Dosier/Flet ish-oficeri madhor i Flotës Detare, Myfit Qorduka:

Albert Z ZHOLI

Akuzat e anglezëve në Hagë

Minat në ujërat e Kanalit të Korfuzit i ka vendosur Shqipëria, në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, duke sjellë shkatërrimin e dy destrojerëve dhe vrasjen e disa marinarëve anglezë.

Shqipëria ka dijeni se kush i ka vendosur dhe nuk ka njoftuar për këtë akt.

Rojet bregdetare shqiptare duhet t’i kenë parë anijet që kanë vendosur minat e për këtë mbajnë përgjegjësi penale.

(Dosja e incidentit të “Kanalit të Korfuzit” në Gjykatën Ndërkombëtare)

Dy çështjet që diskutoi Gjykata Ndërkombëtare

A ka përgjegjësi Shqipëria për rënien në mina e dëmtimin e dy destrojerëve anglezë në Kanalin e Korfuzit dhe a e ka për detyrë të paguajë kompensim?

A kanë dhunuar anijet luftarake angleze sovranitetin e Shqipërisë?

(Dokument i shkëputur nga dosja e incidentit në Gjykatën Ndërkombëtare)

Nuk ishin mbushur ende dy vjet nga çlirimi i vendit, kur Flota Luftarake Detare e Shqipërisë, ende në hapat e para të ringritjes së saj, e vënë në shkallën më të lartë të gatishmërisë, vazhdonte përballjen me incidentet e shumta të anijeve greke e angleze, ndërkohë që incidenti i shumëpërfolur i Kanalit të Korfuzit, tashmë ishte shtruar për gjykim në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Ata muaj të vështirë, kur incidentet dhe provokimet ishin të shumta, kuadro e detarë kishin kaluar në shkallën më të lartë të gatishmërisë, për të përballuar situata të papritura e të vështira. Në një prej këtyre ditëve, për të verifikuar situatën në vend e për të dhënë detyra në mbrojtje të kufirit ujor, midis detarëve ishte dhe Mehmet Shehu.

Akuzat e anglezëve për minimin e Kanalit të Korfuzit tashmë ishin bërë të njohura. Incidenti në Kanalin e Korfuzit, ku u shkatërruan dy destrojerë dhe humbën jetën disa marinarë të tyre nga shpërthimi i minave të Luftës së Dytë Botërore, ata muaj të gjysmës së dytë të vitit 1946 dhe fillimit të vitit pasardhës, krijuan një situatë kritike në bregdetin shqiptar në përgjithësi, e në veçanti në atë të Sarandës. Detarë e kuadro rrinin në gatishmëri të plotë dhe me armët mbushur përballë incidenteve që krijonin anijet e huaja në ujërat tona. Sipas dokumenteve zyrtare të asaj kohe, anglezët ishin vënë në punë në funksion të agjenturave të tjera, për të fabrikuar provat e fajësisë ndaj Shqipërisë, në gjyqin e hapur në Hagë. Në funksion të fabrikimit të akuzave, nëpërmjet agjenturës së tyre brenda radhëve të marinës sonë luftarake, ata kishin përgatitur dhe arratisjen e një anijeje shqiptare, efektivi i së cilës do të dëshmonte se ishin ata që kishin vendosur minat në Kanalin e Korfuzit dhe akuzën angleze që fajësonte Shqipërinë dhe kërkonte dëmshpërblim, pretendohej se minat ishin vendosur nga shqiptarët, në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, dhe se rojet shqiptare i kishin parë anijet që kanë bërë minimin, por kanë heshtur, duke qenë fajtorë (si pretendimi se kishin prova që vërtetonin përgjegjësinë shqiptare në incidentin e ndodhur më 15 maj 1946).

Sipas dokumenteve, “në funksion të fajësimit të Shqipërisë për vendosjen e minave në Kanalin e Korfuzit, anglezët kishin përgatitur e çuar në gjyq dhe një dëshmitar jugosllav, i quajtur Kovaçeviç ”. Ai dëshmoi në gjyq se, në mbrëmjen e datave 17-18 tetor, ai kishte parë dy anije në portin e Shibenikut, të cilat ngarkoheshin me mina, udhëtuan drejt Jugut, por ai nuk e dinte destinacionin. Gjykata Ndërkombëtare dërgoi një komision për të verifikuar këtë dëshmi në Shibenik, por arriti në konkluzionin se dëshmia e Kovaçeviçit ishte e rreme”.

