Pesë persona prisnin në lokalin e Shaqo-ziut. Ishte mëngjes, fundmaji, në fillim të verës.

-Po tani kë presim?- pyeti Xhevati.

-Presim kryetarin, Birçen, me Mricën.

-Cilën Mricë?- u hodh Lame Kurrizi.

-Motrën e Pjetër Mustakuqit, gruan e Birçes.

-Pse e ka dredhur edhe Mrica?- pyeti Arifi.

Lamja i hodhi një vështrim, si t’i thoshte “Shiko kush flet”, por vazhdoi;

-Mrica u martua me një komunist me pozitë të cilin Enveri e burgosi se i doli Ballë per ballë. Pas ’90 u martua me Birçen. Bile kanë edhe një djalë. Ata themeluan shoqatën tonë dhe iniciuan ngritjen e bustit.

Nuk vonoi dhe ja behu Bircja me të shoqen. Kishin marrë edhe djalin me vete. Mrica mbahej mirë. Thoshin se kishte bërë plastikë.

U takuan. Jani Ferra i puthi dorën zonjës.

-Do të pish kafe kryetar?-pyeti Lame Kurrizi, me servilizëm.

-Jo faleminderit, kam pirë. Nisemi se kemi rrugë të gjatë.

Zunë vënd në furgon. Arifit i shkuan sytë tek busti;

-Që thoni ju more shokë, unë per 46 vjet bashkëpunova me ata që e luftonin komandantin tonë. U zumë me xhaxha Bamkën për disa toka dhe e tradhëtova. Ai Ibrahimi më mori ne qafë.

-Ështe e vërtetë se ti e qëllove?- donte me e zhbiru, Mrica.

-Më plaçin sytë që jo. Oj tëmën ç’thonë. Po ku kisha nishan unë të qëlloja aq larg. E kë, komandantin. Ata të filmit e sajuan  këtë histori.

Lame Kyrrizi u kollit. Bircja ktheu kokën e duke i shkelur syrin i thotë;

-Sa ditë qëndrove në Tiranë o Lame?

-Dy më duket- buzëqeshi  sybardhi.

-Takove ndonjë mik andej nga liqeni?

-Ah, po. Takova shokun Ziver. Nuk e di a bëri sikur s’më pa apo ishte currufjepsur. I thira nga larg; Shoku Ziver, të njohin të gjithë tani. Komunist ore, komunist ke qënë!

Të tjerët buzëqeshën. Pas 3-4 ore udhëtim, arritën. Në një lokal të bukur, rrëzë kodrave me blerim mbuluar do të takonin Mexhit beun. Furgoni nuk ngjitej dot në fshat për shkak të rrugës së keqe. Ishin disa rrugica që kërkonin jo vetëm diell por edhe asfalt.

-Nuk kemi ndonjë tesgë- tha Arifi nga përvoja e bustit të kaluar.

Jani Ferra u ngrit në këmbë i nervozuar.

-Çfarë tezge more. Prandaj luftuam ne? Ka menduar mbreti për këtë ditë. Do t’i heqë partia jonë shpenzimet.

-Me ato paratë që morrët…

-Paratë ishin të mbretërisë dhe naltmadhnia e tij i ka taksur për çështjen kombëtare.

-Lavdi mbretit,- tha Mrica.

U ulën në lokal. Djali i Bircës që vazhdimisht mbante kufje në vesh, kerkoi ujë. Mrica pyet Bircën;

-Cfarë t’i jap të pijë mor burrë?

-Mos i jep nga gota së është ujë depozite. Porosit një shishe ujë por nga burimi i Nënës Mbretëreshë.

Xhevati mezi priste rastin të shpërthente;

-Kujdes mor bir se gëlltit një gllenjkë ujë të ndotur dhe vjell tërë jetën.

Të tjerët qeshën. Tosun Baçi i cili rinte i heshtur pyeti;

-Po ti si shpëtove atëherë me atë historinë e Tostit?

-Ja futa Milos. Zbulova se i kishin pushkatuar një dajo në brigadën e parë. Shpëtova për qime.

Ndërkohë një Benz frenoi ashpër para lokalit. Mexhit beu doli nga mjeti dhe më hapa të shpejtë hyri në lokal. Pasi i përshëndeti u fut në temë;

-Në fshat nuk e çojmë dot. Mësuesi me trimat e tij ka bllokuar urën.

