Nga Përparim Kabo/

Sot ai do të mbushte 93 vjeç…Do ngrihej në mëngjes dhe megjithëse me shikimin e turbullt do zbriste poshtë avash-avash dhe do ulej te kafja përballë shtëpisë në të njëjtën tavolinë dhe do porosiste kafen e zakonshme…Do të përhumbej në kujtime dhe do sillte në mendje nënën dhe të atin, vëllezërit dhe motrat, ikjen nga Dibra e Madhe dhe varfërinë në Durrës, shkollën dhe edukimin, punën në bankë dhe luftën….

Do lëshonte një ofshamë të thellë, e do vijonte me Teatrin…me shkrimet, me punën me një grup amatorësh në Bankën e Shtetit ku pa një vajzë të bukur që e habiti me emrin Meri… dhe zemra që i rrahu fort, shumë fort…iu duk se diçka ju këput përbrenda…Një lloj ajri ndryshe po udhëtonte në trupin e tij, ishte ajri dashurisë së jetës….

Do të kujtonte puthjen e tyre të parë, fjalën e dhënë dhe të mbajtur…ikjen nga shtëpia te vajzës korçare me një valixhe fati në duar dhe me një artist në krah…Pastaj do vinte martesa, vështirësitë me strehimin, lindja e Arbenit djalit të parë dhe Rubinit me vonë…

Shtëpia e re në fund të rrugës së Durrësit ku edhe jetonte akoma…jo shumë e madhe as edhe e vogël për dy pleq, diku të 60 m2…Do rrufiste kafenë që po i ftohej dhe do nderte shikimin nga rruga ku njerëzit ecnin me shpejtësi në punët e tyre, nxënësit e gjimnazit dhe autobusat urban… Dikush do ia ndërpriste kujtimet duke i thënë si je mjeshtër…mbrëmë të pashë në filmin “Horizonte të Hapura”…Sokrati ai burokrati…Ah, do ia priste njeriu që po takonte jetën e tij në kujtime…Mbrëmë me demek ishte me ty Sokrat Dërma… bukur, faleminderit…

Tek pinte gllënjkën e fundit të kafesë do kujtonte lojën në teatër, pjesët e huaja dhe shqiptare. Do sillte në mendje “Familjen e Peshkatarit”… dhe ato fjalë që shkrojti atë natë…”Përtej këtyre brigjeve çdo gjë mund të gjesh, por Shqipërinë nuk ke për ta gjetur”… Sepse mendja i shkoi te “Epoka para Gjyqit” dhe pyeti: -Nuk e di a ka mbaruar lufta por se ndarja me orientin nuk ka mbaruar…Tavlla e duhanit që ishte mbi tavolinë iu duk se iu bë si një pjatë e drunjtë…”Pjata e Drunjtë” mendoj dhe iu kujtua hipja e fundit në skenë…lotët dhimbja dhe ikja…ishin atje…

Në çast dëgjoi nga qielli një zhurmë avioni…ngriti shikimin dhe po kqyrte pas xhamit tymin e bardhë si bisht komete…që lënë avionët në qiell. U kujtua se nipi tij në SHBA që martohet këtë behar është aviator…larg ke shkuar bir, shumë larg në qiell…U gëlltit pak si të kalonte poshtë lotët e mallit.

Sot është 2 shkurt 2017, në 2 shkurt 1924 lindi kollosi i skenës dhe ekranit, mjeshtri i fjalës teatrore, ai që fliste të gjitha dialektet e shqipes, Zhan Gabeni shqiptar si thotë e madhja Tinka Kurti… Sulejman Pitarka… Ai mbylli sytë në 24 mars 2007…ja po mbushen 10 vite.

Të dielën bëra një vizitë te shtëpia e tij, një shtëpi modeste kishte mbetur si e kishte lënë, e thjeshtë dhe frymëzuese. E shoqja Meri më tregoi fotot, kapelen dhe bastunin e tij, llullën dhe qoshkën tek kuzhina e vogël ku ai shkruante…

Sot folëm sërish me Merin… më telefonoi ajo në fakt dhe më tha se në datën 24 shkurt Presidenti Republikës zoti Bujar Nishani do ta dekorojë Suljeman Pitarkën me një dekoratë shumë të lartë, ndaj këtë gëzim dua ta ndaj me ju…

Pasi mbylla telefonin kujtova shkurtin e vitit 2004 kur ai mbushi 80 vjeç dhe bashkë me drejtorin e teatrit Kiço Londo i shkuam në shtëpi dhe i dorëzuam letrën e urimit të kryeministrit të asaj kohe…Ai e lexoi dhe e la më një anë duke vijuar bisedën për teatrin, për ikjen për largësinë dhe dhimbjen që krijon boshllëku…Më pas ai u rishfaq në teatër dhe hipi në skenë me rolin e babait te “Pjata e Drunjtë”…

Sot tavolina ku ai pinte kafenë e mëngjesit është po ajo…dhe ai nuk është…Ndoshta dikush mund të vërë një trëndafil thjesht për të kujtuar se kjo është tavolina ku pinte kafenë Sulejmani i Madh Pitarka…!

Burimi: Aktoret Shqiptare