Nga BUJAR QESJA

Më dhëmb edhe ikja e jote Avni. Nuk mund të më shkonte ndërmënd, sikur edhe profetin të bëja, se limiti i jetës tënde do të ndalej tek 60 vitet. I ftohti i mëngjesit të 15 shkurtit 2021, vetëm një ditë pas asaj që quhet Shën Valentini, një lajm si tehu i briskut do të më therte në shpirt.

Tërë jetën time e kam kaluar me njerëz të thjeshtë, të varfër, të zeshkët apo të bardhë qofshin. Jam ulur me ta dhe e kam ndjerë veten shumë të çliruar, shumë të kënaqur dhe të gëzuar, teksa kafeja shoqërohej me humor dhe shaka dhe e qeshura shkonte në kupë të qiellit. Kur erdha të punoj në klubin shumësportesh “Teuta”, emërimi i fundit i karrierës time të gjatë dhe rrëfenjëse, diku në verën e vitit 2005 të njoha ty Avni Haxhiu. Dhe më tregove se je i vëllai i Haki Haxhiut, një ndër shokët e parë të mitë në klasat e fillores.

Të bëra shok, e të bëra vëlla. Kjo është natyra ime. Me zengjinët nuk më ka ecur shumë. As me ata që quhen kuadro dhe drejtues në pozicione. Jam ndjerë mirë me shtresën tënde Avni, me shtresën e njerëzve të thjeshtë, me zemër e shpirt të madh, duke mësuar e përfituar shumë.

Ti vërtet ishe në vështirësi ekonomike, ti vërtet mezi e mbyllje ditën, javën dhe muajin, ti vërtet për makinë kishe një biçikletë modeste dhe çantën prej lëkure të vjetëruar ku mbaje mjetet e punës, por ti kishe një pasuri të madhe që ta kisha zili. Shpirti yt ishte shumë i pasur dhe unë merrja borxh aty. Zemra jote ishte shumë e ngrohtë dhe unë merrja energji aty. Humori yt çante qiellin dhe unë fluturoja për atje.

Eh Avni Haxhiu! Kam një foto të 14 shtatorit të vitit 2018. Sa të pashë të thërrita me të madhe.

-O Avni! Hadje të pimë një kafe. Më ka marrë malli.

Kisha dalë në pension dhe ndërtuam 11 vite shoqëri së bashku. Dhe ti u ktheve. Nuk ma prishe. Dhe minutat që qëndruam ishin emocionuese. Më ktheve në ditët e punës që kalonim së bashku, ku raporti i drejtuesit me vartësin thuajse ishin shkrirë si dëbora e Durrësit.

Ku e dija unë miku dhe shoku im i shtrenjtë, se nuk do të shikoja më! Ku e dija unë se po konsumonim minutat e fundit, teksa humori na bëri si fëmijët e vegjël, pasi qeshnim me të madhe, qeshnim me shpirt. Ishim të sinqertë dhe të dashur njëri me tjetrin. Sa i vuajtur! Gruan herë me punë dhe herë pa punë. Një grua e urtë, që të donte shumë. Ti ishe një bashkshort i përkushtuar. Po djali dhe vajza?

Bëheshe copa për ta. E dija mirë xhepin tënd financjar dhe ti nuk ua prishe njëherë atyre.

Nga zemra e dlirë, nga zemra që rridhte vetëm ndjesi të florinjta, ty 1 lekë të bëhej 100 lekë. Gjeje kohën dhe e merrje familjen tënde të lumtur, për të drekuar në ndonjë lokal. Ti nuk doje që ata të kuptonin sakrificat e tua në punë, që mbaje në këmbë një pallat sporti. Lëvizje e lëvizje për të bërë punë të dyta dhe të treta, për të marrë disa kacidhe më shumë nga rroga, e për të përmirsuar disi ekonominë e familjes tënde.

Nuk mund të harroj, madje kemi qarë së bashku për përpjekjet e sakrificat e mëdha që ke bërë për motrën e sëmurë rëndë nga miningjiti. Babai një furrtar i njohur, por shumë i varfër, që u rraskapit për të rritur fëmijët e tij, la një vajzë të vogël të sëmurë, të pamundur. Dhe ti e mbajte atë, ani se gjëndja shëndetësore e saj mbeti gjithnjë alarmante dhe problematike. Nuk u ankove. Më thoje:

-Ky ishte fati im Bujar. E kam motër, nuk mund ta hedh. Nuk është faji i saj që është në gjendje shumë të rëndë. E më duhet të vazhdoj, të sakrifikoj e të sakrifikoj pa fund.

Dhe vërtet sakrifikove pa fund miku im, që më ke hedhur tani në krahët e trishtimit dhe ngashërimit. I arsimove fëmijët. Djalin e mbajte shumë afër dhe i mësove zanatin tënd. Dhe më thoje:

-Do ti duhet një ditë, pasi jetës nuk i dihet. Një ditë mund të mos jem.

Dhe profecia e jote doli.

Trioja e jonë: Pëllumb Bulku, Avni Haxhiu dhe Bujar Qesja, mbetet model i miqësisë së sinqertë. Sa mirë kemi shkuar njëri me tjetrin. Sa e ngrohtë, sa sentiment kishte komunikimi ynë! Dhe kalonim minuta të paharruara.

Pëllumbi ka kohë që është në Itali tek vajzat dhe unë u shkëputa disi. Mësova se ishe goditur nga trombozë në kokë dhe i ishe nënshtruar një operacioni të rëndë. Më pas gjëndja erdhi duke u rënduar. Telefonatat e mia, mbeteshin jo rrallë pa përgjigje.

Kohë të rënda! Kohë të vështira! Kohë kovidiane. Kohë tërmetesh e qametesh. Dhe u ndamë nga halli. Por në çdo kohë të mendoja. Pyetja nga pallati i sportit për shëndetin tënd. Dhe heshtja na mbulonte të gjithëve.

Dhe ja, 15 shkurti 2021. Është lamtumira e jote Avni dhe këtë e mësova krejt rastësisht. Ti nuk shqetësove njeri, por u mblodhe kruspull me jorganin e fatit tënd.

Ti nuk duhej të ikje Avni, nuk duhej të ikje!

Ti ishe aq i mirë, aq bujar, aq i madh në shpirt e në zemër.

Dhe kështu do të mbetesh gjithnjë për mua, i madh në shpirt dhe në zemër.

Ti nuk duhej të ikje Avni, jo jo! Nuk duhej të ikje!

Lamtumirë i paharruari im Avni Haxhiu!

/portali DurresLajm/