-Çfarë manovre përdorën anglezët për të na quajtur fajtor?

Për të përforcuar “provën” anglezët përgatitën edhe një ngjarje tjetër, tepër e rëndë për kohën, arratisjen e anijes luftarake, motovedetës “Mujo Ulqinaku”, duke pasur si realizues një agjent të tyre, nënoficer në flotën tonë luftarake, i cili kishte marrë detyrë të dëshmonte se “ishte pikërisht kjo anije dhe efektivi i saj që kishin vendosur minat në Kanalin e Korfuzit”. (Në fund të vitit 1946 u nxor një motovedetë gjermane e mbytur në portin e Vlorës, e cila pasi u riparua, u armatos me një top 20 mm dhe dy mitraloza 12.7 mm. Kjo ishte anija më e madhe e më e shpejtë në përbërje të FLD-së. Kësaj iu vu emri ”Mujo Ulqinaku”)

Rasti e solli apo isha me fat që, pas mbarimit të studimeve jashtë shtetit, e nisa jetën në marinë, e punova bashkë me “Heroin e Popullit”, Spiro Kote. Është e njohur odiseja për ta kthyer motovedetën në atdhe. Atëherë ai nuk dinte asgjë nga të fshehtat e detarisë, kurse në vitet 1960-1970, kishte në dorë fatin e një anieje nga më modernet e flotës, të pajisur me teknikë luftarake e, mbi të gjitha, përgatiste detarë të zotë, që e ndienin veten të sigurt nën komandën e tij. Zëri i tij buçiste nëpër megafonët e anijes, i plotë e i prerë nga ura e komandimit, nga ku ai drejtonte anijen dhe ekuipazhin. I veshur me rroba lundrimi, me pamje të qetë e me vështrim të menduar, fytyrë zeshkët e babaxhan, na kujtonte detarët e vërtetë, për të cilët jeta nuk ka kuptim pa detin. Ai vinte me eksperiencën e Lamanshit, gjirit të Biskajës në lundrim me nëndetëset që erdhën në bazën e Pashalimanit nga Kaliningradi në vitin 1958.

Spirua u caktua një ndër katër komandantët e parë të nëndetëses. Me ne, në atë periudhë lundronte dhe shkrimtari e publicisti i njohur Nasho Jorgaqi, i cili, më vonë, do shkruante skenarin e filmit “Dueli i Heshtur” (këta rrinin 6 muaj për t’u njohur me bazën, siç thuhej atëherë). Ky ishte një tjetër rast i mirë për mua të dëgjoja për heroizmin e Spiro Kotes, sepse në rastet e zakonshme ai u shmangej më shumë modesti kërkesave tona rreth aktit të tij heroik. Shokët tanë më të vjetër, si Astrit Sevrani, Bardhyli Shehu, Pulo Pulaj e Milto Xhillasi etj, që kishin vite me Spiron, i dinin përmendësh këngët që ishin ngritur për të dhe i këndonin ato duke qenë i pranishëm edhe Spirua, krenaria e Flotës sonë Luftarake Detare.

“…e more anijen e shkove në det,

trim, o Spiro Kote, ushtar i vërtet!”

Pas çlirimit të atdheut, Spiro Kote u caktua në anijen luftarake “Mujo Ulqinaku”për të kryer shërbimin ushtarak. Ai ishte i sjellshëm, njihej nga të gjithë shokët si njeri i qetë e fjalëpak.

Durrës, e diel, 01.06.1947. Atë të diel, Spirua po kryente detyrën e rojës në anije, ndërsa efektivi kishte shkuar për të zhvilluar një ndeshje miqësore futbolli me ekipin e këtij qyteti. Në këto momente vjen papritur në anije kapteri i anijes V. B, bashkë me dy detarë të tjerë, dhe njoftuan se duhej të niseshin për të shpëtuar komisarin dhe efektivët që rrezikoheshin të mbyteshin në det të hapur.

