TO GO WITH STORY BY LAURENT LOZANO Albanian novelist Ismail Kadare gestures during an interview with AFP on February 8, 2015 in Jerusalem. Born in 1936 in the Albanian mountain town of Girokaster, Kadare has won a number of prestigious prizes including the first international Man Booker Prize in 2005. AFP PHOTO/ GALI TIBBON

Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër, Mbretëria Shqiptare në një familje myslimane.[5] Ai ishte një nga tre fëmijët e Halit Kadare, i cili punonte si postier i Gjykatës së Gjirokastrës, dhe Hatixhe Dobit, e cila vinte nga familja e njohur gjirokastrite, Dobi [6]

Shkollën fillore dhe të mesme e mbaroi në Gjirokastër. Në vitin 1947, në moshën 12 vjeçare arrestohet nga regjimi i sapovendosur komunist nën akuzën “falsifikues monedhash”, meqë gjatë lojës me shokun e tij kishin krijuar me plumb të shkrirë monedha 5-lekëshe dhe ua kishin treguar gjithkujt me hare. Policia i arrestoi gjatë orës së mësimit në shkollë, dhe Ismaili bëri dy ditë burg derisa ndërhyri avokati i Kadarenjve dhe e liruan për shkak të moshës së mitur. Si ndëshkim, në shkollë iu thye nota e sjelljes nga pesë në tre. Më vonë do t’i përshkruante këto ndodhi në novelën Koha e parasë [7][8]

Në moshën 13 vjeçare zbuloi Makbethin, një ndër veprat e Shekspirit dhe kështu i lindi dashuria për letërsinë. Tregimin e parë, të titulluar “Në dheun e huaj” e shkroi në vitin 1953. Gjatë kësaj kohe botoi dy vëllime poetike.

Studimet universitare i kreu në Tiranë, ku më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua për Mësuesi. Në vitet 1958-1960 studioi në Moskë, në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki”. I zhgënjyer nga realizmi socialist mendon të lërë letërisinë krejtësisht. Detyrohet t’i braktisë studimet para kohe për shkak të ashpërsimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit sovjetik [9]. Kthehet në Shqipëri dhe punon fillimisht në gazetën “Drita”, e më pas drejton revistën “Les lettres albanaises”.

Loading...

Gjatë qëndrimit në Moskë, në nëntor 1959, shkroi romanin e parë “Qyteti pa reklama”, duke sfiduar qëllimshëm rregullat e realizmit socialist. Për shkak të temës delikate të romanit, që bënte fjalë për studentë të shthurur e amoralë që arrijnë suksesin me anë të falsifikimeve, e që ishte në kundërshtim të plotë me frymën pozitive e heronjtë pozitivë që proklamonte realizmi socialist, romani mbeti pa u botuar.[10] Pas kthimit nga Moska ia tregoi një miku të tij i cili e këshilloi që ta mbante të fshehur e të mos ia tregonte askujt. Në vitin 1961 botoi një vëllim me poezi me titull “Shekulli im” ndërsa më vonë e përpunoi një fragment nga romani “Qyteti pa reklama” ashtu që të dukej si novelë, i vuri titullin “Ditë kafenesh” dhe e botoi në revistën “Zëri i Rinisë”. Vepra u ndalua menjëherë nga autoritetet dhe u kritikuan rëndë atë që kishin lejuar botimin e saj.

Në vitin 1962 e botoi tregimin Gjenerali i ushtrisë së vdekur të cilin më pas, i shtyrë nga miku i tij i ngushtë, e zgjeroi, e bëri roman dhe e botoi të plotë në vitin 1963. Romani bënte fjalë për një gjeneral italian dhe një prift që vinin në Shqipëri për të zhvarrosur eshtrat e ushtarëve italianë të rënë gjatë Luftës së dytë botërore. U mirëprit nga shumë lexues, kurse të tjerë e kritikuan atmosferën e zymtë dhe portretizimin e gjeneralit dhe priftit. Kritika e priti ftohtë dhe pasi mbaroi tirazhi i parë, autori nuk mundi ta ribotonte edhe për disa vite. Romani pasues, “Përbindëshi” u botua në revistën Nëntori pasi Kadare arriti të bindte drejtorin e revistës se kjo ishte një vepër e paparë që bota komuniste e kishte pritur me vite. Menjëherë pas botimit, vepra u etiketua si dekadente dhe u ndalua. Si e tillë mbeti në harresë deri pas rënies së komunizmit.[11]

