Me shpresën për të marrë një skenar të mirë në duar, që do të mund ta ngjiste edhe njëherë në skenë do ta mbyllte një intervistë dhënë tre vite të shkuara gazetares Jonida Shehu, për emisionin “Pasdite” në Top Channel. Sot, në moshën 78 –vjeçare aktori i humorit që ka bërë aq shumë shqiptarë të qeshin me lot, është ndarë nga kjo jetë, duke e humbur betejën me sëmundjen e rëndë që i kishte prekur mushkëritë.

Teatri “Aleksandër Moisiu”  në Durrës do e presë nesër të ndjerin për të marrë nga publiku që e duartrokiti, lamtumirën e fundit.Ishte pikërisht ky qytet bregdetar që jo vetëm do e mirëpriste krutanin gazmor, por edhe do e bënte të famshëm duke i hapur një port krejt të ri, veç atij detarit; atë të humorit.Ishte vetëm 21-vjeç asokohe, ka rrëfyer Hasa, kur i sapokthyer nga Shën Pjetërburgu ku studioi për Marinë Luftarake do i qasej me kureshtje trupës amatore të Portit.

Tre vitet e shkollës ruse kishin qenë mundësi e mirë për t’i ikur “shërbimit të detyruar ushtarak në Librazhd”, do të përdorte humorin ndërsa rrëfente jetën e tij aktori, por kthimi duke mos e përfunduar formimin pesë vjeçar për shkak të prishjes së marrëdhënieeve me Shqipërisë e Rusisë dhe puna në portin e Durrësit nuk qe ajo që kishte dashur i riu. “Deti është i bukur kur shihet nga  bregu, por kur i hyn brenda është llahtar” do i thoshte gazetares ai.

Për shkak të frikës nga deti u detyrua të punonte në port dhe fati e desh që një aktor i Estradës së Durrësit, Ramazan Jala, të bëhej shkak që Fadil Hasa të ngjitej në skenë. “Qysh në premierën e parë isha i papërballueshëm. U pëlqeva shumë.” –do të kujtonte ai,  ndërsa do të sillte ndërmend rolin e parë, atë të një përkthyesi që në të vërtetë nuk di asnjë gjuhë të huaj. “Përkthimi ishte fenomenal. E gjithë salla u ngrit në këmbë”.

Në premierën e tretë me Estradën e Portit –e përbërë nga amatorë e jo nga profesionistë si ajo e qytetit –do të bëhej një takim kombëtar i të gjithë humorit shqiptar. “Mora çmimin Aktori më i mirë i Festivalit”-do të thoshte Hasa, ndërsa për të dytën herë këtë çmim e mori në vitin 1997, kësaj here në një festival me estradat profesioniste. Estrada e Durrësit, edhe pse me vetëm katër aktorë do të merrte flamurin e festivalit.

Megjithëse në karrierën e tij që nisi krejt rastësisht në vitet ’60 –humor  që siç do të thoshte ai nuk e kishte trashëguar nga familja, por mbase e kish marrë gjatë viteve të shkollës së mesme në qytetin e Shkodrës, e njohur për lëvrimin e këtij zhanri jo vetëm mes profesionistësh, por edhe njerëzish të thjeshtë  që e kanë qesëndinë në gjak – ka interpretuar shumë role, Hasa vetë do të veçonte më të njohurit, ata që kanë mbetur në kujtesën dhe zemrat e njerëzve, në materiale si  “Dajrja”, “Sheqeri” apo  Tekniku i lavatriçes”. Megjithëse e nisi në moshën 21 –vjeçare, Fadil Hasa ka rrëfyer se rolin e parë e  pat marrë nga mësuesi i letërsisë, kur ishte në klasë të katërt në shkollën  7-vjeçare në Krujë, i cili e përzgjodhi për të luajtur në një dramë në shkollë.

Në Durrës, trupa me të cilën lunte Hasa do të mblidheshin në orën 11:00  të paraditeve për të mbajtur shfaqje, në mënyrë që të rivalizonin “Canzonissima”-n italiane, aq shumë të dashur e të ndaluar për shqiptarët. “Salla ishte e vogël ,  me 320 vende, te Shatërvani poshtë, mblidheshin pesë mijë vetë që dëgjonin nga fonitë. U bë problem, sepse po linim pa punë Estradën profesioniste”.

