Nga Fjoralba Miraka

“Ishte dita e parë pa të”, shkruan shkrimtarja Natasha Lako në Teta Xhano (2012), libri që përmban 

kujtimet e aktorëve të vegjël në filmat e regjisores të paharueshme Xhanfize Keko. Po lexoj përsëri mendimet e saj të asaj dite, 22 dhjetor 2007, ashtu siç i tregon Natasha me ndershmëri dhe thjeshtësi që të prek në zemër, dhe në të njëjtën kohë, përpiqem të vendos mendimet e mia në një rregull; sepse ky është një tekst i cili synon të festojë 90 vjetorin e lindjes së Teta Xhanos, dhe jo ndarjen e saj nga jeta.

Ky është një tekst që rrjedh nga një studim më i gjerë dhe i gjatë i cili do prezantohet në datën 23 maj në konferencën ndërkombëtare Doing Women’s Film and Television History IV e organizuar nga Universiteti Southampton, UK. Në të njëjtën kohë, dokumentari i regjisorit Mevlan Shanaj me skenar të Natasha Lakos, Koha e Pelikulës, do të shfaqet në festivalin ndërkombëtar i Nju Jorkut, International Filmmaker Festival of New York. Kësisoj, legjenda e regjisores së filmit për fëmijë ende mbetet në dialog të gjallë me komunitetin ndërkombëtar të filmit, të teoricienëve dhe akademikëve të filmit.

Kontributi i Xhanfize Kekos në historinë e zhvillimit dhe konsolidimit e zhanrit të filmit për fëmijë në kinematografinë shqiptare është i pamohueshëm dhe gjerësisht i kremtuar në vendin tonë. Pra, kur Univeristeti i Southampton hapi thirrjen për studime mbi kontributin e grave në artin e filmit, nuk kisha asnjë dyshim në mendjen time se duhet ta shfrytëzoj këtë mundësi për të prezantuar Xhanfize Kekon në një publik ndërkombëtar që ende mund të mos njihet me emrin dhe punën e saj, pavarësisht se kinematografia shqiptare ka patur dashamiras si Projekti i Kinemasë Shqiptare (ACP) krijuar nga Regina Longo, kritiku britanik Mark Cousins, profesori Bruce Williams, dhe figura të tjera të rëndësishme nga bota e filmit.

Kjo regjisore e parë e filmit artistik, dhe e vetme gjatë periudhës së diktaturës, ka krijuar një thesar të shquar në trashëgiminë tonë kombëtare të filmit, me të vërtetë frymëzues dhe origjinal, si në aspektin stilistik por edhe në aspektin e përmbajtjes. Kush mund të harrojë luajtshmërinë e asaj melodie së skenës së parë në ABC…ZH (1971), ose aspektin kuptimplotë imagjinativ së sekuencës së ëndërrës në Kryengritje në pallat (1972). Kush është lodhur së dëgjuari treguesin e historisë së qytetit tonë ‘me rrugë të bukura, me sheshe të gjera… dhe sa fëmijë që jetojnë në këto pallate, Mimoza Llastica midis tyre. Kush mund të harrojë aventurën premtuese e ndërtimit të Qytetit më të ri në botë (1974) apo transformimin i Benit të vogël nga një djalë i tërpshëm dhe frikacak në një fëmijë plot gjallëri, plot jetë. Dhe kush mund të fshihet nga ndjenjat të neveritjes, përbuzjes apo urrejtjes duke parë trupin e Bardhit të mbushur me plagë nga goditjet e Galipit (Tinguj Lu, fte, 1976).

Dhe këtu vjen momenti historik i Xhanfize Kekos, kur ajo do krijonte filmin e saj më të mirënjohur – në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar –  Tomka dhe shokët e tij (1977). Sekuenca që hap filmin besoj se është një nga momentet më të bukura, më të sinqerta dhe më elegante në historinë e kinemasë botërore, dhe Xhanfize Keko e ka shoqëruar atë me muzikën e mjeshtrit-kompozitor Aleksandër Lalo, të ekzekutuar nga një mjeshtër tjetër, Ferdinand Deda: mendoj me veten time, ky është fine art (art i përkryer), të bën të buzëqeshësh ndërsa kujton të kaluarën, të bën të përmallohesh për atë që që kolektivisht përpiqemi të kapërcejmë, të bën të ëndërrosh me sy hapur, të bën të ndihesh e gjallë.

Xhanfize Keko ka kontribuar në historinë e kinematografisë shqiptare më shumë se sa asaj zakonisht i kemi atribuar. Janë vitet 1981 & 1984 kur regjisorja së bashku me redaktoren Natasha Lako, bashkëskenaristët Shpresa Vreto dhe Nexhati Tafa, si dhe montazhieren Shpresa Papapavlo solli në ekranin e madh një zhanër të ri: Filmin e Gruas (The Woman’s Film) – Kur po xhirohej një film (1981) & Taulanti kërkon një motër (1984). Duke vendosur gruan në qendër të tregimit të dy filmat eksplorojnë dhe problematizojnë pozitën e Gruas së Re në Shqipërinë socialiste, dhe haptazi sulmojnë të gjithë fabrikimin socialist të gruas së emancipuar duke miratuar një qasje krejt të re dhe të freskët në zhvillimin narrativ të personazheve femërore.

Në këtë vend ku prejardhja e kontekstit shoqëror ka qenë e rrënjosur në pikëpamje patriarkale, Xhanfize Keko tregon historinë e një gruaje në prag të divorcit (personazhi i Violeta Dede), dhe të një gruaje pa qasje në të  drejtat riprodhuese (personazhi i Zllka Mujo),, trupi i së cilës kthehet në një makinë riprodhuese në duart e Shtetit. Keko arrin të rrisë pyetje krejtësisht të vlefshme (si në atë kohë edhe në kohën tonë) por të neglizhuar për një kohë shumë të gjatë në shoqërinë tonë: cilat janë strukturat shoqërore të cilat mund të ofrojnë premisën e emancipimit të gruas? Si ndikon ky realitet i ri mbi gruan si individ, por edhe në ata që e rrethojnë atë? Si trajtohet kjo çështje në kontekstin e vërtetë shoqëror dhe si komunikohet në publik? Përfundimisht, si një gjest antikonformizmi,  regjisorja refuzon t’i japë filmave një ‘Happy End’ të qartë: iluzioni i njësisë familjare prishet kur ajo me vendosmëri ngrin kuadrin e fundit në të dy filmat para se portreti i Familjes të tregohet i plotë.

 Kështu u lind zhanri i Filmit të Gruas në kinematografinë shqiptare. Ende duhet studiuar nëse kjo traditë mbijetoi pas rënies së komunizmit, në vitet e mëvonshme. Për fat të keq, tradita e filmave të fëmijëve nuk ka mbijetuar.

Burimi: www.sbunker.net