Gjovalin Gjadri
Gjovalin Gjadri

U lind në Shkodër më 2 korrik 1899 ku mori mësimet e para, kurse shkollën e mesme dhe studimet universitare për Inxhinieri Ndërtimi i kreu në Austri. Në vitin 1925 ai kthehet në Shqipëri dhe deri më 1927 angazhohet në projekte dhe zbatimin e punimeve të objekteve të ndryshme ndërtimore të vendit (si ura e Matit, një ndër urat e njohura në literaturën teknike botërore. Kjo urë me harqe njihet si ndër strukturat e para betonarmé në Europë e në botë). Në vitet 1927-1931 punon si projektues konstruktor në Institutin e Projektimit të Urave në Moskë. Më 1932 sëmuret dhe rikthehet në Shqipëri. Pas një kohe të shkurter gjendja e tij shëndetësore përmirësohet dhe ai fillon punë në Ministrinë e Punëve Botore (Publike).

Gjatë gjithë veprimtarisë së pasur profesionale, rreth 50-vjeçare, inxh. Gjadri u shqua për nivelin e lartë në studim-projektime dhe numrin e madh të veprave të projektuara që mbajnë emrin e tij. Ai punoi në mbi 75 projekte të veprave inxhinierike të ndërtuara në rajone të ndryshme të Shqipërisë, si: Ura e Lanës (në bulevardin e madh të Tiranës – v. 1932), Ura e Bunës (Shkodër – v. 1934), Ura e Zaranikës (Elbasan – v. 1934), Ura e Gjanicës (qyteti i Fierit – 1940), Ura e Mbrostarit (Fier – v. 1945), Ura e Mezhgoranit (Tepelenë – v. 1947), Ura e Rrogozhinës (v. 1948), Ura e Bahçallëkut (Shkodër – v. 1949), Ura e Mokrës mbi Shkumbin (Pogradec – v. 1951), Kullë e lartë uji për lokomotivat (Durrës – v. 1951), Ura e re e Mifolit mbi Vjosë (Vlorë – v. 1952), Centrali i Rubikut (1952), Urë tip pasarelë mbi Vjosë (Memaliaj – v. 1953), Oxhak i lartë në Rubik (v. 1954), Ura mbi Dunavec (Maliq – v. 1957) e shumë e shumë vepra të tjera.

Në periudhën nga viti 1946 deri më 1956 Prof. Gjadri punoi në Ministrinë e Ndërtimit si përgjegjës i sektorit të projektimit “Ura-Porte” dhe shef i sektorit të kontrollit teknik. Nga viti 1955 e në vazhdim ai vazhdoi aktivitetin studimor e projektues, duke qenë tashmë i atashuar në punë mësimore-shkencore pranë katedrës së Rezistencës së materialeve të Fakultetit të Inxhinierisë – Tiranë. Në fillim të viteve 1970 inxh. Gjovalin Gjadrit iu akordua, titulli akademik “Profesor”.

Eshtë e njohur jo vetëm në Shqipëri thënia e Prof. Gjadrit: “Në çështje hekurudhash, mund të themi pa ra në gabime se, në qoftë se nuk kemi ndërtue me kohë hekurudha në Shqipëri, kemi ndërtue me kohë hekurudha në vënde të huaja. Me këto fjalë mund të mburremi me të drejtë, por këto fjalë të bukura nuk mund t’i folshim, në qoftë se nuk kishim pështetje n’emnin e Karl v. Ghegës”.

Loading...

Ing. Gjovalin Gjadri mbetet personaliteti më i shquar, i shkencës së konstruksioneve të ndërtimit dhe i studimit e projektimit të urave në Shqipëri.
Prof Gjovalin Gjadri vdiq në Tirane më 13 mars 1974
I biri, i tij Prof. Egon Gjadri, është gjithashtu personalitet i njohur i studimit dhe projektimit të veprave të ndërtimit në Shqipëri, veçanërisht atyre hidro-energjetike.

Gjatë jetës së tij intensive me studime dhe punë Gjadri pati pak kohë për të shkruar, por sot na mbeten:
Një kumtesë shkencore në Kongresin e dytë mbi Urat dhe Strukturat Inxhinierike, organizuar nga “International Association for Bridge & Structural Engineering”. Në këtë kumtesë, të publikuar më 1937 me titull (“Über Brückenprobleme in Albanien”), “Probleme të llogaritjes së urave në Shqipëri”, ku inxh. Gjadri paraqiti një metodë teorike të tij për llogaritjen statike të urave me harqe.
Më 1949, Prof. Gjadri botoi një studim tjetër origjinal mbi funksionin e adezionit në lëvizjen e trenave në hekurudhat malore. Ky studim u botua në vitin 1949 në Buletinin e Institutit të Shkencave – Tiranë.
Në vitin 1965 Prof. Gjadri botoi vëllimin I të veprës madhore të tij “Shkenca e Konstrukcioneve”. Kjo është monografia e parë shqiptare në këtë fushë. Ajo dallohet jo vetëm për analizat teorike, por dhe për aplikimet fine inxhinierike. Prof. Gjadri e kishte konceptuar veprën e tij “Shkenca e Konstrukcioneve” në tri vëllime. Por vdekja në vitin 1974 nuk e lejoi që ta dërgojë për botim vëllimin II, ku trajtoheshin edhe teoritë e Mekanikës së trojeve dhe as të përfundojë vëllimin III, ku kishte konceptuar të jepte analizën statike të strukturave tip-hark.