Në bazë të rregullores që ishte në fuqi, kapteri me detyrën e motoristit, në rastet e mungesës së komandantit të anijes, kishte të drejtë të nxirrte anijen në det, rast ky që u shfrytëzua me mjeshtëri nga terroristët. Pas kësaj, Spiro Kote u vu në gatishmëri për një lundrim të pazakontë emergjence. Motovedeta doli në mbrëmje nga porti i Durrësit dhe u nis drejt perëndimit.

Tashmë dihet nga të gjithë se në filmin “Dueli i Heshtur” heroi kryesor i tij është Spiro Kote, i luajtur shumë mirë nga Rikard Larja dhe kapteri V. B, i luajtur nga aktori i mirënjohur Ndrek Luca. Batuta në këtë film se “çështja e komisarit ishte lojë” nuk është trillim artistik kinematografik, por një e vërtetë, në qendër të së cilës ndodhet komisar Petro Bicolli, i cili, më pas, kreu detyra me rëndësi në ushtri dhe arriti deri në gradën kolonel e tani nuk jeton më. Pasi kishin përshkuar dhjetëra milje, dhe rimorkiatori me komisarin që nuk po dukej, Spirua pyeti kapterin se në ç’drejtim ndodhej. Pak nga pak, Spiros i lindi dyshimi që sa vinte e përforcohej më shumë. Në atë kohë, një nga marinarët, që kapteri e kishte marrë për “ndihmë” e sqaron: “Akoma nuk e ke kuptuar që ne po ikim në Itali dhe prej andej mund të vemi në Amerikë?”

Spirua mbeti i habitur, gati u shokua nga përgjigjja që mori, por aty për aty nuk e dha veten, megjithatë diçka filloi të bluante në kokë. Sa për sy e faqe e pranoi “vendimin e tyre”, i vuri “në gjumë” terroristët dhe po fitonte kohë. Rrëmbyesit e anijes ndryshuan kursin, duke e drejtuar anijen për në Itali. Ata filluan të interesoheshin se ku do zbarkonin. Studiuan hartën dhe kodin e bisedimit, njëkohësisht caktuan dhe detyrat qe do të kryenin.

Kapteri V.B. qëndronte te motorët e anijes. Detari i parë qëndronte te timoneria. Spirua gjykoi dhe konkludoi se i kishte të gjitha mundësitë për të mos lejuar rrëmbimin e anijes luftarake, qoftë edhe duke vënë jetën e tij në rrezik. Më vonë Spirua kujtonte: “Vendosa të pranoja vdekjen, po kurrë një tradhti të tillë, megjithëse isha i vetëm përballë atyre.”

Mori automatikun e një shoku që e ruante që nga koha e luftës dhe, duke shfrytëzuar befasinë, zhurmën e motorëve e të dallgëve të detit, sulmoi detarin që ishte në urën e komandimit dhe që e konsideroi si më të rrezikshmin. E qëlloi dhe e vrau. U ngjit me shpejtësi në kabinë për të detyruar timonierin të kthente anijen në port. Timonieri e kuptoi dhe e qëlloi Spiron me pistoletë, i cili mundi të shmangej, kështu që e neutralizoi edhe të dytin. Kapteri V. B., duke u ngjitur nga lokali i motorëve, qëlloi disa herë në drejtim të Spiros. Lufta ishte në distanca të afërta. Spirua u mundua ta sillte gjallë, po në pamundësi e neutralizoi dhe atë. Kështu, i vetëm kundër të treve, e ktheu anijen në drejtim të tokës mëmë, drejt Durrësit. Arriti ta fusë anijen në port, fiku motorët dhe pasi lejoi inercinë e anijes, hodhi dy spirancat afër molit dhe priti autoritetet e komandës për t’i informuar për ngjarjen. Rrëmbimi i anijes, që nuk u realizua, synonte të tregonte para botës në gjyqin e Hagës se gjoja me atë anije ishin vendosur minat që shkaktuan incidentin e Kanalit të Korfuzit dhe Shqipëria të ngarkohej me faj, kur në atë periudhë ajo nuk dispononte, as mina e as mjete për minim.