-Ah këta mësuesit,- shfryu Arifi,- i bëri kinostudjio, të gjithë komunistë.

Birçja pasi u mendua pak, pyeti;

Po mirë, mësuesi a është deputet?

-Ishte, por dorëzuan mandatet. Tani merret me protesta. Kanë edhe armë.

-Me leje?- pyeti Mrica.

-Jo, çne. Nga depot që hapën në ’97.

Pasoi një heshtje e gjatë. Të gjithë i kishin mbërthyer sytë kryetarit. Nuk vonoi e ai vendosi.

-Mirë, do ta cojmë në kryeqytet.

Të tjerët e panë me habi.

-Je në vete o tu mbylltë- u hodh Lamja.- Po atje ka sigurimsa.

-Dëgjomeni mua. Në Tiranë janë vendosur edhe buste të tjerë të patriotëve tanë. Edhe qeveria, megjithëse deklaron si e majtë, e ha qylin…Po porosis një makinë.

Të tjerët nxorën celularët dhe u futën në fb. Djali i Birçes dëgjonte muzikë me kufjet në vesh. Sapo mbaruan kafenë mbërriti makina. Ishte një Fuoristrade e re me ngjyrë të zezë. Shoferi, një mesoburrë me kokë të rruar pyeti;

-Më falni o zotërinj se unë nuk jam nga këto anë. Jam Vorioepiriot. I kujt është ki bust?

Birçja ktheu kokën djathtas e foli rëndë rëndë;

-Është i patriotit dhe Nacionalistit të shquar, Sali Protopapa. Ke dëgjuar për të?

-Jo- tha si i zënë në faj shoferi.

-Është vrarë në kohën e Luftës. Donte të bashkonte të gjitha forcat politike në luftë. Kishte aftësine të hynte në bisedime edhe me të fortët edhe me të dobëtit. Ah sikur ta kishim sot. Do të hynim në Evropë brënda vitit- mbylli ligjeratën e tij kryetari. Të tjerët tundnin kokën. Shoferi tek dëgjonte Bircën, ia nguli sytë dhe tha;

-Më falni juve j’u kam parë diku.

-Eh more djalë. Jam i biri i Safa Ymerit. Që ta marrësh vesh ti dhe këta të tjerët, mua komunistët më prishën dasmën. U hapa derën, u dhashë mish e bakllava por më morën në qafë.

-Po ne e dimë ndryshe- tha Xhevati.

-Historia duhet shkruar nga e para. Ata partizanët, që thua ti, u ulën në sofër e filluan të pijnë. Jaho, nxori pistoletën e më detyroi të shkoj tek kryetari i këshillit. Zotin Ali e lidhën dhe e hodhën ne bodrum se nuk e dehën dot. Kurse ata i zuri menjëhere. Dhe mua më detyruan te dalë partizan. Eh, sa kemi vuajtur.

Arifi iu afrua Tosun Baçit e i pëshpëriti në vesh;

-Ky ka qënë sekretar partie.

Tosuni kishte një faqore raki që e kthente shpesh, ndaj nuk mori vesh ç’i thanë.

-Si të gjithë o kryetar. Edhe ne kemi vuajtur.

Në Tiranë ceremonia u bë madhështore. Druheshin se mos ishte problem vëndi, por jo. Kishte plot bazamente bosh nga buste të shkulura kohët e fundit. Busti i Saliut ishte më i riu. Të tjerët i kishte mbuluar pluhuri dhe kishin nderuar ngjyrë. Sikur vinin nga mesi i errësirës.

Vëndi i përmendorëve ishte i sheshtë, pa kufij midis kundërshtarëve. Pak më lart, Dritëroi tek ndiqte këtë zallamahi, thithte duhan mendueshëm e bënte kryqin. Ndoshta iu kujtua Ibrahim Kovaçi, ndoshta donte një gote raki, ndoshta… Disa thanë se mori lapsin e mbi një plis shkroi; Shkëlqimi, rënia dhe ngritja në piedestal e zotit Sali….

DHIMITËR SHKURTI

Athinë,  19-5-2019.

Burimi: AktoretShqiptare.info