranit, se je njeri pa njeri në këtë botë. Ku e di ti, tha burri. E shoh, tha gruaja.

Më së fundi, ajo i kërkoi t’ia vështronte pëllëmbën e dorës e t’i shtinte fall. Dhe i paratha se, edhe nëse ende nuk ishte bërë Enver, dikur po do të bëhej Enver, do t’i vinte ora, veç të tregohej i duruar, siç edhe ishte treguar.

Pastaj të nesërmen, gruaja u zhduk, u zhduk pa nam e nishan. Nuk e pa më askush, të nesërmen. Dhe nuk dihej se si qe zhdukur”./Konica.al