“Sa më të mëdhenj janë njerëzit aq më kokëulur janë”,- thënie kjo që piktori Ibrahim Kodra e pëlqente ta përsëriste shpesh. Kështu e nis rrëfimin e tij për maestron Fatos Faslliu, drejtuesi i fondacionit “Ibrahim Kodra”, të cilit i pëlqen të nënvizojë se pavarësisht talentit dhe njohjes ndërkombëtare, Kodra mbetej një njeri i thjeshtë, mjaft i komunikueshëm, i gatshëm për të ndihmuar gjithnjë të tjerët, shumë i shqetësuar për fatin e Shqipërisë dhe Kosovës.

Dy nga njerëzit që i kanë qëndruar më afër deri në fund të jetës ndalen në shumë nga momentet e jetës së Kodrës, nga fëmijëria e hershme e deri në ditët para se të mbyllte sytë. Miqësitë e tij me disa nga artistët më të famshëm të kohës, lidhjet e ngushta shpirtërore me Durrësin dhe Shqipërinë, vlerësimet nga personalitete të atyre viteve, por dhe pasionet që e shoqëruan gjatë gjithë jetës janë disa nga etapat më të rëndësishme të jetës dhe krijimtarisë së Kodrës, që Fatos dhe Luljeta Faslliu i zbardhin për gazetën “Dyrrah”.

Të ardhur në Shqipëri me rastin e hapjes së ekspozitës “Shqipëria fantastike”, në Galerinë e Arteve në Tiranë, çifti Faslliu shprehet i indinjuar dhe ndjen keqardhje për indiferencën që autoritetet shqiptare, veçanërisht ato lokale në Durrës, vazhdojnë të tregojnë për piktorin e madh.

Piktori i ardhshëm

“I mbetur jetim që në moshën 3-vjeçare, Ibrahimi detyrohet në moshën 8-vjeçare të largohet nga shtëpia prindërore në fshatin Likmetaj të Ishmit, pasi nuk e duronte dot njerkën e tij”,- tregon Fatos Faslliu. Babai i tij, Murati, ishte kapiten i një anijeje tregtare, e meqë ishte gjithnjë në udhëtim, ai kalonte shumë kohë me njerkën e tij.

Po ndërsa kishte humbur nënën në moshë shumë të vogël, vendin e saj nuk arriti ta zinte dot gruaja e dytë e të atit. Kujtimi i tij për nënën ishte mjaft i vagullt, por gjithsesi ai nuk e harroi kurrë atë, madje e vizatoi jo vetëm në letër, por dhe mbi murin e derës së studios së tij në Milano. Luljeta kujton se sa herë donte të hynte në studio ndalej për pak sekonda para këtij vizatimi, sikur të donte të çmallej me nënën që i mungoi gjatë gjithë jetës.

Në të njëjtën kohë ajo rrëfen se vetëm pas vdekjes së maestro-s ata kanë zbuluar në raftet e studios së tij shumë vizatime të nënave me fëmijë, që me ç’dukej Kodra i kishte hedhur në letër në moshë të vogël e që i kishte mbajtur gjithnjë me vete. Ndërsa largohet nga familja në moshë shumë të vogël, i vetëm e pa përkrahje, ai përfundon në Mamurras ku shërbente si kamarier.

Në këtë qytet ai njihet me një tregtar durrsak me mbiemrin Sukniqi (e kthen Sukaj më vonë), i cili kishte një djalë që quhej Ibrahim. Tregtari e merr me vete në Durrës dhe e fut në shkollë së bashku me adashin e tij. Pikërisht në këto vite të para nis të shfaqet e të bjerë në sy talenti i Ibrahimit në pikturë. Pas periudhës së shkollës, Ibrahimi pikturonte për një dyqanxhi që tregtonte mobilje italiane. Krahas kësaj pune ai u bënte portrete dhe njerëzve që ia kërkonin.

