Sulejman Demollari është një legjende e Dinamos së Bukureshtit. 36 gola të shënuar në 100 ndeshje e bënë legjendën e Kombëtares shqiptare të ishte i pari i huaj që kishte lavdi në Rumani.

Mirëpo, së fundmi, ka dalë në skenë një prapaskenë e transferimit të tij të madh drejt Dinamos së Bukureshtit në vitin 1991. Për këtë, është vetë ish-trajneri i rivalëve historikë, Steauas së Bukureshtit që tregon pengun e karrierës dhe ngjarjen e asaj periudhe.

PENGU

Shumë trajnerë kanë pengje nga karriera e tyre për tituj apo ndeshje të humbura për një episod apo faktor të caktuar. Mirëpo, ka edhe raste kur në karrierë të mbetet peng qoftë edhe një futbollist. Demollari ka mbetur peng i një trajneri tjetër. Bëhet fjalë për Dimitru Dimitriu, i cili në vitin 199 ka qenë pjesë e skuadrës së Steauas së Bukureshtit. Për mediat rumune, 73-vjeçari nga Bukureshti rrëfen prapaskenën. “I vetmi gabim që kam bërë në karrierën time ka qenë që kisha mundësinë për të afruar Demollarin dhe nuk ia dola që ta marr. E kishim në oborr”, rikujton ish-trajneri i Steuas së Bukureshtit në kohën kur Demollari u transferua te Dinamo e Bukureshtit.

PRAPASKENA

Për Dimitriun, legjenda e Kombëtares shqiptare ishte përgatitur për disa ditë me Steauan dhe ia kishte dalë që të ambientohej mjaft mirë për t’u bërë pjesë e asaj skuadre, mirëpo në momentet e fundit, Dinamo e Bukureshtit ia doli që të rrëmbente lojtarin që do të shkëlqente më pas. “Demollari dhe Kostantinovici erdhën te Steaua. Demo, në fakt, donte që të luante me ne. U përgatit për tri ose katër javë në skuadrën tonë dhe kishte arritur të krijonte edhe miqësi me lojtarë. Është pengu i karrierës sime që nuk arritëm dot ta merrnim”, tregon prapaskenën ish-trajneri i skuadrës rumune.

Nga OLSI TUJANI

Burimi: Panorama.com.al