Dokumenti i ekzistencës së kësaj linje i përket revistës kulturore të përdyjavshme, “Rilindja”, e cila botohej në vitet 1934-1936 në qytetin e Korçës. Duke u bazuar në një reklamë të botuar në faqet e kësaj reviste mësohet se në atë periudhë ishte një linjë detare për pasagjerë Durrës-Nju Jork, e cila drejtohej në Shqipëri nga shoqëria detare “United States Line”. Kjo shoqëri lundrimi e kishte qendrën në kryeqytetin e vendit, Tiranë me agjent të përgjithshëm për Shqipërinë, Gaqo Oparin.

Nga njoftimi mësohet se vaporët ekspres të kësaj shoqërie shërbenin për linjat e Amerikës dhe të Kanadasë. Njoftimi i botuar në revistën “Rilindja” bën me dije edhe datat e lundrimeve që i përkasin një periudhe të muajve dhjetor të vitit 1934 dhe janar të vitit 1935. Në këtë linjë kanë operuar 3 vaporë me emrat Manhatan, Washington dhe President Roosveld.

Linja detare Durrës-Nju Jork, kishte edhe degë agjencie për prerje biletash në qytetet: Korçë, Ersekë, Gjirokastër, Durrës, Përmet, Leskovik, Berat, Sarandë, Tepelenë, me agjentë shitjesh të biletave: Efthim Opari, Mihail P. Prodani, Miço Garruli, Liço Spiro, Dhimo Hotova, LLambi Tavanxhi dhe Theodhos Leska.

Çmimet e klasit të III-të të udhëtarëve nga Durrësi në Nju Jork kushtonin vetëm 110 $. Pra, ëndrra e bashkatdhetarëve tanë për të udhëtuar drejt Amerikës kushtonte shumë me lirë se sot… /tesheshi.com