Një fëmijëri e kaluar mes vështirësish, një rini në akademinë e arteve më të famshme në Itali e një jetë e tërë kaluar mes pikturës, sportit dhe muzikës. Piktori që kurrë nuk e hoqi penelin nga dora, por që gjithashtu nuk iu nda aktivitetit fizik dhe instrumentave muzikore. Një rrëfim për Ibrahim Kodrën që tenton të zbardhë disa nga momentet më domethënëse të jetës së tij, ato që formuan shpirtin e artistit të ardhshëm e njëkohësisht forcuan bindjen e personaliteteve të kohës për aftësinë e madhe artistike të piktorit shqiptar, primitivit të qytetërimit të ri

Portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të. Portretin e sheh nëna mbretëreshë, e ëma e mbretit Zog, e cila e habitur nga mjeshtëria e piktorit të vogël i kërkon të birit (mbretit Zog) t’i akordonte një bursë për të ndjekur studimet në Tiranë. I riu Kodra dërgohet të ndjekë studimet në shkollën e mesme teknike “Harry Fultz”.

Ndërsa frekuentonte gjimnazin, ai ndjek kursin e pikturës së mjeshtrit Odise Paskali. Aftësitë e tij artistike nuk mund të kalonin pa u vënë re e për këtë pavarësisht se ishte i ri ai dizenjoi kopertinën e botimit të parë të librit të Haki Stërmillit, “Sikur të isha djalë” si dhe pikturonte posterat e filmave që shfaqeshin në atë kohë në kinematë e Tiranës.

Por krahas pasionit për pikturën, Kodra ishte një sportist shumë i mirë. Gjatë viteve të shkollës, ai shpallet kampion i vendit në hedhjen e diskut dhe ngritjen e peshave. Dëshira për t’u marrë me sport nuk do t’i ndahej Kodrës deri pak muaj para se të mbyllte sytë. Ndërsa fiton bursën e studimit të akorduar nga mbretëresha e Shqipërisë ai niset drejt Italisë.

Nën sugjerimin e konsullit italian në Tiranë autoritetet e vendit fqinjë i akordojnë një tjetër bursë studimi dhe regjistrohet në Akademinë e Arteve të Brerës.  

Miqësitë e mëdha

Fatos dhe Luljeta Faslliu tregojnë se mjeshtri Kodra ishte një njeri shumë shoqëror, me shumë miq e të njohur. Kur e pyet për lidhjet që piktori kishte me artistë të njohur të atyre viteve, Fatosit i vjen ndërmend shoqëria që ai kishte me shkrimtarin e famshëm Ernest Heminguej. Sipas Faslliut, Kodra kishte interpretuar muzikën e një kënge popullore shqiptare në një nga baret e Brerës, ndërsa ishte i shoqëruar nga shumë intelektualë dhe artistë italianë.

Muzika u kishte pëlqyer së tepërmi të pranishmëve dhe duke u bazuar në notat e saj ata krijuan edhe tekstin. Kënga u përzgjodh më vonë nga regjisori Aldo Vergano si kolonë zanore e filmit “Il sole sorge ancora”, ekranizim i romanit të njohur të Heminguejt. Sipas Faslliut, autori amerikan e kishte pëlqyer mjaft këngën dhe e kishte falenderuar piktorin Kodra për muzikën e mrekullueshme të vendit të tij.

Ndërkohë në një shkrim të “La Republica” të datës 8 shkurt 2006, pas vdekjes së piktorit, gazeta nënvizon se Kodra ishte një nga baballarët e kubizmit në Itali dhe së bashku me miqtë e tij si Carlo Bo, Dino Buzzati, Dario Fo, Carlo Manzoni, Eugenio Montale etj ndihmuan në krijimin e mitit të Brerës. “Poeti Montale, fitues i çmimit Nobel, me rastin e 50 vjetorit të krijimtarisë artistike botoi një libër me poezi, ku ishin përdorur për ilustrim 10 tablo të Kodrës”,- tregon Faslliu.

Krahas këtyre figurave të shquara, ai kujton gjithashtu miqësinë e Kodrës me shkrimtarët italianë Alberto Moravia, Salvadore Quasimodo apo adhurimin e tij për të famshmin Pablo Picasso, nga kubizmi i të cilit Kodra u ndikua. Thënia e Picasso-s, “edhe firma jote është art”, drejtuar mjeshtrit Kodra tregon respektin dhe vlerësimin që piktori spanjoll kishte për homologun e tij shqiptar.  

