Teodor Keko

Nga Ben Andoni – Duhej të ishte 60 vjeç më 2 Shtator të vitit 2018. Porse vdekja e ndau vite më parë dhe shumë ndryshe nga njerëz, që janë ndarë nga jeta në fushën e tij, ai vazhdon të mbahet mënd dhe të dialogojë qoftë dhe nga hiçi. Siç ndodh zakonisht pas vdekjes dhe sidomos në përkujtime flitet me panegjirizëm dhe për atribute, që i ndjeri nëse do t’i dëgjonte do të shkulesh së qeshuri ose në rastin e Dorit, thjesht do të ikte dhe do ta kthente në një subjekt humoristik, por gjithçka mbledhur në trishtimin e madh që mbarte dhe që sidomos iu shfaq në kohët e fundit. Keko ishte pajtuar me fatin e tij…

Të lehtë në trup e kam ndërgjegjen.
Dhe që mos kthehem më kurrë pas
do marr me vete vetëm vdekjen.

Dori u bë i njohur veçanërisht pas viteve ’90, kohë kur socializimi i tij me mjedisin kishte një kah, që të çonte direkt tek miqësia dhe shoqëria ndryshe. Hokat, qesëndia dhe mbi të gjitha ato që mundoheshin të hidhte në letër tregonin një njeri të dhënë pas letërsisë, por më shumë një qenie, e cila nuk mund të ishte dakord me rrugën që po përshkonte shoqëria shqiptare në këtë stad të ri të vendit të tij. Notat ekzistenciale të kohës së tij janë më shumë sens për të përcjellë frymën që i shkon natyrës së problematikës që e shoqëron ngado jetën e vet. Për ata që e kanë njohur më afër, paradoksalisht ka shumë, lufta më e madhe me Dorin ishte me veten e vet me paqartësitë që i mbarte Uni dhe ekzistenca në këtë rendi të ri. Ndaj dukej sikur ngutej të shkruante dhe shkruante pafund.
Ai ishte pjesë e atij brezi, që regjimi i kapi në kapërcyell të dy kohëve, njëra me privacionet dhe me mungesën totale të lirisë së shprehjes dhe eksplorimeve të nënvetëdijes në komunizëm dhe tjetra më pas në atë që jetojmë dhe që ai jetoi pjesërisht e ishte realisht një mishelinë sistemi ekonomiko-social. Ndaj personazhi i tij përmbledh të gjithë këtë turmë të vrarë, e cila do të gjejë veten në një gjendje që i ngjan një patologjie vetëvrasëse. Kritikë që nuk e artikulojnë me emër vërejtjen e tyre shprehen nënzë se Dori realisht nuk përbën ndonjë veçanti për letrat shqipe, aman kur vjen puna për ta sqaruar këtë thënie stepen sepse liria dhe mënyra sesi e shprehte veten dhe artin e tij, në çfarëdo rangu, ende i qesëndis nga pas. Në fakt, ai përjetoi kohën kur e gjithë shoqëria jonë ishte në një krizë të stërmadhe identiteti dhe në një rrugë pa krye.
Por Dori u mundua të dilte mbi këtë situatë dhe ta përshfaqte këtë, me ekzistencializmin e vet të thjeshtë, kuptohet se në një vend me krizë kaq të madhe identiteti nuk mund të bësh më shumë.

Po shkon një njeri i rrënuar në rrugë,
Vdekjen lyp dhe ik Kuturu.
S’vret dot veten; S’ka gjak në vena,
Zemër në gjoks e në kafkë tru.

Dhe, për të treguar se mund ta shkonte dhe më tej, bëri diçka që i shkonte ekzistencialistëve të kohës së Shqipërisë post ’90, u angazhua. Kryeministri i kohës Ilir Meta e vendosi në një post dhe që nga aty e kemi njohur në një dimension tjetër kur negocionte me artistët në kohën e krizës së madhe që krijoi ministri i Kulturës së asaj kohe Edi Rama. I ndjeri dëgjonte dhe mundohej të orientonte por më shumë se kërkonte orientim nuk arrinte të kthjellonte vetë misionin e tij dhe se çfarë mund të përcillte te qeveria, ku ishte punësuar dhe që nuk i shkonte kjo frymë. Dhe, duket se Dori këtë sens për të qeshur, për të bërë humor nuk i shkon aspak me ndjenjën e vërtetë të vetmisë që e ndjek dhe sidomos vdekjes si element thelbësor, që i shkon frymës më të ndjekur të asaj kohe. Jashtë hokave dhe asaj zhdërvjedhtësie që e bën shumë të dukshëm në shoqëri, ai i jepet krejtësisht vetmisë. Në një farë mënyre, njeriu i shkallës së tij, kishte vetminë më të madhe.

