Xhevdet Shehu

(In memoriam)

Ishte 6 shkurti i vitit 2007. Ora 11 e 27 minuta kur Kadri Roshi mbylli sytë dhe i pushoi zemra përgjithmonë…

Është Kliti Roshi që më flet kështu, i biri i Kadriut, artist, dhe… mbytet në lotë. Nuk mundet ta vazhdojë më tej bisedën. Ka një plastikë të admirueshme që në çdo sekuencë të kujton artistin e madh të skenës dhe ekranit.

Po si ai nuk bëhem dot, më thotë. Ai ishte Njëshi. Sa më shumë kohë kalojnë, bindem për këtë. Jo se e kisha baba, por koha e ka treguar se ishte një artist i lindur, më thotë Kliti.

***

Në biografinë zyrtare të shkruar në Uikipedia, për Kadri Roshin thuhen këto fjalë kursimtare:

“Lindi më 4 janar 1924 në Ballsh të Mallakastrës, i biri i Maksut dhe Sabrie Roshit, me prejardhje nga Libohova. E ëma i vdiq kur ishte 2 vjeç dhe më pas kur ishte 12 vjeç i vdiq edhe i ati.

Përfundoi studimet e larta në Pragë në vitin 1951. Ai, e filloi karrierën e tij si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare duke qenë një ndër krijuesit e këtij teatri. Që nga ajo kohë dhe deri sot ai numëron rreth 180 role në skenë dhe kinematografi, të cilat përbëjnë një jetë të madhe artistike, ku ndërthuren vështirësitë e një jete prej jetimi, çiraku, portieri kinemaje dhe deri tek aktori origjinal me portretin e njeriut të fisëm. Në krah ka pasur gjatë gjithë kohës aktorët e brezit të tij Drita Pelingu, Violeta Manushi, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Marika Kallamata, etj.

Nga shumëkush është konsideruar si legjenda e skenës dhe ekranit shqiptar. Ai ka qënë një aktor brilant dhe me një talent të lindur. Në vitin 1995 është nderuar me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik, në vitin 1997 me Çmimin e Madh të Nderit. Ai është “Nderi i Kombit” nga viti 1999. Emri i Kadri Roshit është i mbushur me shumë shkëlqim, një kolos për filmin dhe teatrin shqiptar, ku ai la figura të spikatura që nuk do të harrohen kurrë.

***

Sa thuhet më sipër është fare për një artist të madh të kalibrit si Kadri Roshi. Pavarësisht se vitet e fundit janë shënë me kuintalë tituj nga më të lartët për artistë krejt mediokër, Kadri Roshi shkëlqen edhe sikur të mos kishte marrë asnjë titull.

Thotë Kliti: Për mua, emri Kadri Roshi nuk përfaqëson as më shumë e as më pak përveç se një gur xhevahiri në gjerdanin e madh prej 46 të tillësh që përbëjnë atë që atëherë është quajtur “Teatri Popullor”. “Teatri Popullor” ka pasur 46 aktorë. Secili prej tyre ishte një gur xhevahiri.

Sipas karateve, kuptohet që çdo gur i çmuar, çdo pjesë copë floriri ka karatin e vet, por të 46-të, në karatin e tyre ishin gurë të çmuar xhevahiri dhe Kadri Roshi është një ndër ta. Pastaj, për mua Kadri Roshi, nëse do të flasim në një aspekt tjetër dhe ta shikojmë në një këndvështrim tjetër, do të thotë edhe më shumë se kaq. Sepse Kadri Roshi në radhë të parë, para se të ishte aktor, ishte njeri.

Sot po harrohen shumë vlera dhe si rezultat i kësaj, në qoftë se nuk i themi ne, qoftë edhe të afërmit e familjes së personave, vlerave dhe meritave të njerëzve tanë, jam i bindur që shumë shpejt ata do të harrohen dhe do të shuhen.

Në një rrethanë të caktuar, në një ngjarje të caktuar, pra sipas rolit në filmin ose në dramën që ka interpretuar, jo vetëm, Kadri Roshi ka disa batuta që janë bërë të përditshme në jetën e përditshme. “Gërmo Tare, gërmo”, varet si e shikon ti, si e percepton ti sot në një rrethanë të caktuar që ke.

Ka edhe shprehje të tjera të cilat ndoshta mundet për ndonjë, tingëllojnë pak si të ashtu quajtura banale. Por jo, nuk janë banale. Në atë kohë, para viteve ‘90-të, nuk të lejonte njeri banalitet dhe shprehja “Bëji të fala satëme”, tek “Tokë e përgjakur”, unë sot e përkthej për një njeri jo dashamirës, për një njeri që mundohet t’i bëjë të keqen tjetrit, që mundohet t’i vërë gurë nën rrotë, unë i them: vazhdo ti vazhdo, se unë do të vazhdoj në punën time, në rrugën time të drejtë.