Vitet e fundit

Luljeta, e cila i ka qëndruar më afër se kushdo, sidomos gjatë periudhës së sëmundjes, shprehet se gjithnjë e ka habitur vitaliteti i Kodrës, energjia e tij e pashtershme. Megjithëse ishte në një moshë të thyer ai nuk hiqte asnjëherë dorë jo vetëm nga arti, por edhe nga sporti.

Krahas dashurisë për pikturën, pasion që e shoqëroi gjatë gjithë jetës, ai ishte mjaft i përkushtuar ndaj aktivitetit sportiv. Çdo mëngjes sapo zgjohej Kodra drejtohej për tek palestra që kishte ngritur në shtëpi dhe stërvitej për ca kohë. As sëmundja nuk ia doli ta largonte nga ky pasion i tij. Luljeta kujton se ai ishte i shtruar prej ca kohësh në spital dhe nuk kishte pasur mundësi të përdorte veglat.

Piktori që kishte miqësi me artistët më të mëdhenj të epokës si Picasso, Eluard, Heminguej, Montale, Moravia etj nuk e harroi asnjëherë origjinën shqiptare. Nëna e tij dhe Shqipëria ishin gjërat më të shtrenjta për të. Vizatimet e para për nënën i ruajti gjatë gjithë jetës, ndërsa flamurin shqiptar e mbajti me vete edhe në shtratin e spitalit, ku mbylli sytë

“Për ta ngacmuar pak”,- tregon ajo,- i thashë se muskujt nuk i keni më të fortë si dikur. Reagimi i tij ishte i menjëhershëm. Ndërsa më tha se gabohesha më kërkoi të lidhja një çarçaf tek këmbët e krevatit, gjatësia e të cilit të shkonte deri afër barkut të tij. Pasi e bëra këtë gjë ai e kapi me duar çarçafin dhe nisi të ngrinte torsin e tij.

Edhe ashtu i sëmurë dhe në moshë të thyer nuk u dorëzua asnjëherë”. Luljeta kujton gjithashtu se vitet e fundit Kodra ishte lidhur shumë me emigrantët shqiptarë që jetonin në Itali dhe merrte pjesë me kënaqësi në festat e tyre familjare sa herë që ata e ftonin. Me sa duket boshllëkun që i krijonte mungesa e familjes së vet ai e mbushte me rrethin e gjerë shoqëror që kishte.  

Piktura

Ashtu siç rrëfente vetë, pikturën maestro Kodra e nisi shumë herët në moshë fare të njomë. Më pas, në Akademinë e Brerës nën udhëheqjen e profesorit të tij dhe një prej piktorëve më të mëdhenj futuristë italianë, Carlo Carra, piktori shqiptar do të krijonte origjinalitetin e tij artistik që shfaqet në etapa të ndryshme të krijimtarisë së tij, kur ai rroku rryma të ndryshme si abstraksionizmin, artin informal, surrealizmin, kubizmin, periudhën fondomarino e për ta mbyllur me atë që përfaqëson Kodrën origjinal, Totemin kodrian.

Krijimtarinë artistike e ndërpreu vetëm në muajin tetor të 2005, kur gjendja e rënduar shëndetësore ia bënte të pamundur vazhdimin e pikturës së fundit. Megjithëse kishte nxjerrë nga duart me mijëra piktura, Kodra dukej se ishte ende në kërkim të pikturës së vërtetë, të asaj që do të përfaqësonte më së miri shpirtin e tij artistik.

Ndoshta këtë deshi t’i linte të kuptonte Luljetës, kur kjo e fundit e kishte pyetur gjatë një darke se sa kohë i duhej të përfundonte një pikturë. Përgjigja e Kodrës kishte qenë e prerë dhe e thënë pak si me inat: 70 vjet. Pra ende pas mijëra tablove që kishte nxjerrë nga duart e tij ai ishte në kërkim të asaj, unikes, së vërtetës, perfektes.