Më 1966 Enver Hoxha filloi revolucionin kulturor shqiptar dhe si rrjedhojë artistët u dërguan nëpër qytete provinciale për të qenë “gju më gju me popullin”. Kadare u dërgua në qytetin e Beratit ku qëndroi dy vjet si korrespodent i gazetës Drita, e ku u njoh me punëtorët e kombinatit të tekstilit. Duke marrë parasysh që dy nga veprat e tij tashmë ishin të ndaluara kurse Gjenerali i ushtrisë së vdekur u prit frohtë dhe nuk mundi ta ribotonte, ai kuptoi se në këtë situatë nuk guxonte të bënte më gabime. Për t’ua mbyllur gojën kritikëve të shumtë që e sulmonin për shmangien nga “temat aktuale” dhe mostrajtimin në veprat e tij të temës së “ndërtimit të socializmit”, Kadare vendosi ta shkruajë një roman me temë aktuale dhe që nuk binte ndesh me rregullat e realizmit socialist. Kështu shkroi romanin Lëkura e daulles i cili u botua në vitin 1967 në revistën Nëntori, në kulmin e revolucionit kulturor. Kritika zyrtare e cilësoi si një sukses në “riedukimin” e shkrimtarëve.[12] Po të njëjtin vit pas një ripunimi që i bëri Gjeneralit të ushtrisë së vdekur, ai më në fund u ribotua. Në atë kohë ai u përkthye dhe u botua në Bullgari dhe Jugosllavi, dy vende që konsideroheshin si “revizioniste”.

Botimi i “Gjeneralit” në Francë dhe suksesi ndërkombëtar[redakto | redakto tekstin burimor]

Në fillim të vitit 1970 shtëpia botuese franceze Albin Michel botoi në frëngjisht romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur përkthyer nga Jusuf Vrioni. Ai bëri bujë në Francë dhe u përkthye edhe në gjuhë të tjera. Në këtë kohë Kadare shkroi e botoi romanet Kështjella (1970) dhe Kronikë në gur (1971), të cilat përkthehen e botohen në Francë njëra pas tjetrës. “Kështjella” bënte fjalë për rezistencën e shqiptarëve kundër osmanëve, ndërsa romani autobiografik “Kronikë në gur” bënte fjalë për qytetin e Gjirokastrës dhe fëmijërine e Kadaresë aty gjatë luftës së dytë botërore kur qyteti pushtohet me radhë nga italianët, grekët, gjermanët dhe partizanët.

Pas publikimit të dy romaneve me temë historike, Kadare përballet me kritika të shumta pse nuk po shkruante për tema “aktuale”, si “ndërtimi i socializmit”. Për tu mbyllur njëherë e mirë gojën kritikëve ai vendosi të shkruante një roman me temë prishjen e lidhjeve mes Shqipërisë dhe vendeve tjera komuniste. Meqë Enver Hoxha kishte qenë një nga aktorët kryesorë në mbledhjen e 81 krerëve të partive komuniste të botës, e cila u mbajt në Moskë në nëntor 1960, Kadare e bëri edhe atë personazh. Për të shmangur glorifikimin e tij ai iu lut autoritetve ta lejonin t’i shikonte procesverbalet e mbledhjes së Moskës dhe të merrte shënime nga to. Aty dëshmohej detajisht rrjedha e ngjarjeve në Moskë, akuzat e Hoxhës që kishte qenë i vetmi udhëheqës që doli haptas kundër udhëheqësit rus, Nikita Hrushovit, dhe kundërpërgjigjja e ashpër e krerëve tjerë komunistë që kishin zgjedhur të tregoheshin servilë ndaj Hrushovit duke dalë me radhë për ta sharë e kritikuar Enver Hoxhën dhe delegacionin shqiptar, duke shkuar aq larg sa ta quanin “Judë” dhe “tradhtar të Bashkimit Sovjetik”. Kështu Kadare e paraqiti mbledhjen në roman ashtu siç e dëshmonin dokumentet.

Kopertina e botimit të dytë, të censuruar të “Dimrit të vetmisë së madhe”

Në roman paraqiteshin edhe pasojat e ndarjes së Shqipërisë prej vendeve tjera komuniste, pesimizmi i njerëzve, shpresat e disa pjesëve të shoqërisë për rrëzimin e komunizmit etj. Romanin e titulloi “Dimri i vetmisë së madhe” dhe e çoi në shtyp në fillim të vitit 1973. Ai ishte i bindur se kishte paraqitur në roman një tablo të zymtë të komunizmit dhe liderëve komunistë, dhe që ishte ndryshe nga romanet e realizmit socialist, meqë ishte i zymtë, në të paraqiteshin fantazma ministrash të vrarë etj.