E thënë ndoshta me një kuptim tjetër dje, sot merr një kuptim, prandaj të bërë moto sot për njerëzit (për ata që duan), por proverbiale për mua, që është vërtetë moto e jetës sime dhe e punës sime, do të mbetet fraza nga Arturo Ui, e thënë nga një aktor, nga një gur xhevahiri me shumë vlera si Ndrek Shkjezi, “Kokën lartë djema. Kush s’ka vdekur, rron akoma”. Kjo ishte një batutë që i shërbeu vetë Kadri Roshit si moto në punën e tij dhe kjo jo rrallë herë e ka nxjerrë shumë faqebardhë.

***

Poeti Petrit Ruka, i cili ka shkruar një monografi për artistin e madh, shkruan ndërtë tjera:

“Në vendin e Ali Pashës nuk kishin patur nevojë të vinin ndonjë afishe se lajmi kishte marrë dhenë. Te sheshi i aghencisë, aty ku tani rri e sheh fshatin e tij Pashai i Madh, Ali Tepelena, kishte dalë një turmë e madhe dhe tërë administrata e vogël e Tepelenës.

Aktori u dha dorën pothuajse të gjithëve dhe kërkoi që rrugën deri tek Pallati i Kulturës ta bënim në këmbë. Nuk kishim bërë as dhjetë çape kur ndaloi e preu skiç trotuarin. Ndaluam e u kthyem të gjithë andej nga po shkonte me hapa të mëdhenj e energjikë si të një djali.

Përpara një magazine, buzë trotuarit, katër – pesë egjiptiane po ngarkonin një makinë me miell. Dy prej tyre, sapo e panë, mbetën të hutuar me thasët e rëndë në kurriz. Kadri Roshi ndërkohë ishte përqafuar me të parin dhe po takonte të dytin që iu hodh në qafë duke ia bërë kostumin e zi krejt të bardhë. Ne ishim afruar rreth këtij takimi të Aktorit me djemtë hamallë të emocionuar.

– E di pse u takova, mor djem?! – u tha Kadri Roshi, – … se…se kam qenë vetë hamall në Kavajë e në Durrës. Ja në moshën tuaj isha…

Zëri i tij u valëzua përmes një ngashërimi të përmbajtur. Filloj t’i mbahej goja…

Ishte me të vërtetë diçka prekëse.

Një djalë me kamera amatore e pati xhiruar gjithë skenën. Kostumi i Kadri Roshit është përlyer i tëri me pahun e miellit të bardhë, po ai as që e vuri re dhe u nis ashtu i përzbardhur midis rrugës që të çonte në qendër të qytetit. Tek pallati nuk u besoje dot syve. Nuk kishte zbarkuar vetëm qyteti, kishin ardhur qindra njerëz edhe nga fshatrat. Sapo u shfaq ia befën si një shungullimë duartrokitjet.

Duke ngjitur shkallët më kap një valë mallëngjimi. Si ishte e mundur?! Me çfarë ia kishte arritur kësaj dite ky njeri që lëviste kaq zemra prej kraharorit. Me çfarë sekreti ishte ngjitur deri në këto maja të pasosura adhurimi?!

Kishte ardhur një kohë tjetër, ku idolet ishin përdhosur deri në atë derexhe sa të ikte mendja e kokës. Kisha parë sesi njerëzit kishin filluar t’i prisnin të mëdhenjtë e shtetit deri tek presidentët e kryeministrat me një indiferencë therëse, për të mos thënë me një farë përçmimi të pafshehur. Ndërsa këtë njeri, thjesht një njeri, pa kurrfarë pushteti politik, një artist të varfër, një plak që po u afrohej sinoreve të vdekjes po e prisnin si një hero të përjetshëm të tyre edhe në rrugë. Koha e shkretëtirave shpirtërore nuk po e vjetëronte, përkundrazi e ngrinte lart deri në kufijtë e shenjtërimit.

Kam parë aktorë të tjerë që i prisnim me respekt ngado, por vetëm Kadri Roshi ishte kthyer qysh i gjallë në një mit.

Është tmerrësisht e vështirë ta shpjegosh këtë me fjalë.

Nuk di ta them sesi. Por ja që ndodhte kështu dhe pikë…

Pas filmit ai u ngrit dhe mori fjalën. Ishte i emocionuar, po i dridheshin duart dhe mjekra. Nuk kam parë asnjë aktor të emocionohej aq shumë nga njerëzit në sallë. Atë e dehte fryma njerëzore e sallës sepse e besonte dhe e bënte të tillë dashuria.

Falënderimi i tij ishte i sinqertë, me fjalë të zjarrta. Vura re sesi kaloi deri në nuancat më të holla në gjuhën karakteristike të Tepelenës. Ishte një gjë e habitshme që mund ta bënte vetëm ai me një lehtësi kaq të pabesueshme. Kur nuk pati se ç’të shtonte tjetër, nga që ndjehej borxhli, tha se do të recitonte poemën e Naimit…

Burimi: Gazetadita.al