Me pak fjalë, Tjetërsimi i jetës së tij prej gjendjes ku kalonte shoqëria bashkë me të dhe sëmundjes e ka nisur diku ku tashmë e dinte mirë shortin e tij. Pasi jetonte prej vitesh me të. Koha e ka marrë me vete dhe pothuaj se ka harruar si të vdekurit e shumtë, sepse Dorin e kemi gjithnjë, qoftë edhe kur nuk komunikojmë, bashkë edhe me një grup jo të vogël…që tregojnë edhe shumë gjëra që kinse i atribuohen atij. Dori do të ishte 60 vjeç më…2 Shtator.

Kjo është një nga letrat që bashkëshortja e Teodor Kekos i bën të ndjerit herë pas herë dhe që janë plani i një botimi, i cili do të vijë së shpejti…

Dori im i dashur,
Kam disa kohë pa të shkruar, e di, por
unë çdo mbrëmje bisedoj me ty. Pasi
mbyllet dita dhe bëhem gati për gjumë sigurisht që mendimi shkon te gjërat që kanë shkuar mirë ose jo, apo tek ato që priten të ndodhin. Gjithnjë pyes veten se si do kishte vepruar Dori po të ishte në vendin tim dhe sinqerisht shpesh e marr përgjigjen e duhur.
Do të doja që të mos kisha nevojë të shkruaja këtë letër në prag të ditëlindjes tënde të 60-të por të isha e okupuar bashkë me djemtë për përgatitjen e një feste surprizë për ty. Pastaj, do të doja që në ditëlindjen tënde të të thosha plot gjëra Dori, duke të parë në sy… Të tregoja për Teon e vogël që mban emrin tënd, për Martinin që tashmë është shoku im më i mirë, për Elion, dikur aq të përkëdhelur, që është bërë një baba i kujdesshëm, që i jep Teos dhe Kitit aq shumë dashuri e mua aq shumë mbështetje shpirtërore.

Çfarë të të them më o Dori në këtë përvjetor tëndin?… Kanë kaluar plot 16 vjet nga ikja tënde e, çdo ditë që shkon më mungon më shumë mua dhe fëmijëve, çdo festë jona është e trishtë pa ty, çdo ardhje në Tiranë është dhimbje sepse e bën edhe më evident faktin që ti nuk je më, çdo kafe në kafenenë tënde të preferuar është e pabukur. E vetmja gjë e bukur që mund të të them është fakti se të gjithë të kujtojnë: miqtë, të afërmit, lexuesit e tu të shumtë. E kjo, pavarësisht se më bën të mos ndihem krejtësisht vetëm por të të kem pranë në 100 mënyra, sërish nuk mjafton për të gjetur forca e festuar ditëlindjen tënde përveçse të të sjell një buqetë të madhe me lule, dy gota konjak për ne të dy, e për të ndezur nga një cigare duke biseduar…

Të të them një sekret… e di ku po e shkruaj këtë letër…. jam buzë liqenit në Pogradec, pikërisht në hotelin ku kaluam muajin e mjaltit. Natyrisht hoteli ka ndryshuar shumë por dhoma ime është pothuajse mbi liqen, njësoj si atëherë. Edhe Pogradeci ka ndryshuar por për mua do të mbetet përherë ai qyteti i vogël e i ëmbël ku u ngjiz Martini. Të gjithë qeshin kur u tregoj se djali i madh, tashmë 33 vjeç, është produkt i pastër i peshkut belushk dhe shumë gotave verë të prodhuar në Pogradec, shijuar nga ne në verën më të bukur të jetës sime, atë të vitit 1984.

Përpara se ta mbyll dua të të tregoj për Teon, i cili e ka ndryshuar e gëzuar jetën tonë. Mua më duket, siç çdo gjysheje, fëmija më i ëmbël në botë. Është një ndjesi që nuk e kisha provuar në jetë, dashuri sublime. Shpesh Kiti qesh me mua e më thotë: “Më duket se ke rënë në dashuri me këtë burrin e vogël”. Sa herë e shoh dhe e përkëdhel të kujtoj ty, më vjen mirë që mban emrin tënd por besomë aq keq që nuk u takuat kurrë, megjithëse jam e sigurtë që do jetë krenar për gjyshin e tij. Sa herë i tregoj përralla, gjithnjë në shqip sepse jam e vendosur t’i mësoj gjuhën tonë, në fund i them se sa bukur do të ishte sikur këto përralla të t’i tregonte gjyshi Dori dhe besomë më sheh me ato sytë e tij të mëdhenj blu dhe buzëqesh thua se më kupton.
Po iki përpara se të të trishtoj jetën tënde tashmë të paqtë me përditësinë time tokësore të mbushur me mungesën tënde.
Të dua shumë,
Xhuli
Pogradec më, 28 gusht 2018

/Gsh.al