Hasa do të fliste edhe për censurën , të cilën duhet ta brendësonin gjatë viteve të regjimit komunist. “Hierarkia ishte përgjegjës, nëndrejtor, drejtor. Deri këtu mund të talleshe e të ironizoje. Por nëse të shkonte mendja për të bërë humor me ndonjë zv/ministër, të pinte e zeza. As mund ta çoje nëpër mend pastaj ç’mund të ndodhte nëse ishte ministër. Deri te drejtorë fabrikash i kemi bërë telef!  Por kishte kontroll. E shfrytëzonin humorin për politikë, por ishin të vëmendshëm se mos u shpëtonte ndonjë gjë”.

Ai ka kujtuar sesi ka udhëtuar në të gjithë Shqipërinë për të dhënë shfaqje. “Tunele, reparte ushtarake, brigada grash në kooperativa bujqësore. Atyne u binte dielli n’kaptinë e u dilte shpirti në normë, ne na çonin për të bërë humor.”, ka kujtuar ai paradoksin e regjimit. Ndërsa pas viteve ’90 do të udhëtonte botën, aty ku kishte shqiptarë që e kërkonin humorin e Fadil Hasës, duke shkelur në vende të largëta si Australi, Zelandë e Re apo Kanada.

Ajo që do të quante vuajtjen më të madhe shpirtërore, do të ishte komunikimi i munguar me publikun.  Por fati e desh që të interpretonte në filmin Mao Ce Dun, në  rolin e një cigani, Hekuranit. “ Ishte fat i rrallë që më ra në dorë ai skenar filmi. Ishte zgjedja e autorit që kishte shkruar skenarin, Besnik Mustafaj dhe regjisorit Besnik Bisha që më dha rolin. Kur bëra kinoprovën gjeta artistë me emër për rolin e Hekuranit.

U thashë: “Keni ardh’ kot! Ai rol është i imi. Unë nuk di të luaj sekretarë partie, ama arixhiun  e qaj!” Ishte i jashtëzakonshëm si rol. Jam prezantuar në disa festivale ndërkombëtare filmi me të”-ka kujtuar Hasa, i cili ka interpretuar edhe role të tjerë kinematografikë si Shabani te “Zëvendësi i Grave” më 1987-ën dhe më 2009-ën,  dy vjet pas filmit “Mao Ce Dun” do të interpretonte në filmin “Kronikë Provinciale”. “Kam pasur marrëdhënie të shkëlqyera me regjisorët, sepse ndonjëherë ne artistët jemi të vështirë”- do të pranonte ai.

Përtej roleve në skenë, roli më i bukur ka qenë ai i babait të dy vajzave. Pasi bashkëshortja e tij u nda nga jeta në moshë të re, vetëm 44 –vjeçare , atij iu desh të kujdesej më shumë për të bijat. “Jam fatlum që jam babai i dy vajzave” ka thënë ai, ndërsa të bijat sot kishin vendimin e vështirë për t’u kërkuar kolegëve të babait, të përkujdeseshin për homazhet që do të mbahen nesër në Durrës.

Kolegët, me të cilët u ngjit me qindra herë në skenë e që ai do i vlerësonte si të jashtëzakonshëm, me dhimbje i kanë dhënë lamtumirën kolegut të tyre, të cilin e kanë quajtur “baba në skenë”.

Muharrem Hoxha, partneri i pandashëm i tij në skenë, por edhe miku me të cilin ndante bisedat dhe kafetë, ka shkruar se pikërisht sot ishte një nga ato ditë që e kishin lënë të takoheshin për të pirë kafe. “ “Kam shkuar këto ditë në shtëpinë e tij dhe ishte mirë, kemi qeshur, kemi bërë humor si zakonisht. Sot do shkoja në 11 sërish për vizitë. Por më mori vajza e tij në telefon dhe më dha lajmin e zi, të ndarjes nga jeta.”

Për një tjetër koleg, Roland Koçën, ishte një ditë e hidhur. “Ai që na bënte shumë për të qeshur, sot na ka mbytur në lot”, u shpreh Koça.Aktorja Aishe Stari, e cila kishte ndarë jo vetëm skenën me Hasën, por edhe vitet e gjimnazet, humbja  i kalon përmasat e estradës. “Kjo nuk është një humbje vetëm për teatrin e Durrësit por Shqipëria humbi një aktor të madh”, ka thënë ajo.

I pyetur nëse e kishte marrë atë për të cilën kishte punuar për shumë e shumë vite, Fadil Hasa do të përgjigjej “Ndonjëherë them se kam marrë edhe më shumë.” E nuk do i referohej çmimeve, por gëzimin  që merrte shpirti i artistit sa herë përmbushte atë që donte publiku, duke qenë gjithnjë në oponencë me qeveritë që vijnë. Ashtu si humori e satira kanë qenë për shekuj…

*Përgatiti Suadela Balliu

Burimi: Gazetasi.al