Si çdo artist i madh edhe Kodra me sa duket ishte i ndërgjegjshëm që në art ka gjithnjë diçka për t’u përmirësuar, për të ndrequr. Artisti rron prej veprës së tij. Nëse nuk gjen më frymëzim ai fishket, thahet, ndihet i pavlerë. Me artin e tij Kodra renditet ndër figurat më të mëdha që ka nxjerrë Shqipëria në lëmin e pikturës.

Kanë thënë për Ibrahim Kodrën:

Carlo Bo: Kodra, gati-gati simbol i një brezi

Papa Paolo VI: Arti i Kodrës është një mesazh paqeje

Picasso: Edhe firma jote është një vepër arti

Paul Eluard: Primitivi i një qytetërimi të ri

Njohja e krijimtarisë së tij është një obligim për artdashësit shqiptarë, pasi vlerësimet që ai ka marrë gjatë gjithë jetës dëshmojnë se arti i tij mbart në vetvete vlera të qenësishme. Fakti se përshëndetja e fundit në Itali ju dha në sallën “Napoleonica” të Akademisë së Brerës, sipas Fatos Faslliut, është një dëshmi që tregon respektin dhe nderimin që autoritetet italiane rezervonin për piktorin me origjinë shqiptare. 

Ndërkohë në vendin e tij, ai është nderuar me titullin “Nderi i kombit”, të akorduar nga presidenti Sali Berisha në vitin 1994. 

Muzeu “Ibrahim Kodra”

Për hapjen e një galerie ku do të ekspozoheshin veprat e Kodrës dhe ato të piktorëve italianë që morën pjesë në iniciativën “Un quadro për l’Albania” është folur shumë, janë bërë premtime, projekte në letër, por të gjitha këto po zënë pluhur në sirtarët e bashkisë së Durrësit.

Kur e pyet Fatosin lidhur me këtë çështje fytyra e tij shpreh indinjatë ndaj kësaj neglizhence që është treguar nga pushteti lokal. Megjithatë, duke mos dashur të ankohet për premtimet e pambajtura, Faslliu shprehet optimist se muzeu i piktorit Kodra do të jetë së shpejti një realitet. Për këtë ai falenderon biznesmenin Jashar Arrëza që ka vënë në dispozicion për këtë qëllim një hapësirë rreth 1000m2 tek një ndërtesë e ngritur pranë tregut industrial të qytetit.

Në muze është menduar të ekspozohen vepra të Kodrës, bibliografia e plotë e tij, shumë nga rreth 8.000 fotot e piktorit, që dokumentojnë etapa të ndryshme të jetës dhe krijimtarisë, një pjesë e kostumeve të tij, veglat muzikore si kitara, mandolina, sazet etj që ai pëlqente shumë t’i binte, çmimet dhe titujt me të cilat është nderuar në vite apo letërkëmbimi që ka pasur me personalitete shqiptare e të huaja. Nëse do të bëhet realitet ai do të jetë muzeu i tretë për Kodrën, pas atij të Milanos në Itali dhe Luganos, Zvicër.

Fondacioni “Ibrahim Kodra” ka në fondin e tij 101 tablo dhe vizatime të piktorit të famshëm, dy skulptura në bronz si dhe objekte në qeramikë të krijuara nga Kodra në periudha të ndryshme të krijimtarisë së tij. Sipas Faslliut, duhet bërë një punë voluminoze për të kataloguar gjithë veprat e piktorit, për të identifikuar personat që janë fotografuar së bashku me të etj.

