Nga Bardha Nergjoni

15102122_1320104428008515_889303376_o

Me mekanikën është lidhur herët. Babai i tij njihej si “Ustai i automjeteve”. Me një pasion të rrallë për metalin dhe risitë, me kuriozitetin për të zbuluar, me dëshirën për të gjetur zgjidhje, Gazmendi çdo ditë punon për një projekt. Ka mbaruar inxhinierinë mekanike e megjithatë i është përkushtuar aktivitetit të tij modest ku mundohet të sjellë  zbulime që përmirësojnë jetën e njerëzve. Në listën e punimeve funksionale dhe artistike ka shpikje të veçanta, për të cilat ka marrë edhe patenta. Gazmend Birçe me orgjinë nga Vlora është 45 vjeç dhe pasionin e riparimit të automjeteve e ka nisur qysh kur ndiqte të atin në moshën 5-vjeçare dhe vazhdoi rrugën e ustait. Ai ka krijuar një biçikletë që prodhon energji, një pompë uji që i shërben të gjithëve, por sidomos fermerëve pa përdorur energjinë elektrike dhe është bashkëpunëtor në shpikjen e një parabole diellore me efiçiencë maksimale të shfrytëzimit të energjisë diellore. Për këto dhe projektet e fundit të lidhura me një makinë “Made in Albania”, shpikësi shqiptar që jeton në Durrës, flet për tesheshi.com…

Si ka nisur pasioni juaj me metalet?

Babain e kam pasur një nga mjeshtrit e punimit të metalit dhe më merrte gjithmonë me vete qysh kur isha në moshën 5-vjeçare. Kam filluar të punoj me hekurin aty nga viti 1985.

14639827_1299823983369893_4478160267973626760_n

Vazhdova shkollën si inxhinier mekanik dhe pasi mora edhe bazën teorike, fillova të punoj me hekurin dhe ti jepja zgjidhje problemeve të vështira. Pas ndryshimit të sistemit hapa një ofiçinë, të cilën e kam edhe sot. Puna ime e përditshme është në këtë biznes ku kam marrëdhënie me shumë njerëz. Mundohemi t’i japim zgjidhje problemeve nga më të ndryshmet. Bëj ndërhyrje të cilat nuk gjejnë zgjidhje në vend tjetër.

Veç punës së përditshme ju bëni dhe art me metalet…

Pjesa e artit është dhunti. Kam pasur një dorë shumë të mirë në shkollë sa i përket vizatimit teknik. Shkruaj me gdhendje, bëj ornamente të ndryshme dhe mundohem ta sjell artin edhe nëpërmjet hekurit. Jam njohur me një psikolog dhe jemi bashkuar me një ide për realizimin e pjesës gjeometrike që ka lidhje pikërisht me fushën e tij. Arti prej metali është një pasion më vete që herë pas here mundohem ta sjell nëpërmjet punimeve të ndryshme jo vetëm funksionale por edhe artistike.

Cilat janë shpikjet me të cilat keni fituar edhe patenta?

Kam tre patenta për shpikje, të marra në Gjenevë. Një shpikje e kam në bashkëpunim e dy të miat. Bëhet fjalë për një pompë uji pa korrent, një biçikletë që prodhon energji dhe një bashkëpunim për një parabolë diellore. Ne kemi bërë “Arkimedin elektronik” ose “lulen e diellit” në konceptin elektronik me efiçencë shumë të madhe të energjisë në ngrohjen e ujit. Është konkurrente shumë e madhe për panelet diellore por sigurisht që parabola kërkon një investitor dhe është një patentë shumë e fortë. Janë përpjekur edhe kinezët ta realizojnë madje edhe na kanë kontaktuar por ka një sekret në realizimin e saj dhe jo çdokush mund ta arrijë. Kjo shpikje momentalisht fle. Jam i gatshëm ta realizoj edhe një prototip por sigurisht nëse na ofrohen investitorë për ta futur në treg këtë shpikje.

12916126_10209479044921225_4587913605810160386_o

Ç’farë jeni duke shpikur këtë herë?

Jam duke punuar njëkohësisht për disa projekte. Një prej të cilave është ndërtimi i autoveturës së  parë sportive shqiptare.  Jam i ftuar për bashkëpunim në realizimin e saj, por nuk jam unë autori. Për realizimin e kësaj makine kemi një dizenjator shumë të njohur si Luis Kaçmoli, një djalë nga Shijaku i njohur për dizenjimin e makinave dhe mjaft i kërkuar nga kompani të automjeteve. Jemi duke punuar për të vendosur  të gjitha pjesët dhe kemi arritur në një stad të mirë të punës për këtë makinë. Njëkohësisht kam edhe dy projekte të tjera të cilat tani për tani mbeten pak sekret për tu bërë publike. Mund t’ju tregoj vetëm një fakt që po mundohem të prodhoj hidrogjen dhe mendoj ta fus në linjën e karburantit të makinave. Jam duke eksperimentuar. Të shohim…

Ju vazhdoni të hulumtoni duke sjellë risi të teknologjisë dhe shpikje të reja në dobi të njerëzve. Keni kërkuar mbështetje nga shteti apo individët për ti konkretizuar apo hedhur në treg shpikjet tuaja?

Kam kërkuar një herë mbështetje nga Ministria e Inovacionit për të bërë një urë me gjenerator ere  si për shembull në Urën e Milotit, por nuk më është kthyer as përgjigje. Ky ka qenë i vetmi kontakt me shtetin shqiptar dhe kam vendosur të mos i drejtohem më. Ndërkohë sa i përket pjesës së dytë të pyetjes, dua të them se shqiptarët janë shumë skeptikë ndaj shpikjeve por kur kanë një probleme dhe kanë nevojë për zgjidhje, vijnë tek unë. Kemi gjetur dhe dhënë zgjidhje për defektet dhe tek makinat më të shtrenjta si BMV X5 por edhe marka të tjera. /tesheshi.com/