E madhja Irini Qirjako që mbetet e freskët dhe e bukur gjithmonë, por dhe shumë e dashur për publikun, ka pak kohë që ka publikuar dy vidioklipet e saj më të rinj. Njëri është bashkëpunim kolazh dasmash me këngëtaren Silva Gunbardhi dhe tjetra është “S’ka si kjo nuse ooo”. Në një intervistë për “Telegraf” flet se si erdhën këto dy projekte. Ajo thotë se ishte propozimi i Silvës për të bërë një bashkëpunim, të cilin e priti me mjaft dashuri, pasi Silva është një vajzë e talentuar. Gjithashtu Irini flet dhe për koncertin e saj recital që do të mbahet në Shkup dhe është në punë e sipër. E pyetur se nga i buron e gjithë energjia, Irini thotë se ka vetëm një burim dhe ai është muzika, duke theksuar se eshte e çmendur pas saj.

Ka pak ditë që kanë dalë në të njëjtën kohë dy këngë tuaja; një interpretim vetëm dhe një duet më këngëtaren Silva Gunbardhi, si erdhi ky bashkëpunim?

“Po kanë dalë dy klipe, kënga e parë është “S’ka si ti nuse oo”, me orkestrim dhe kompozim të Edmond Zhulalit, ndërsa tekstin e kam bërë vetë. Kjo këngë në fakt ka dalë pak ditë para kolazhit, por si projekt e kisha që më parë se të punoja për kolazhin. Ndodhi kështu: Një ditë më bie telefoni dhe pashë që ishte Silva. Ajo më foli si me zë të mekur më tha: “Dëgjo Irini kisha dëshirë të bëja një kolazh me këngë dasmash!” Unë menjëherë iu përgjigja: -Ua, po hë fol hape zërin, patjetër që do ta bëjmë!-nga ajo që i thashë unë ajo mori zemër dhe u kënaq shumë. Kështu erdhi propozimi e më pas filluam punën me Mond Zhulalin. Janë këngë që i kanë rezistuar kohës, janë këngë që janë shumë pranë melosit të popullit. Ato nuk ikin kurrë nga populli. Në kolazh janë pesë – gjashtë këngë, nga të cilat nja katër janë ato që kam kënduar unë dhe dy janë të Silvës. Bashkëpunimi ishte shumë i ngrohtë, pasi Silva është vajzë e talentuar, shumë këmbëgulëse dhe shumë punëtore.”

Përpara se t’ju bënte ftesën për bashkëpunim, cila ka qenë marrëdhënia juaj me Silvën?

Me Silvën unë kam pasur marrëdhënie shumë të mirë, sepse në çdo vit në Maratonën e këngës kemi qënë bashkë në të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe mua me Silvën më hahesh shumë muhabeti, se Silva nga Vlora e unë nga Saranda dhe na puqej shumë muhabeti me njëra- tjetrën, por Silvën e doja shumë dhe e respektoja dhe ajo më respektonte shumë. Shumë natyrshëm erdhi kështu dhe bashkëpunimi, edhe pse propozimi ishte i Silvës, unë e prita me shumë kënaqësi. Pastaj kisha kënduar edhe në nja dy dasma me Silvën, po ashtu kemi qenë dhe në fushata elektorale, kështu që me Silvën kishim bashkëpunuar në shumë aktivitete. Kam pasur shumë kërkesa dhe nga këngëtare të tjera për bashkëpunim, por nuk kam pranuar, kurse Silvës ia prita ftesën me dëshirën më të madhe, pasi Silva është shumë kërkuse dhe shumë e talentuar.

Meqenëse dëshirën e kishte Silva, pse nuk provuat të bënit një këngë të re, por zgjodhët një kolazh dasmash të kënduara edhe më parë?

Këtë ide për kolazh e kishte Silva, pasi unë që në albumet e mia të para kam bërë këngë të vjetra e të reja, ndërsa të gjithë këta këngëtarët e ri që kanë dalë në demokraci nuk i kanë preferuar fare këngët e vjetra. Siç duket kanë rendur për të bërë këngë të reja, për të krijuar emrin dhe personalitetin e tyre, kurse unë emrin e kisha krijuar vite më parë që kur kam hyrë në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve, që në 1979 dhe nuk kisha nevojë për t’i bërë vetes reklamë. Desha të them edhe diçka, këto këngët e vjetra nuk i këndon dot çdo njeri, sepse ato këngë të vjetra janë këngë që kanë shumë delikatesë, janë këngë me potencial të fuqishëm e me shumë karakter. Silva është një ndër këngëtarët që ka shumë intuitë, është shumë e talentuar dhe e zonja kështu që i kap edhe këngët e vjetra.