Kur u botua romani, ai u prit jashtëzakonisht keq. Disa ditë pas botimit shpërtheu një fushatë masive në shtyp kundër Kadaresë, e cila zgjati muaj me radhë. Në të u përfshinë fshatarë, punëtorë, studentë, ushtarë, kritikë, studiues, zyrtarë të lartë; shkurt, i gjithë mekanizmi i propagandës komuniste. Kadare u akuzua për mungesë “pozitiviteti” dhe “patriotizmi socialist”, për “shtrembërim të historisë së prishjes me Bashkimin Sovjeti”, ironizim të “parimeve të socializmit”, “futjen e teorive borgjeze të revolucionit seksual”, dhe “përkrahje të fshehtë të liberalizmit”.[13] Vetë ministri i brendshëm Kadri Hazbiu u deklarua lidhur me romanin: “lexova dyzet faqe dhe pështyva dyzet herë” [14]Enver Hoxha, i cili ishte personazh në libër qëndroi pasiv për muaj të tërë përderisa Kadare sulmohej nga të gjitha anët. Kur gjatë një vizite në Elbasan u pyet rastësisht se çfarë mendonte për romanin ai u shpreh se kishte të meta por qëndrimi i partisë në Moskë ishte paraqitur në mënyrë korrekte. Ndalimin e mundshëm të romanit e hodhi poshtë nën arsyetimin se nëse ndalohej një roman antisovjetik, në Moskë këtë mund ta merrnin si shenjë se qarqet sovjetike në Shqipëri ishin ende të forta. Kaq mjaftoi që fushata të ndalej. Kadare u detyrua ta rishikonte disa herë romanin sipas udhëzimeve nga lart. Pas disa përpunimeve ai u ribotua në vitin 1977 nën titullin e ndryshuar “Dimri i madh” dhe u përkthye edhe në frëngjisht.

Në vitin 1975 Kadare hyri prapë në telashe me autoritetet kur çoi për botim një poemë me titullin “Në mesditë byroja politike u mblodh”. Publikimi i poemës u pezullua para botimit dhe kopja i ra në dorë vetë Enver Hoxhës i cili u tërbua. Si ndëshkim, Kadare u dërgua në fushat e Myzeqesë të kryente punë fizike disa muaj me radhë.

Në vitin 1978 botoi romanet “Muzgu i perëndive të stepës” , “Ura me tri harqe” , “Kamarja e turpit” dhe “Komisioni i festës” në një vëllim të përbashkët. Me përjashtim të romanit të parë të përmbledhjes i cili ishte autobiografik, tre të tjerët ishin me tema historike.

Në vitin 1980 botoi në një përmbledhje të përbashkët romanet Prilli i thyerKush e solli Doruntinën së bashku me dy kapitujt e parë të romanit Pallati i ëndrrave maskuar si novelë. Një vit më vonë, me rastin e ribotimit të një libri të mëhershëm shfrytëzoi rastin dhe e futi në të verzionin e plotë të Pallatit të ëndrrave, duke arritur kështu ta kapërcente censurën. Vepra bënte fjalë për një shtet totalitar, që në shikim të parë dukej si Perandoria Osmane, ku një institucion i quajtuar Tabir Saraj (Pallati i ëndrrave) monitoronte, mblidhte dhe analizonte ëndrrat e qytetarëve për të zbuluar në to shenja të konspiracioneve kundër shtetit. Shumë shpejt njerëzit filluan të vërenin se përshkrimet e kryeqytetit ku luheshin ngjarjet ishin identike me Tiranën, dhe atmosfera e terrorit, spastrimeve dhe burgosjeve ishte e ngjashme me Shqipërinë e Enver Hoxhës.

Romani u dënua rreptësisht në një mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe u ndalua. Kadare u përball me akuzuat se vepra kishte aluzione kundër regjimit komunist dhe që Pallati i Ëndrrave ishte në fakt ndërtesa e Komitetit Qendror të PPSH-së. Kadare i shpëtoi arrestimit për shkak të njohjes ndërkombëtare dhe ndërhyrjes së presidentit francez në mbrojtje të tij. Sidoqoftë, dokumente të vitit 1982 dëshmojnë se Sigurimikishte përgatitur dëshmi të rreme që e implikonin Kadarenë në një konspiracion kundër regjimit komunist dhe prisnin dritën e gjelbër për ta arrestuar.