Kadri Hazbiu, kur ishte Ministër i Mbrojtjes dhe kishte ardhur njëherë në bazën e Shëngjinit, për ngjarjen e Spiro Kotes me motovedetën “Mujo Ulqinaku“, më tha:

“Duke qenë shef i Sigurimit të Ushtrisë, pas ngjarjes shkova në Durrës dhe takova Spiron. Ishte i tronditur dhe nga ai moment krijova bindjen se unë isha i pari që i propozova Enverit për ta shpallur “Hero të Popullit”, dekoratë të cilën ia dorëzoi në një ceremoni Mehmet Shehu”.

Pas aktit heroik Spirua u dërgua për studime në ish-BS. Gjatë karrierës së tij kreu detyra deri në zëvendëskomandant i BUD-it Durrrës, deri sa doli në pension.

Sipas dokumenteve zyrtare të kohës, megjithëse gjykata e pranoi faktin se në datat 12-13 nëntor 1946 futja e anijeve luftarake angleze në ujërat shqiptare, ku ndodhi incidenti, ishte shkelje e sovranitetit të Shqipërisë, vendimi përfundimtar fajësoi Shqipërinë për incidentin. Si pasojë, ai vendimi solli më vonë dhe bllokimin e arit shqiptar në bankat e Londrës.

Në prag të zhvillimit të gjyqit të Hagës, pati një përkeqësim të situatës midis nesh e anglezëve. U shtuan veçanërisht provokimet (futja në ujërat tona e anijeve të huaja me armët gati për zjarr). Tashmë notat e ndërsjella të protestës nga qeveritë përkatëse, qëndrimi i prerë i Qeverisë Shqiptare për një akt (minimi i Kanalit) që nuk e kishte bërë, përballë anglezëve që pretendonin të kundërtën, në njëfarë mënyre reflektoheshin edhe në situatën në terren. Duhej mbajtur situata nën kontroll, duke operuar me efikasitet ndaj veprimit të njëanshëm të flotës angleze, që donte të hynte pa leje në Kanalin e Korfuzit e ta pastronte atë nga minat. Më 10 nëntor, qeveria angleze njoftoi qeverinë tonë, ndërsa më 12 nëntor 1946 nisi veprimin konkret. Me skuadronin e 15 të flotës angleze, përbërë nga aeroplanmbajtëse, kryqëzorë, fregata, nëndetëse e minahedhëse, dhe të komanduara nga Admirali Konahan, filluan lundrimin nga Butrinti në Karaburun, gjë që e përsëritën dhe të nesërmen. Tytat e të gjitha armëve gati për zjarr, i kishin drejtuar drejt bregut tonë në mënyrë provokative. Njëherë njoftuan se në distancën 3 milje gjetën një minë…, pastaj edhe 22 të tjera, duke thënë se i hoqën…

Ndjekja nga afër e situatës, bëri që detyrat luftarake të efektivave tona të realizoheshin me sukses e të evitohej ndonjë incident tjetër me pasoja edhe më të rënda.

Si u çminua Kanali i Korfuzit nga Flota Shqiptare, së bashku me atë greke

Kronologjia e çminimit

* Megjithëse në gjendje lufte, qeveria greke i propozoi qeverisë shqiptare në vitin 1956, ndërmarrjen e përbashkët për çminimin e Kanalit të Korfuzit.

* Qeveria Shqiptare, për shkak se nuk kishte pajisjet e duhura dhe për faktin se ishte anëtare e Traktatit të Varshavës, njoftoi Qeverinë e Bashkimit Sovjetik për propozimin, duke kërkuar logjistikën përkatëse dhe asistencë, për kualifikimin e ushtarakëve që do të merrnin pjesë në operacion.

* Në fillim të vitit 1957, erdhi nga Bashkimi Sovjetik ekipi hidrografik i flotës, i cili bashkë me specialistët tanë të FLD-së, bënë planizimin e saktë luftarak për këtë qëllim. Kjo detyrë përfundoi në dhjetor 1957.