Kujtimet e fëmijërisë

.Luljeta Faslliu është befasuar mjaft kur ka gjetur mes objekteve personale të piktorit shumë vizatime apo foto për të cilat ai nuk kishte folur asnjëherë. Ajo që i ka bërë më shumë përshtypje asaj ishte vizatimi i një nëne që mban në duar fëmijën e saj, të cilën çifti Faslliu e ka ekspozuar në galerinë e arteve në Tiranë. Luljeta rrëfen se maestro nuk e ka treguar asnjëherë këtë vizatim, që duket se e ka hedhur në letër që në moshë të vogël. Kujtimi i tij për nënën e vdekur dhe mungesa e madhe që ajo kishte lënë në jetën e tij duket se e ka nxitur Kodrën të vizatojë portrete nënash me fëmijë. Çifti Faslliu tregon gjithashtu se gjatë viteve të luftës së dytë botërore dhe pak pas saj, Kodra ka realizuar piktura që kanë si subjekt kryesor një grua dhe fëmijën e saj. E tillë është piktura “Pushkatimi i nënës”, në të cilën ai ka përshkruar momentet tragjike të luftës së dytë botërore. Një foto tjetër që ka tërhequr vëmendjen e Luljetës është ajo e nxënësve të konviktit “Naim Frashëri”, në Tiranë, ku adoleshenti Kodra rrinte gjatë ndjekjes së studimeve tek “Harry Fultz”. Fotoja nuk dihet në cilin vit është realizuar, sepse në pjesën e pasme të saj shkruhet vetëm vendi ku është shkrepur ajo. Pas një humultimi të zgjeruar në fotot e piktorit që i përkasin pak a shumë asaj periudhe Luljeta mendon se e ka gjetur se ku është vendi ku qëndron Kodra, por gjithsesi këtë gjë nuk mund të thotë me siguri të plotë. Për këtë arsye ajo, ashtu si dhe i shoqi, deklaron se mbi gjithë këtë pasuri shkresore dhe fotografike të trashëguar nga piktori Kodra, duhet të realizohet një studim shkencor i mirëfilltë

MUZEU

Indiferenca e autoriteteve lokale

Ndërsa prej vitesh është angazhuar në mbledhjen dhe katalogimin e gjithë dokumentacionit dhe objekteve të tjera që i përkasin maestros shqiptar, Fatos Faslliu, ndihet keq nga indiferenca e autoriteteve lokale në Durrës, për të hapur një galeri apo muze me rreth 131 veprat që janë grumbulluar tani nga piktorët italianë. Ndërsa projekti është hartuar që në kohën e qeverisjes së Miri Hotit, tashmë kur bashkia e Durrësit drejtohet nga Vangjush Dako, në mandatin e tij të dytë, asnjë hap nuk është hedhur për konkretizimin e këtij projekti. Prej vitit 2004 këto piktura gjenden në fondin e galerisë së arteve të qytetit dhe shumë pak prej tyre janë ekspozuar. Faslliu thotë se autoritetet vendore nuk kanë realizuar asnjë prej dy pikave për të cilat qe rënë dakord nga të dyja palët; ndërtimin e një muzeu permanent (të qëndrueshëm) dhe katalogimin e këtyre veprave në dy gjuhë, shqip dhe italisht. Ndërsa në fondin e fondacionit ruhen edhe 101 vepra të Kodrës, Faslliu thotë se kjo përbën një bazë të mirë për hapjen e muzeut, i cili do të vazhdojë të pasurohet në vitet në vazhdim. Sipas tij, hapja e muzeut të Kodrës në ambientet e vëna në dispozicion nga biznesmeni Arrëza do t’i jepte njëherë e mirë fund kalvarit të gjatë të sorollatjeve institucionale.

Amaneti i fundit i Kodrës

Ndërkohë që piktori Kodra prehet në banesën e fundit, në komunën e Ishmit, çifti Faslliu nuk gjen dot paqe derisa ta plotësojë deri në fund amanetin e tij. Luljeta tregon se është bërë një padrejtësi me varrin e Kodrës, pasi dëshira e tij e fundit ishte që të varrosej në Tiranë apo Durrës. “Nuk di pse u zgjodh Ishmi. Vërtet ai është vendi ku u lind, por ai ka shumë pak kujtime nga fshati i tij, nga i cili u largua kur ishte vetëm 8 vjeç. Kujtimet e tij të fëmijërisë dhe rinisë lidhen me Durrësin dhe Tiranën, e për këtë ai donte të varrosej në një nga këto dy qytete. Luljeta dhe Faslliu shprehen se do të vazhdojnë të kërkojnë pranë autoriteteve shqiptare spostimin e varrit, pasi vetëm kështu do të mund të çonin deri në fund amanetin e Ibrahim Kodrës. 

/portali DurresLajm/