Në vitin 1985 vdiq Enver Hoxha. Po atë vit u ndalua romani “Nata me hënë” që bënte fjalë për përpjekjet e partisë komuniste dhe shoqërisë komuniste për të shkatërruar jetën e një vajze të pafajshme. Romanin tjetër “Vajza e Agamemnonit” ku në mënyrë të hapur sulmohet shoqëria komuniste, e shkroi atë vit dhe bashkë me disa vepra tjera anti-komuniste e nxori fshehtas jashtë shtetit nëpërmjet botuesit dhe mikut të tij francez Claude Durand, me udhëzimin që të botohesin në rast se regjimi e eliminonte Kadarenë pas shpine.

Në vitin 1986 botoi romanin “Krushqit janë të ngrirë” që fliste për dhunën dhe terrorin që përdornin serbët kundër shqiptarëve në Kosovë. Romani ishte frymëzuar nga demonstratat e shqiptarëve të Kosovës më 1981 dhe kishte filluar ta shkruante po atë vit mirëpo autoritetet komuniste në Shqipëri nuk lejuan botimin e tij për disa vite për të mos zemëruar Jugosllavinë.[15]

Në vitin 1990 Shqipëria ishte i vetmi vend komunist në Evropë. Regjimet komuniste në vendet tjera evropiane kishin rënë një vit më parë. Përveç kësaj ishte edhe vendi i vetëm stalinist në botë, kur stalinizmi në vendet tjera kishte rënë disa dekada më parë. Në fillim të atij viti Kadare i kërkoi udhëheqësit të Shqipërisë, Ramiz Alisë që të bënte ndryshime në vend, mirëpo shumë shpejt iu bë e qartë se udhëheqja komuniste nuk e kishte në plan të dorëzonte pushtetin. Në vjeshtën e vitit 1990, i zhgënjyer nga përpjekjet e udhëheqjes komuniste për t’i zgjatur jetën regjimit, Ismail Kadare vendosi të arratiset nga Shqipëria në Paris dhe të kërkojë nëpërmjet mediave perëndimore vendosjen e demokracisë. Me ndihmën e botesit francez arrin të organizojë ikjen e familjes së tij. Ikja e tij u mirëprit nga ata që donin demokratizimin e Shqipërisë, kurse autoritetet e diktaturës komuniste e dënuan largimin e Ismail Kadaresë dhe e shpallën tradhtar. Krijimtaria e tij nuk arriti të ndalohej sepse librat e tij gjendeshin kudo në Shqipëri, dhe ti hiqje veprat e tij nga gjitha libraritë,shtëpitë dhe tekstet shkollore ishte gati e pamundur. Rreth asaj kohe filluan të përhapen shpifje për gjoja fyerjet që Kadare u kishte bërë refugjatëve shqiptarë që arratiseshin nga Shqipëria, sipas të cilave ai i kishte quajtuar “jashtëqitje e kombit”, shpifje që vazhduan të përhapeshin edhe më vonë. Pas rënies së komunizmit në vitin 1992, ai u rikthye në Shqipëri. Nga viti 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare, brenda dhe jashtë vendit. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar. Duke shtuar lirinë e autorit për të trajtuar tema që më parë nuk mund të trajtoheshin lirshëm.

Kadare ndan kohën mes Parisit dhe Tiranës. Në vitin 1996 u pranua në Akademinë e shkencave sociale dhe politike në Francë, ku zëvendësoi filozofin Karl Popper. Nga viti 1994 deri 2004 shtëpia botuese franceze Fayard botoi veprën komplete të Kadaresë në frëngjisht dhe shqip. Gjatë viteve të 90-ta ai ndihmoi botimin e shumë autorëve shqiptarë në Francë, qoftë duke ua sugjeruar botuesve francezë, qoftë duke ua shkruar parathëniet. Në vitet e 90-ta Kadare loboi për Kosovën dhe përkrahu bombardimet e NATO-s kundër Serbisë.

TO GO WITH STORY BY LAURENT LOZANO
Albanian novelist Ismail Kadare gestures during an interview with AFP on February 8, 2015 in Jerusalem. Born in 1936 in the Albanian mountain town of Girokaster, Kadare has won a number of prestigious prizes including the first international Man Booker Prize in 2005. AFP PHOTO/ GALI TIBBON