* Po në maj 1957, erdhën nga BS, dy minaheqës të Radës dhe u krijua grupi i anijeve minaheqëse me efektiv kuadrosh e detarësh të përzgjedhur. Me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, ndër kuadrot kryesorë e përgjegjës për çminimin, u caktuan: Mark Plani, komisari Paskal Thanasi, komandantët e anijeve Vangjel Nano, Selami Qejvani, Beqir Demko dhe inxh. mekanik Ylber Sevrani.

* Në tetor 1957, përfundoi stërvitja e kualifikimit të efektivave minaheqës dhe u përgatit dokumentacioni i plotë luftarak.

* Në janar 1958, qeveria caktoi Komisionin Qeveritar të çminimit të ujërave, të kryesuar nga ushtaraku madhor, kapiteni i rangut të parë, Abdi Mati.

* Më 2 shkurt 1958, Komisioni Qeveritar Shqiptar, udhëtoi e u takua me palën greke në Korfuz. Bisedimet vazhduan nga data 3 deri më 7 shkurt 1958.

* Pas 6 muajsh punë e bashkëpunim efektiv me grekët, përfundoi detyra e çminimit dhe në 2 gusht 1958, në qytetin e Sarandës u zhvillua ceremonia përfundimtare dhe nënshkrimi i protokollit me palën greke (nga arkivi e Ministrisë së Mbrojtjes)

Ish-shefi i lundrimit dhe pjesëmarrës në operacionin e çminimit të Kanalit të Korfuzit, Seit Jonuzaj, kujton: “Aty nga muaji shtator-tetor vjen shefi i degës së marinës pranë Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, Abdi Mati, i cili bëri një takim me mua si shef i lundrimit dhe me Xhelo Banushaj, shef i minasilurëve (armëve të nënujshme).

Me aq sa më kujtohet, në këtë takim ishte dhe Arqile Papadhimitri, me cilësinë e Shefit të Shërbimit Hidrografik, që ishte në krijim e sipër dhe që kish filluar bashkëpunimin me një detashment hidrografik të flotës sovjetike të Detit të Zi, i cili në atë kohë kishte filluar punimet për rileximin dhe thellësi-matjet hidrografike të bregdetit shqiptar. Abdi Mati na informoi se së shpejti do ndërmerreshin punime për çminimin e Kanalit të Korfuzit nga minat, në bazë të një marrëveshjeje që do të arrihej me palën greke nga bisedimet që parashikoheshin të zhvilloheshin së shpejti.

Ne si specialistë na u vu detyra të merreshim me përgatitjet paraprake të nevojshme. Detyra e parë ishte të studionim rajonin në pikëpamje të gjendjes së minave dhe hidrografike e lundrimore (navigacionale), të organizonim njohjen e terrenit dhe të merrnim masa të tjera tekniko-organizative, për të paraprirë bisedimet me palën greke.

Ky takim dhe shtrimi i detyrave të mësipërme u bë me një nga minaheqëset me të cilat do kryhej çminimi. Kujtoj se këto dy minaheqëse kishin ardhur nga Odesa në muajin prill 1957. Ishin anije metalike me teknikë të re, bashkëkohore, me pajisje çminimi mekanik e me ndikim (elektromagnetik) në gatishmëri të plotë luftarake.

Detyrat e shtruara na vunë në vështirësi në specialistëve të forcave detare; së pari, se këto detyra kishin karakter shtetëror, por edhe për faktin që ne ishim pa përvojë në këtë fushë, sepse ishte hera e parë që do merrnim pjesë në një operacion të tillë dhe, mbi të gjitha nuk kishim asnjë bazë për studimin e situatës së minave në rajon, për gjendjen e minave, dinim vetëm incidentin që kish ndodhur në Kanalin e Korfuzit më 1946, pra nuk kishim asnjë dokument apo të dhëna zyrtare për minimin e kryer dhe as bregdet të përgatitur nga ana e sigurimit hidrografik e lundrimor, madje as harta detare me shkallë të madhe. Ato harta të huaja që kishim, jo vetëm që ishin një botim i vjetër, por ishin edhe me shkallë shumë të vogël. Disa harta të vjetra sovjetike me shkallë 1:30 000 dhe 1:10 000 që kishim, përmbanin shënimin me laps të kuq “rajon i rrezikshëm për lundrim”.

Burimi: Telegraf.al