Të flasim pak për këngën tënde të re: “S’ka si kjo nusja oo”, cila është fabula e saj?

Kjo është një këngë dasme, pasi këngët e dasmës shqiptare i kam të domosdoshme. Dasmat tona janë institucione, janë evente të pashmagshme në të cilat mblidhet i gjithë farefisi se martohen dy të rinj, e natyrisht aty ka gëzim e hare. Këngët e dasmës janë të hareshme, janë primare në dasmat shqiptare, ato i këndojnë nuses, i këndojnë dhëndërit, mamasë, babait, vëllezërve motrave. Kështu që këngët e dasmave na duhen dhe për punë gjatë verës që të kemi sa më shumë oferta për dasma dhe publiku i thith me shumë dëshirë. Pareshtur pyesin a bëri Irini ndonjë këngë të re për gëzimet familjare…

Më thatë që tekstin e keni bërë vetë, a është teksti i parë i juaji?

Po teksti është i imi, kompozimi i i Edmond Zhulalit. Unë, në fakt, kam bërë dhe tekste të tjera, por nuk e kam vënë emrin asnjë herë, pasi nuk kam dashur.

Në repertorin tuaj ka shumë këngë dashmash, mos ndoshta të vjen më natyrshëm ky zhanër, pse kjo zgjedhje?

Ashtu siç thashë, këngët e dasmave më duhen edhe për punën . E bëra këtë verë këtë këngë dhe ja, më presin oferta për punë gjatë gjithë kësaj kohe. Por këngët e dasmës dhe më flenë e më zgjohen brenda shpirtit dhe shkojnë shumë me vokalin tim.

Nga të gjithë duetet që ju keni bërë cilin do të quaje më të suksesshëm?

Unë kam bërë shumë bashkëpunime. Dueti im i parë ka qënë me Ervin Bushatin me këngën “Lidhe qenin” ishte një këngë fantastike dhe me dy aktorët më të mëdhenj Behar Merën dhe Rita Latin. Ajo ka qënë një këngë që ka bërë bujë në të gjithë Shqipërinë, ato disqet e saj janë blerë atëherë pa pushim në të gjithë vendin; Jug e Veri. Kam bërë bashkëpunim me Enkelejda Alushin me këngën, përsëri edhe këtë radhë krijimi, kompozimi dhe orkestrimi i Mond Zhulalit, teksti i Jorgo Papingjit: “Nusja jonë çame” që do ta vlerësoja si një bashkëpunim shumë të bukur dhe, sigurisht bashkëpunimin më të fundit që është me Silva Gunbardhin.

Projekti juaj më i afërt?

Projekti im më i afërt është një koncert recital që do të bëhet në Shkup. Jemi në përpjekje e sipër duke punuar që të filmohet nga televizioni i Shkupit dhe nga televizioni i Kosovës. Është një përgjegjësi shumë e madhe, pasi do të jetë live dhe çdo gjë duhet të jetë në perfeksion, pasi gjatë shfaqjes mund të dalin të pa pritura, gabime ose dhe ndonjë lapsus. Drejtor artistik do të kem Edmon Zhulalin, bashkëpuntorin tim më të ngushtë. Për të gjithë repertorin e këtij koncerti recital ai ka një përgjegjësi shumë të madhe. Do të kem dhe të ftuar specialë, do të kem dhe bashkëpuntoret e mia si Silava Gunbardhin, Enkelejda Alushin, madje do të kem dhe balerinën e Ansamblit, Lili Cingun e shumë supriza të tjera.

Keni menduar ndonjëherë të bëni ndonjë bashkëpunim me ndonjë koleg ose kolege nga Veriu ose të këndoni ndonjë këngë nga Veriu i Shqipërisë?

Po, unë jam ajo që i kam thënë Bujar Qamilit që të bënim një këngë të re, parimisht ramë dakort, por s’e di pse Bujari e la pas dore dhe mbetëm. Megjithatë e kam menduar dhe, ndoshta mund ta bëj me artistë veriorë edhe matanë kufirit.

Ju jeni gjithmonë në formë, çfarë ju ndihmon për të qenë kaq e freskët?

Unë bëj ecje çdo ditë nga një orë e gjysmë, kështu kjo më ndihmon të ndihem mirë, por freskinë më të madhe unë e gjej te muzika, ajo është e vetmja që mua më mban gjithmonë të gjallë.

Mund të më thoni tre pikat tuaja më të forta?

Unë jam shumë e thjeshtë, njerëzit i dua dhe respektoj, jam shumë këmbëngulëse në punën time, sigurisht, jam edhe shumë e dashuruar me profesionin, unë jam e çmendur pas këngës.

Intervistoi: Era Çela/Telegraf.al